*Nga Kristi Pinderi
Kur dita e zgjedhjeve po afronte në verën e vitit 2009 nisa të dëgjoj për herë të parë në mbledhjet e G99 të flitej për zëvendësimet në administratë.
Në rastin më realist partia do të zgjidhte një deputet. Në një skenar më të mirë do të zgjidhte dy deputetë, një në Berat dhe një në Tiranë. Andej nga fundi i fushatës optimizmi ishte aq i madh sa shpresa se ndoshta mund të kishte edhe një kandidat të tretë në Elbasan ose ndoshta një në Vlorë që do të zgjidhej deputet u shndërrua gati në një bindje të cilën nuk e vinte në diskutim askush. Bindja ishte e tillë që jo vetëm do zgjidhnim 3 deputetë, por G99 do ishte faktori kryesor për ndërtimin e qeverisë, pra do merrte rolin e “King Maker”.
Në një nga këto ditë kur bëheshin llogaritë më optimiste në parti, dëgjova për herë të parë kryetarin të artikulonte diçka konkrete: “Do të na duhen”, tha, “që natën e parë 1000, 1500 vetë për të ndërtuar skuadrën në qeveri”. Dhe akoma më shumë njerëz, mendoja unë, natën e dytë, pastaj natën e tretë, e kështu me rradhë.
Kur u bë e qartë se jo vetëm nuk do të kishte 3 deputetë, por G99 nuk do të ishte fare në Kuvend ngaqë votuesit nuk kishin mundur të bënin dot dallimin mes saj dhe PS e për pasojë edhe ata votues të identifikuar si potencialisht të G99 kishin votuar, në fakt, Partinë Socialiste, mua nuk më shqitej nga mendja jo vetëm shifra e mijëra njerëzve të cilët kishin filluar të mos e vinin në dyshim se që javën e parë pas zgjedhjeve do drejtonin administratën e për pasojë edhe Shqipërinë, por sidomos lehtësia e një proçesi që në fakt, do të duhej të ishte pak më i komplikuar, më transparent, më përfshirës, e për pasojë më i vështirë. “1000, 1500 brenda natës së parë”, më kumbon akoma edhe sot e kësaj dite në vesh.
Lehtësia për të mbledhur pranë vetes një grup që mund ta kontrollosh, është e kundërta e përpjekjes për të ndërtuar komunitete. Të zëvendësosh brenda natës mijëra vetë të administratës së një vendi të vogël nuk do të thotë të marrësh pranë vetes skuadrat politike me të cilat do qeverisësh. Në fakt, më shumë se kjo, do të thotë të shpërblesh një grup besnik në kurriz të një grupi tjetër, të përjashtosh disa në mënyrë që të privilegjosh disa të tjerë, t’ua ndalosh mundësitë një grupi në mënyrë që t’i hapësh mundësi të reja një grupi tjetër. Aftësia për të patur këtë rol kaq vendimtar në jetët e njerëzve, të jep mundësinë t’i kontrollosh shumë më mirë ata.
M’u kujtua kjo kur pashë videon e një leksioni të arkitektit dhe urbanistit Winy Maas. Që të jemi të qartë, planifikimi urban nuk është vetëm një çështje e estetikës, por është mbi të gjitha një proces përfaqësimi. Planifikimi dhe zhvillimi urban, nuk është vetëm fushë e debateve të aftësive inxhinierike, as çështje e ngjyrave të fasadave, por është një mundësi për të diskutuar mbi mirëqënien e qytetarëve, mbi hapësirat e përbashkëta urbane, mbi shëndetin publik, mbi mjedisin.
Planifikimi dhe zhvillimi urban, të paktën ashtu si unë e kam kuptuar nga përvoja e gërmimeve arkeologjike si ish student në disa qytete romake apo dhe ilire, është një proces që lartëson komunitetin, jo detyrimisht ndërtesën; që e vendos bukurinë e gjeometrisë, të ngjyrave dhe të natyrës në funksion të komunitetit (në këtë rast të qytetit) dhe jo anasjelltas; që kujdeset për mirëqënien psikosociale sepse në një qytet nuk kanë rëndësi vetëm vendet e punës, arkitektura apo infrasktruktura, por edhe përvoja e jetuar. Sepse qyteti nuk është vetëm beton, xham, fasada, tulla e ngjyra, por edhe kujtesë e diçkaje të jetuar (studiuesit e quajnë këtë nëndarje të re psikologjia urbane, shumë e rëndësishme në fushën e psikologjisë por dhe e studimeve të shëndetit mendor).
