Jetmir Idrizi me TransBrasil në listën e finalistëve të Sony World Photography Awards
TransBrasil është një projekt që vazhdon, gjithmonë me idenë për tu thelluar në identitetet gjinore nga perspektiva e fotografisë dokumentare. Jetmir Idrizi, fotograf nga Kosova, këtë hulumtim di ta bëjë mrekullisht. Një qasje të tillë, me anë të dokumentimit dhe fokusit të aparatit të tij, ai e sjell nga Brazili, atje ku ai punon tashmë prej disa kohësh.
Idrizi në fotografitë e tij paraqet kështu personat queer, dhe identitetin e mënyrën e tyre të jetesës në trajta të ndryshme. Fustanet, ahengjet, sjelljet, qëndrimi i këtyre personave në një shtet që nuk ka vetëm pozitivitet.
E pikërisht ky cikël i fotografive ka bërë që Idrizi të nominohet në Campaign Shortlist në Sony World Photography Awards nga World Photography Organisation, në garën kryesore krahas edhe shtatë fotografëve të tjerë nga bota.
“Ndihem shumë krenar që më në fund puna ime është duke u vlerësuar ndërkombëtarisht e posaçërisht me një projekt të tillë që flet për identitetin gjinor, një temë që në Kosovë shumë pak ose pothuajse hiç nuk është prekur” tregon Idrizi.
Ideja e kategorisë Campaign Shortlist është sidomos rritja e vetëdijes për probleme të ndryshme.
Fituesit e të gjitha kategorive tjera do të shpallen në muajin prill kur edhe do të mbahet ekspozitë në Sommerset House në Londër./A.A.