Guximi i munguar

Dua të ndaj një histori të ndodhur vite më parë, nga e cila ruaj një melankoli e sa herë më vjen ndërmend, përlotem. Isha në fazën e adoleshencës dhe kisha kuptuar që më pëlqenin vajzat. Aso kohe nuk flitej aspak për pëlqimet dhe marrëdhëniet seksuale mes së njëjtës gjini ndaj dhe ishte e vështirë të gjeje informacion, të flisje me njerëz të afërt. Në klasën time ishte një vajzë që më pëlqente shumë por unë isha aq e pasigurtë dhe e frikësuar për ndjenjat e mia sa nuk guxoja ta çoja nëpër mend për t’i folur asaj. I trembesha reagimit të saj, i trembesha moskuptimit, përgojimit që mund të vinte më pas. Por sado që përpiqesha të frenoja veten sa herë isha pranë saj skuqesha deri në rrëzë të veshëve dhe ndjeja një zjarrmi të më kaplonte trupin.
E kështu koha kalonte dhe unë nuk ndërmerrja asnjë hap. Viti shkollor u mbyll, filluan pushimet. Ditët e nxehta të verës i kaloja duke menduar për të. Mungesa e saj më bëri që të merrja një vendim. Sapo të rifillonte shkolla kisha vendosur ti shprehja çfarë ndjeja. Aq shumë m’u ngulit kjo ide sa ishte e pamundur të qetësohesha. Dhe ja, viti shkollor riflloi. Dita e parë, unë dhe guximi im i çartur shkelëm në oborrin e shkollës. Mes shokëve e shoqeve që po takoja, kërkoja me sy atë. Nuk dukej askund. U zbeha, guximi më la dhe frika e mallkuar triumfoi. Mendja po më punonte njëqind dredhi e mendime të zymta. Mos vallë nuk vinte më? Mos e kishte kuptuar dhe më shmangej? Mos ishte e sëmurë? Mos…?
Në klasë hyra thuajse duke u zvarritur. Vendi i saj ishte bosh. Njëlloj si zemra ime. Mësuesja kujdestare pas fjalimit për fillimin e vitit të ri shkollor, bëri një hyrje të shkurtër ku ndër të tjera përmendi faktin se dy prej nxënësve të klasës ishin transferuar me familjet në kryeqytet. Njëri prej nxënësve ishte dhe ajo. Sapo dëgjova emrin e saj një lëmsh m’u mblodh në stomak dhe klasa më erdhi rrotull. Mallkova veten dhe guximin tim të munguar. Ashtu përhumbshëm, me sy të përlotur, dola nga klasa mes thirrjeve të mësueses dhe shokëve. Në djall të gjithë, unë e para!
Anais