Ka një tentativë në rradhët e pushtetit për të deklaruar se njerëzit e vet janë njerëz me shije dhe se ndryshojnë në këtë drejtim nga ata që dikur përbënin enturazhin e Partisë Demokratike. Ka thuajse një bindje të shprehur me zë të lartë se shijet e këtyre janë më të holla se shijet e atyre. Mund edhe të jetë e vërtetë por shijet në këtë rast, nuk hyjnë në punë për asgjë. Qyteti është një mundësi për të ndërtuar komunitete të shëndetshme e jo një fushë-hapësirë-telajo ku një piktor të derdhë ngjyrat që e pushtojnë dhe e mundojnë në nënndërgjegjen e vet e kështu i duhet ti nxjerrë nga vetja sepse përndryshe asfiksohet.
E për pasojë, duke qenë një fushë ndërdisiplinare dhe një temë për pjesëmarrje, planifikimi urban kthehet kështu në një çështje politike! Ku vendimet diskutohen me komunitetin, jo me klientin. Ku vendimarrja është transparente, e hapur, gjithpërfshirëse, demokratike, ndonjëherë edhe me demokraci të drejtpërdrejtë përmes referendumeve, e jo mes një piktori dhe një arkitekti pas një darke larg syve të publikut. E si çdo gjë tjetër në demokraci, nuk ka rëndësi vetëm dizajni, as kombinimi i ngjyrave e as estetika që në thelb mbetet gjithnjë subjektive. Më shumë se çdo gjë tjetër ka rëndësi procesi.
Përndryshe nuk kanë çfarë na duhen zgjedhjet, as këshillat, as përfaqësuesit në nivel qëndror e lokal, as ligjet, as Kuvendi (ai që përfaqëson jo ai që legalizon vendimet e kryeministrit), as media, as kontrollet, as rregullatorët, as gjykatat, asgjë e askush nga këta që garantojnë procesin.
Ashtu, do të na mjaftonin 1000-1500 njerëzit e kryetarit, i cili i gjen aq lehtësisht.
Brenda natës së parë në pushtet…
*Autori ka punuar, ndër të tjëra, Drejtor i Komunikimit në Lëvizjen MJAFT e më pas në zyrën e shtypit të G99
Banorët e tri fshatrave në Fushë – Bulqizë protestuan sot kundër prerjes së pyjeve në zonat ku banojnë. Të mbledhur përpara bashkisë së qytetit ata kërkuan ndalimin e koncensionit për shfrytëzimin e masivit pyjor “Sheshe Bulqizë”.
Ata e kundërshojnë prej 3 vitesh këtë me pretendimin se kjo është e vetmja zonë pyjore e mbetur e virgjër në Bulqizë duke shtuar se nisma bie ndesh me moratoriumin e shfrytëzimit të pyjeve dhe sot dolën për t’i kërkuar Bashkisë të marrë parasysh kërkesat e tyre.
“Për bashkinë Bulqizë, pylli duhet të pritet sepse i ka kaluar mosha e vjeljes dhe është i tejplakur, dhe se një ndërhyrje e tillë i shërben pyllit për gjendjen e tij higjeno-sanitare, shëndetësuese dhe ripërtëritëse. Institucionet shtetërore dhe ato vendore janë vënë në shërbim të një firme private që kërkon të bëjë biznes në kurriz të jetës së këtyre banorëve”, thuhet në njoftimin e protestës.
Në 26 janar të këtij viti, Këshilli Bashkiak i Lushnjes vendosi t’i akordojë 100 mijë lekë nga fondi rezervë autorit Bashkim Xhafa për botimin e një libri.
Titulli i këtij libri “Dashuria e një Jevge”, u konsiderua diskriminues nga aktivistët e Lëvizjes Rinore Egjiptiane dhe Rome (LRER), të cilët dërguan një ankesë pranë Komisionerit Kundër Diskriminimit.
