Shtohet numri i refugjatëve në kufirinin SHBA-Meksikë në prag të zgjedhjeve afatmesme

Shtetet e Bashkuara deklaruan të hënën se do të dërgojnë mbi 5,200 forca përforcuese të ushtrisë për të ndihmuar në sigurimin e kufirit me Meksikën, një vendim i paralajmëruar nga presidenti Trump, i cili deklaroi sërish qëndrimin e tij mbi emigracionin në fushatën e zgjedhjeve afatmesme, të cilat priten të mbahen më 6 nëntor.
Vendimi do të krijojë një forcë aktive në kufirin me Meksikën të krahasueshme me madhësinë e kontigjentit ushtarak të SHBA-ve në Irak. Administrata e Trump dhe forcat kufitare po përballen me një krizë të vërtetë, pasi karavane të pafundme refugjatësh me origjinë nga vendet e Amerikës Qendrore, prej javësh po marshojnë drejt kufirit, në një nga eksodet më të mëdha të viteve të fundit. Shumica e refugjatëve vinë nga vende me konflikte të ashpra civile dhe varfëri të tejskajshme.
Gjenerali Terrence O’Shaughnessy, kreu i Komandës Veriore të SHBA, tha se 800 trupa amerikane tashmë ishin në rrugë për në kufirin e Teksasit dhe më shumë ishin drejtuar për në vijën kufitare në Kaliforni dhe Arizona.
Presidenti Trump i cili erdhi në pushtet falë qëndrimeve të tij mbi emigracionin e paligjshëm, po përdor krizën e vazhdueshme të emigrantëve dhe eksodet drejt SHBA, si retorikë për të fituar dhe zgjedhjet afatmesme në prag të votimit të javës së ardhshme.
Situata Parazgjedhore
Nëse republikanët humbin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve apo Senatit, administrata Trump mund ta ketë shumë më e vështirë për të ndjekur agjendën e saj të politikave anti-emigracion gjatë dy viteve të ardhshme.
Sipas një sondazhi të Qendrës Kërkimore Pew të kryer në fund të shtatorit dhe fillim të tetorit, 75 për qind e votuesve republikanë thanë se emigracioni i paligjshëm është një problem shumë i madh, krahasuar me 19 për qind të votuesve demokratë. Partia Demokratike vazhdon kritikat ndaj politikës së ndjekur nga administrata e Washingtonit, duke e konsideruar atë si çnjerëzore dhe të paligjshme. Demokratët po fokusohen në minimizimin e humbjeve në zgjedhje dhe synojnë marrjen në kontroll të Dhomës së Përfaqësuesve. Senati me shumë gjasa do të mbetet në dorë të Republikanëve.
Edhe pse mbështetësit e Trump në Kongres vlerësuan vendosjen e trupave në kufi si të nevojshme, Bashkimi Amerikan i Lirive Civile e konsideroi lëvizjen si një lojë politike.
“Presidenti Trump ka vendosur pak para zgjedhjeve afatmesme për të detyruar ushtrinë të vazhdojë agjendën e tij anti-emigracion, duke ngjallur frikë dhe përçarje”, tha Shaw Drake, këshilltar politik për Qendrën e të Drejtave të Kufirit në organizatën e Bashkimit Amerikan të Lirive Civile në El Paso të Teksasit. Gjithashtu presidenti Trump tha në Twitter të hënën se ushtria do të jetë në pritje të zhvillimeve të ardhshme – duke sugjeruar një rol shumë më të drejtpërdrejtë në përballjen me emigrantët.
Kevin McAleenan, komisioneri i SHBA për Doganat dhe Mbrojtjen e Kufirit, tha se një grup prej rreth 3,500 emigrantësh po udhëtonin përmes Meksikës jugore me synimin për të arritur kufirin e SHBA. Një karvan i dytë prej rreth 3,000 vetë ishte në kufirin Guatemala-Meksikë.
Në të njëjtën kohë, gjatë tre javëve të fundit, agjentët e kufirit kanë hasur rreth 1,900 njerëz në ditë ose duke kaluar kufirin ilegalisht ose duke u paraqitur në pikat kufitare, me më shumë se gjysmën e tyre duke qenë fëmijë të pa shoqëruar ose prindër dhe fëmijë që udhëtojnë së bashku, tha McAleenan.
Fushata zgjedhore është në ditët e fundit të saj dhe është ende e paqartë nëse Republikanët do të vazhdojnë të kontrollojnë të dy dhomat e Kongresit, duke i lejuar administratës vazhdimin me përforcimin e procedurave anti-emigracion./k.j
Burimi:Reuters