Festimi i Një Dekade Qëndrese: 10 Vjet të Strehës së Parë LGBT në Shqipëri

Në një moment të mbushur me nostalgji, mirënjohje dhe shpresë, aktivistë, aleatë dhe anëtarë të komunitetit LGBT u mblodhën në një prej bareve të Tiranës për të festuar 10-vjetorin e strehës së parë LGBT në Shqipëri dhe Ballkan.
E themeluar në vitin 2014, “Streha” u bë një dritë shprese për të rinjtë që përballeshin me refuzim, dhunë dhe diskriminim nga familja dhe shoqëria. Ajo ofroi më shumë se një çati mbi kokë—u dha një mundësi për të shëruar “plagët” e tyre, për tu rritur dhe për të ëndërruar sërish. Për shumë prej tyre, “Streha” ishte dallimi mes dëshpërimit dhe mundësisë, mes padukshmërisë dhe një jete të vërtetë.
Rruga e strehës nuk ishte pa pengesa. Aktivistët kujtuan ditët e para kur sigurimi i fondeve, tejkalimi i stigmës dhe madje garantimi i sigurisë së banorëve dukej si një sfidë shumë e vështirë. Megjithatë, këto pengesa u përballuan me vendosmëri.
Gjatë bisedimeve u kujtua se sa i vështirë ishte viti i parë. Se sa shumë duhej të luftonin për çdo burim, të përballeshin me paragjykimet shoqërore dhe të provonin domosdoshmërinë e një strehe të tillë.
Aktivistët theksuan nevojën për mbështetje të vazhdueshme, sidomos pasi komuniteti LGBT në Shqipëri ende përballet me sfida të konsiderueshme shoqërore dhe institucionale.
Gjatë viteve, streha u bë një qendër fuqizimi, duke ofruar më shumë se një vend të sigurt për të qëndruar. Banorët përfituan nga këshillimi psiko-social, mundësitë arsimore dhe programet e trajnimit profesional, asistenca juridike dhe shumë shërbime të tjera.
Ky përvjetor përfshiu fjalime prekëse, muzikë dhe një performancë nga një drag queen që e ngriti shpirtin festiv në maksimum.
Ndërsa “Streha” hyn në dekadën e saj të dytë, trashëgimia e saj shërben si një dëshmi e fuqishme e ndikimit të dhembshurisë dhe veprimit kolektiv. Për ata që kanë qenë pjesë e udhëtimit të saj, gëzimi i dhënies së shpresës mbetet shpërblimi më i madh.
Edhe 100 “Streha”.
Edlira Mara