“Ne kërkojmë të mos lejohet botimi me këtë titull. Përdorimi i kësaj fjale të zhargonit dhe jo të termit zyrtar për komunitetin egjiptian në titullin e librit, në këndvështrimin tonë përbën diskriminim”, ka thënë për Historia Ime Besnik Bodurri nga LRER në janar të këtij viti.
Këshilli Bashkiak anulon vendimin për botimin, por jo për shkak të diskriminimit:
Prefektura e Fierit e vlerësoi si shkelje përdorimin e fondit rezervë të bashkisë për botimin e një libri. Ndërsa më 20 Prill, Këshilli Bashkiak i Lushnjes mori vendimin për të anuluar përdorimin e fondit rezervë me qëllim financimin e librit “Dashuria e një jevge”.
Elida Gjermeni, Kryetare e Këshillit Bashkiak të Lushnjes në një deklaratë për BIRN një ditë më parë, tha se ka qenë kundër financimit të këtij libri, por jo për shkak të fjalës “jevg” e cila sipas saj është “fjalë që e përdorim dhe nuk mund të themi se diskriminojmë”.
Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome: “Jemi të kënaqur që u anulua financimi”
“Pas ankesës dhe veprimit të Komisionerit këshilli bashkiak Lushnje vendosi anulimin e vendimit për financim të librit. Pavarësisht se nuk provohet lidhja direkte midis ankesës dhe anulimit të vendimit, ne jemi të kënaqur që u anullua financimi i librit me titull “Dashuria e një jevge”, tha për Historia Ime Besnik Bodurri nga LRER.
Termi “jevg” përbën një etiketim diskriminues dhe pezhorativ ndaj komunitetit egjiptian. Shpesh politikanë si Ben Blushi, Senida Mesi dhe personazhe publik si Henri Çili e kanë përdorur këtë term diskriminues gjatë deklaratave të tyre publike.
Ka pasur raste kur pas deklaratave kanë kërkuar ndjesë drejtuar komunitetit Rom, duke bërë që aktivistët të ndihen edhe njëherë të fyer për shkak të mungesës së dallimit midis komuniteteve Rome dhe Egjiptiane.
/l.k./
Aktivistë për mbrojtjen e kafshëve protestuan sot përpara Bashkisë së Tiranës. Nën thirrjet “vrasja nuk është zgjidhje”, ata i kërkuan institucioneve të ndalojnë zhdukjen e qenve endacakë.
Protesta vjen pas investigimit të publikuar në media, ku punonjës të Bashkisë Tiranë shfaqen duke depozituar kufomat e kafshëve të vdekura nga klinika për trajtimin e tyre drejt landfillit të Sharrës.
Qytetarët mbanin në duar qese të zeza me fotografitë të kafshëve për të cilat më parë kujdeseshin, por që tani janë zhdukur ose vrarë nga punonjësit e Bashkisë.
Video: Protesta në Tiranë kundër vrasjes së kafshëve endacake
“Është e tmerrshme, në asnjë vend të botës nuk ndodh që tjetër shfaqesh e më pas shkon i vret andej mbrapa. Nuk është vrasja zgjidhja, nëse vret një kafshë ke vrarë edhe jetën e shumë njerëzve të cilët janë shumë të ndjeshëm ndaj tyre” tha një prej aktivistëve gjatë protestës.
Ambientalisti Sazan Guri, paraqiti në emër të protestuesve katër kërkesat kryesore drejtuar institucioneve:
Aktivistët e nismës “Animal Rescue Albania”, publikuan një ditë më parë një tender të Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit (AMK), ku tregohej se ishin blerë 230 shishe prej 50ml me një preparat që përdoret eutanazi, e me të cilin pretendojnë se janë vrarë kafshët e rrugës. Në postim aktivistët shtojnë se mjaftojnë 5 ml nga ky preparat për të vrarë një qen.
“230 shishe euthasol, le të na thotë në facebook për cfarë i ka vetëm aty mund t’i flasim, sepse derën e ka të mbyllur edhe pse punonjësit janë brenda”, tha një prej aktivistëve gjatë protestës.
