Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, pas njoftimit nga Gjykata Penale se nuk ka mundur ta gjejë ish-kryeministrin Nikolla Gruevski për t’i dorëzuar vendimin e burgosjes, pasditen e djeshme ka lëshuar fletë-urdhërin për arrestimin e tij.
“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore e Shkupit ka dhënë urdhër për arrestimin e Nikolla Gruevskit. Në datë 12.11.2018 në ora 16:30 gjykata dorëzoi urdhër-arrestin në Sektorin për Punë të Brendshme në Shkup.. Menjëherë pas dorëzimit, MPB-ja vepron sipas kërkesës.”, raporton Alsat.
Gjithsesi autoritetet policore nuk po munden të lokalizojnë ish-kryeministrin. Sipas mediave vendase, truprojat e tij shprehen se e kanë parë Gruevskin për herë të fundit mbrëmjen e të enjtes së 8 nëntorit. Mbi Gruevskin rëndojnë akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe blerjes për nevojat e qeverisë të një “Mercedesi” në vlerë rreth 600 mijë euro.
Javët e fundit, kanë qenë të shumtë deputetët dhe politikanët që janë larguar nga VMRO-DPMNE, partia e ish-kryeministrit, për tu distancuar nga qëndrimet e partisë kundër marrëveshjes së emrit por dhe akuzave për korrupsion për të tjerë zyrtarë të partisë.
Nikolla Gruevski është i pari politikan i të tillave përmasa në rajon, për të cilin kërkohet arrest me burg. Qeveria aktuale e Maqedonisë është zotuar për përparimin e vendit në fushën e integrimit europian dhe një nga kriteret kryesore të anëtarësimit është lufta kundër korrupsionit dhe zyrtarëve të korruptuar. /k.j

Shqipëria po plaket me një ritëm të shpejtë. Ndonëse në fillim të viteve ’90 kishim popullsinë më të re në rajon edhe në Europë, me moshë mesatare të popullatës 24 vjeç, llogaritë e Kombeve të Bashkuara mbi Perspektivat e Popullatës tregojnë se deri në 2060 mosha mesatare e popullsisë në vend do të jetë 48 vjeç.


