Rikthehet në Kuvend ligji për importin e mbetjeve; Aktivistët paralajmërojnë protesta
Ligji i shumë debatuar për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve do të rikthehet për shqyrtim në Parlament. Ky ligj është futur në programin e punimeve të Kuvendit për periudhën 18 shtator – 13 tetor.
Rikthimi nuk ka të bëjë më një nismë të re, është i njëjti projektligj që ish- Presidentit Bujar Nishani nuk e dekretoi duke e rikthyer në Kuvend në 14 tetor të vitit të kaluar.
Periudha një vjeçare ku projektligji qëndroi në sirtar bëri që të kalojnë të gjitha afatet për diskutimin e tij në komisionet përkatëse, ndaj kemi të bëjmë me të njëjtën nismë e cila hasi kundërshtimin e shoqërisë civile një vit më parë.
Aleanca Kundër Importit të Plehrave, në një letër të hapur drejtuar Kryeministrit Rama i kujton vendimin e vitit 2013 dhe premtimin e pak muajve më parë për qeverisje me qytetarët:
“Ne jemi të bindur se, përveçse ligjërisht përfaqësojmë mbi 60000 qytetar, shprehim dhe opinionin e testuar të 90% të Shqiptarëve dhe këtë qëndrim tonin dëshirojmë t’ju a parashtrojmë Ju personalisht. Besojmë se kjo kërkesë e jona përputhet me politikën e prezantuar nga ju për bashkëqeverisje me qytetarët”.
Në këtë deklaratë AKIP ngre shqetësimin se vendimet e fundit për ndërtimin e inceneratorëve në Tiranë, Fier, Durrës e Korçë po krijojnë një terren që favorizon importin e mbetjeve.
“Shqipëria me kaq shumë burime të rinovueshme për prodhimin e energjisë nuk ka nevojë për energji të prodhuar nga burimi më ndotës në planet, siç është energjia na djegia e plehrave”, thuhet në deklaratën e AKIP.
/l.k./