/l.k./
“Ne vetëm një ditë, menaxhimi i vetëm një qeni rruge na kushton 50 euro”, tha dy ditë më parë kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj në emisionin “5 Pyetje nga Babaramo”.
“Kostoja e sterilizimit, vaksinimit dhe mbajtjes tre ditë në spitalin e kafshëve”, u korrigjua më pas Veliaj duke shtuar se Tirana ka 15.000 qen dhe e ftoi gazetarin të llogariste kostot.
Koston e trajtimit të qenve të rrugës, Veliaj e përmendi si një nga shumë shpenzimet e Bashkisë, që sipas tij mund të mbulohen vetëm duke taksuar ata që ndërtojnë kulla në Tiranë.
Por, një investigim i shoqatës për mbrojtjen e kafshëve ARSA dhe ambientalistit Sazan Guri, i publikuar dje në emisionin “Stop”, tregoi një realitet të ndryshëm nga ai që përmendi Veliaj për kafshët e rrugës.
Klinika e Bashkisë, institucioni që ka marrë përsipër mbrojtjen e tyre duket se është kthyer në “Aushvicin” e qenve endacakë.
Një kamionçinë e bashkisë, e mbushur me qese të zeza plehrash, dhe brenda tyre trupat e pajetë të qenve endacakë, të cilët sipas z. Sazan Guri janë injektuar me acid baterish në klinikën veterinare të bashkisë. Kufomat e tyre shiheshin qartë në video se si po dekompozoheshin në ajër të hapur, pasi landfilli nuk është i mbuluar.
Mirë që nuk kanë respekt për kafshët, të cilat minimumi duhet të groposeshin, por këtu mungon edhe kujdesi ndaj njerëzve. Nëpërmjet këtyre kufomave mund të përhapen shumë sëmundje. Sipas Z. Guri, Tirana ka pasur 11.000 qenë endacakë, dhe sot pas kësaj fushate shfarosjeje, numërohen diku tek 200 – 300 qenë endacakë.
Ndërkohë, vetë kryebashkiaku i Tiranës, Z.Erion Veliaj në Konferencën Botërore të shëndetit të kafshëve në vitin 2016, në kuadër të Ditës botërore për kafshët e rrugës ka thënë se vrasja apo helmimi i tyre nuk është zgjidhje.
Ai ka këshilluar edhe qytetarët e thjeshtë që zgjidhjet e shpejta(d.m.th. vrasja apo helmimi), që në dukje të japin idenë e parë sikur mbarojnë punë dhe e zgjidhin këtë problem, janë totalisht joproduktive.
Tani na ka mbetur edhe një pyetje e fundit për zotin kryebashkiak, sa shkon kostoja helmit dhe transporti deri në landfillin e Sharrës për një qen?/A.A.
Gazetari dhe aktivisti turk, Murat Celikkan mori ditën e enjte çmimin “Mbrojtësi i të Drejtave Civile 2018”. Ceremonia u zhvillua në Stokholm (Suedi), si pjesë e “Defenders Days” një prej konferencave më të mëdha botërore, e organizuar nga Civil Rights Defenders ku morën pjesë rreth 200 mbrojtës të të drejtave të njeriut nga e gjithë bota.
“Ishte një ceremoni e mrekullueshme, Murat Celikkan nga Turqia ishte një marrës vërtet i mirë i çmimit për Mbrojtësin e të Drejtave të Njeriut 2018. Ai është me të vërtetë një mbrojtës i shquar i të drejtave të njeriut në Turqi, ku po bën një punë të mrekullueshme”, tha për Historia Ime John Stauffer ushtrues i detyrës së drejtorit ekzekutiv të Civil Rights Defenders.
Në një intervistë për Historia Ime, Murat Celikkan tha se është i nderuar për çmimin që ka marrë, duke dhënë edhe një mesazh për aktivistët pjesëmarrës në këtë aktivitet: “Shumica e njerëzve në sallë mund ta kishin marrë çmimin, ata e meritojnë atë. Puna për të drejtat e njeriut është një punë kolektive. Ajo që ju bëni në Shqipëri ndikon në atë që unë bëj në Turqi dhe në mbarë botën për familjen e mbrojtësve të të drejtave të njeriut.”
Kush është Murat Celikkan:
Ky film i shkurtër tregon historinë Murat Celikkan, një gazetar dhe aktivist që pavarësisht rreziqeve të mëdha personale, punon për respektimin e të drejtave të njeriut në Turqi, në një kohë kur vendi po vuan nga tendenca të forta autoritare dhe ku kritikët e regjimit klasifikohen si terroristë, tradhtarë dhe dënohen me burg.
Murat Celikkan angazhohet për më shumë se 30 vite në lëvizjen për të drejtat e njeriut në Turqi si themelues i organizatës “Truth and Justice Memory Center”.
I pyetur nga Historia Ime mbi rëndësinë e këtij çmimi për të, Celikkan tha:
“Sigurisht që është e rëndësishme të marrësh një çmim, por gjëja më e rëndësishme është mirënjohja për punën e mbrojtësve të të drejtave të njeriut në Turqi. Në një vend ku nuk ka vetëm shkelje, por edhe njerëz që ende luftojnë për të drejtat e njeriut”.
Celikkan u dënua me 18 muaj burg me akuzat e mbështetjes së aktiviteteve terroriste për shkak se mori pjesë në një fushatë mbi fjalën e lirë. Ai është një prej zërave më të fuqishëm kundër politikave represive në Turqi.
I pyetur nga Historia Ime se sa e vështirë është të jesh gazetar dhe aktivist në të njëjtën kohë ai tha:
“Ne nuk jemi vetëm një gjë, mund të jesh gazetar, mund të jesh aktivist, mund të kesh mendimet e tua politike e të jesh aktiv për to deri në një farë mase apo mund të preferosh një tjetër identitet gjinor. Të gjitha këto janë pjesë e asaj që ne jemi. Gjëja më e rëndësishme është të mos i përziesh. Nëse mund ta mbrosh paanshmërinë si gazetar, po, mund të jesh aktivist, madje është më mirë të jesh aktivist. Sepse ka diçka që quhet gazetari për të drejtat e njeriut”.
Çfarë është çmimi “Mbrojtësi i vitit i të Drejtave Civile”?
Që nga viti 2013, Civil Rights Defenders jep çdo vit një çmim për një aktivist të shquar të të drejtave të njeriut që, pavarësisht rreziqeve për sigurinë personale, punon për të siguruar që të drejtat civile dhe politike të njerëzve të njihen dhe të mbrohen. Aktivistë si Natasa Kandic nga Serbia, Ales Bialiatski nga Bjellorusia, Nguyễn Ngọc Như Quỳnh nga Vietnami, Intigam Aliyev nga Azerbaxhani dhe Edmund Yakani nga Sudani, kanë qenë marrësit e këtij çmimi më parë.
“Puna e mbrojtësve të të drejtave të njeriut është fantastike dhe e domosdoshme në shoqërinë e sotme. Për të ndërtuar një botë më të mirë për të gjithë në, mbrojtësit e të drejtave të njeriut janë vendimtarë dhe duhet të vazhdojnë punën vërtet të mirë që bëjnë” tha për Historia Ime John Stauffer nga Civil Rights Defenders.
/l.k./
Naftëtarët e Ballshit, të papunë prej një viti dhe ende pa marrë pagat e prapambetura janë rikthyer në protestë.
Sipas protestuesve, një kompani e panjohur private ka marrë nën administrim Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, duke mos njohur asnjë nga detyrimet e mëparshme që uzina i ka naftëtarëve.
Kompania e quajtur Bylis Energy ka nisur të firmosë kontrata individuale me një pjesë të punonjësve (rreth 150), në një mënyrë që është cilësuar e paligjshme nga Presidenti i Konfederatës së Sindikatave Taf Koleci.
Në këtë video shihen momentet kur naftëtarët kanë shpërthyer portat e uzinës duke u përleshur me policinë private që ruan objektin:
Pasi kanë hyrë në ambientet e uzinës, naftëtarët janë konfrontuar fizikisht me administratorin e kompanisë Bylis Energy, i cili është larguar nën mbrojtjen e forcave të sigurisë.
Tre kërkesat e protestuesve janë:
Pasi kanë hyrë në ambientet e uzinës, protestuesit i kanë bërë thirrje kolegëve të kontraktuar nga firma që të ndërpresin punën dhe të bashkohen me protestën.
/l.k./
Mesditën e djeshme u testuan sportelet që do të shërbejnë për pagesën e taksës së Rrugës së Kombit. Duke filluar nga java e ardhshme çdo automjet që do të kalojë në këtë rrugë do të paguajë një tarifë që varion nga 2.5 deri në 22.5 euro.
Taksa 5-fish më e lartë se propozimi i strategjisë së tarifimit të rrugëve:
Top Channel, raportoi sot se kjo taksë është katër herë më e lartë se rekomandimi i kompanisë që qeveria shqiptare pajtoi për të bërë strategjinë mbi tarifimin e rrugëve në Shqipëri.
Sipas raportit konfidencial të Egnatia Odhos, çmimi maksimal i përballueshëm nga familjet shqiptare është 3.5 euro për 100 kilometër. Por ky është tavani më i lartë i mundshëm. Ndërsa tarifa optimal e rekomanduar nga konsulenti është 1 deri në 2.5 euro për 100 kilometra.
“Nisma Thurje” qytetarët paguajnë dy taksa për mirëmbajtjen e rrugëve:
Një tjetër shqetësim ka ngritur “Nisma Thurje”, duke ri publikuar një video të dy viteve më parë që tregon se shqiptarët paguajnë dy taksa vjetore, ku përfshihet edhe mirëmbajtja e rrugëve. Përkatësisht taksa mbi karburantet dhe taksa e përvitshme e regjistrimit.
Taksa e vendosur në Rrugën e Kombit, shqetësuese për institucionet dhe bizneset edhe në Kosovë
Ndër zërat e parë kritikë ishte ai i ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili e bëri të qartë se do t’i kërkonte sqarime homologut shqiptar, Damian Gjiknuri.
“Sa i përket çmimit për taksën, në kuptimin afatshkurtër është i shtrenjtë. Kjo do të sillte rënien e remitencës në të dyja anët e kufirit, meqenëse Shqipërinë, kryesisht në verë e frekuentojnë çdo ditë shumë qytetarë të Kosovës. Është moskoordimin me qeverinë e Kosovës, për këtë arsye nuk e përkrahim. Me siguri që biznesi penalizohet”, tha Pal Lekaj.
Rreth 50 biznese të ndërtimit nga Kosova kanë vendosur që ta bojkotojnë “Rrugën e Kombit” pas tarifave për kalimin e autostradës të vendosura nga Qeveria Shqiptare
“Të gjitha këto pengesa dhe tarifa, çojnë në humbje të perspektivës dhe zhvillimit të mëtejshëm të tregtisë në këto hapësira shqiptare”, tha për Klan Kosova përfaqësuesi i këtyre bizneseve Jetmir Bytyçi
/l.k./
Në kuadër të projektit Mendo Politikisht është analizuar qasja ndaj çështjeve të komunitetit LGBTI në programet e disa prej partive që do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.
Partitë e përzgjedhura janë: Partia Demokratike, Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet, Partia Republikane, Lista e Barabartë, Sfida për Shqipërinë, Partia Bashkimi Demokristian Shqiptar.
Çfarë është nisma “Mendo Politikisht”?
“Mendo Politikisht” synon të inkurajojë komunitetin LGBTI të marrë pjesë në zgjedhjet e vitit 2017, i pajisur me informacion të detajuar mbi qëndrimet që partitë politike kanë mbi çështjet e këtij komuniteti. Sipas studimeve botërore 2 – 12% e popullsisë së një vendi i përket komunitetit LGBTI. Të dhënat zyrtare të KQZ tregojnë se në zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri numri i votuesve të regjistruar ishte 3.271.885 nga të cilët rreth 110.000 janë pjesëtarë të komunitetit LGBTI.
Çështjet LGBTI në programet e partive PS, LSI dhe LIBRA
Fillimisht duhet thënë se në këtë fushatë elektorale, pjesa më e madhe e partive nuk kanë publikuar programe të mirëfillta. Nga monitorimi i realizuar në kuadër të projektit “Mendo Politikisht”, rezulton se në faqet zyrtare të partive gjenden të dhëna si statuti, qëndrime dhe plane në lidhje me çështje të ndryshme, por jo programe të plota politike.
Lëvizja Socialiste për Integrim
Në faqen zyrtare të LSI janë publikuar një program për arsimin dhe një plan për zhvillimin ekonomik.
Në sesionin “Pasqyrë e Aktualitetit Shqiptar” të programit të LSI për arsimin, pasqyrohen kritika rreth gjendjes aktuale të institucioneve dhe politikave arsimore. Programi përmend përciptazi çështje të të drejtave të njeriut kur premton shanse të barabarta në arsim dhe mbështetje për komunitetin rom. Por në këtë program mungon vizioni për t’i bërë shkollat një ambient të sigurt dhe të mbrojtur nga fenomeni i bullizmit, që do të ishte një çështje me rëndësi për të rinjtë LGBTI.
Nëse do të marrim në analizë qëndrimin e LSI ndaj çështjeve të komunitetit LGBTI në këtë 4-vjeçar, vlen të përmendet se ish-Ministri i Drejtësisë i propozuar nga LSI Z. Nasip Naço, ka bllokuar nismën e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për të amenduar nenin 163 që ripërkufizon konceptin e bashkëjetesës në Kodin e Familjes. Edhe pse në jurisprudencën ndërkombëtare dhe në Kushtetutën e Shqipërisë e drejta për jetë familjare (jo përkufizimi për martesën) është një e drejtë themelore e njeriut, qëndrimi i Ministrit Naço ishte se kjo e drejtë e njeriut “nuk është prioritet”.
Aleanca LGBT dhe Pro LGBT, në kuadër të projektit “Mendo Politikisht”, i kanë dërguar Lëvizjes Socialiste për Integrim një kërkesë për informacion rreth qëndrimeve dhe parashikimeve për çështje të ndjeshme për komunitetin LGBTI si: e drejta për bashkëjetesë, e drejta për akses të barabartë në shëndetësi për komunitetin transgjinor, angazhimi për implementimin e Planit Kombëtar për personat LGBTI 2016-2020, masat parandaluese për dhunën në familje, politikat kundër diskriminimit në sistemin arsimor dhe ambientet e punës etj.
Kjo kërkesë ende nuk ka marrë një përgjigje nga ana e kësaj force politike.
Partia Socialiste

Në faqen zyrtare të Partisë Socialiste programi i fundit i publikuar është i ndarë në 4 kapituj: Rimëkëmbje e Ekonomisë, Ripërtëritje Shoqërisë, Rivendosje e Demokracisë dhe Ribashkim me Evropën. Një tjetër rubrikë e quajtur “Reformat” paraqet në mënyrë të përmbledhur përmes broshurave, informacion mbi reformat e ndërmarra në këtë 4-vjeçar, megjithatë duhet thënë se të dhënat në faqen “Programi” në shumë raste janë të ngjashme me ato vitit 2013.
Në sesionin “Ripërtëritja Shoqërore” të këtij programi theksohet ofrimi i shërbimeve publike cilësore pavarësisht orientimi seksual.
Në rubrikën “Reformat” të publikuar në faqen e saj zyrtare ka listuar angazhimin dhe zotimet për rininë. Mes tyre përmendet fuqizimi i Zyrës së Komisionerit kundër Diskriminimit, nxitje për edukimin dhe punësimin e të rinjve romë, por nuk ka asnjë angazhim specifik drejtuar të rinjve LGBTI.
Në një takim me përfaqësues të partisë socialiste, aktivistët për të drejtat e komunitetit LGBT u informuan se në programin e ri të Partisë Socialiste janë integruar terminologji dhe politika të reja kundër diskriminimit si koncepti i “punësimit të ndershëm” i cili nënkupton mos diskriminimin në paga dhe trajtim të barabartë në vendin e punës. Si edhe plani për të krijuar 61 qendra për këshillimin e karrierës dhe strehëza për fëmijët e abuzuar në secilën nga njësitë vendore, nga të cilat mund të përfitojnë edhe të rinjtë LGBT.
Lista e Barabartë (LIBRA)

Në Manifestin e publikuar në faqen zyrtare të kësaj partie thuhet: “LIBRA nuk paragjykon askënd për shkak të etnisë, gjinisë, pasurisë, moshës, përkatësisë fetare, orientimit seksual apo bindjeve të mëparshme politike dhe do të inkurajojë dhe nxisë mendimin ndryshe në të gjithë veprimtarinë e saj politike”.
Në kuadër të projektit “Mendo Politikisht”, aktivistët për të drejtat e komunitetit LGBTI zhvilluan një takim me përfaqësuesen e LIBRA, Mimoza Hafizi. Ajo u shpreh se LIBRA e ka vendosur barazinë mes njerëzve në themelin e organizatës.
Hafizi i konsideron të drejtat e komunitetit LGBTI si një çështje themelore, qëndrimet rreth të cilës duhet të mbahen me votim anëtarësie. Ajo u shpreh e gatshme për të nisur një debat me 12.000 anëtarët e LIBRA, ku të përqasen argumentet dhe të votohet mbi qëndrimet për çështjet me rëndësi për komunitetin LGBT.
Me rastin e Krishtlindjeve Institucioni i Presidentit të Republikës ka hapur sot dyert për publikun për të parë nga afër kopjen e Mesharit të Gjon Buzukut, libri i parë në gjuhën shqipe i botuar në vitin 1555.
Kjo vepër e rrallë, me vlera historike dhe kulturore, u bë dhuratë nga Ati Shenjtë, Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Tiranë më 21 shtator 2014.
Interesimi i vizitorëve që duan të shikojnë nga afër këtë libër ka qenë i madh. Këshilltari për Trashëgiminë Kulturore i Presidentit, Ols Lafe thotë se vetëm 30 minuta, pasi janë hapur dyert e institucionit, numërohen mbi 500 vizitorë që janë ndalur për të parë kopjen e rrallë.
Vepra e Mesharit, tha ai, qëndron e hapur në një faqe të veçantë të tij që lidhet me ritualin e Krishtlindjeve. Meshari është një vepër liturgjike që përmban në vetvete informimin mbi besimin fetar, mbi festat e ndryshme apo mbi shenjtorët. Dy boshtet kryesore të saj janë Krishtlindjet dhe Pashkët, thotë Lafe.
Pas vizitës së Papës më 21 shtator u mendua që kremtimi i Krishtlindjeve, do të ishte momenti më i përshtatshëm që publiku të njihej me këtë vepër të rrallë. /gj.k/ Marrë nga Tema
Këto shtëpi të vogla janë vendosur sot nga aktivistët e komunitetit Rom për të kundërshtuar prishjen e banesave të tyre në kuadër të ndërtimit të Unazës së Madhe.
Për më shumë rreth protestave Rome kundër prishjes së banesave klikoni këtu:http://historiaime.al/
Foto nga: #FrancZhurda/LSA
Deputetja e Partisë Demokratike Mesila Doda, thyen vendimin politik të opozitës dhe vendos të jetë në Parlament për të mbrojtur nismën e hapjes së dosjeve të regjimit komunist.
Ndërsa dorëzoi në Kuvend draftin për Ligjin e Lustracionit, deputetja Doda i bëri apel kolegëve të saj të djathtë që të vijnë në Parlament dhe ta votojnë këtë nismë. Apeli i deputetes Doda erdhi pasi u pyet nga gazetarët se di do ta mbrojë këtë nismë në kushtet kur opozita është në bojkot parlamentar prej muajit Korrik.
Mesila Doda nën shoqërinë e kreut të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, pjesë e koaliconit opozitar, dorëzuan në kryesinë e Kuvendit projektligjin e Lustracionit në mbështetje të nismës së shoqërisë civile.
Por Edi Paloka ka komentuar se “kete e bejne marionetat e Edi Rames per te zhurmuar problematiken e keq-qeverisjes”.
Historiaime.al është një zë i pavarur në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ne raportojmë si për shkeljet e të drejtave të njeriut ashtu edhe për histori njerëzore që i promovojnë këto të drejta. Ky projekt synon të ndryshojë qëndrimet jo fort etike karshi të drejtave të njeriut nga ana e medias kombëtare si ajo e shkruar, ashtu edhe ajo vizive dhe media e re online.