Lufta e papërfunduar e LGBTI
OPINION I SE DIELES*
Ka disa zhvillime në lidhje me LGBTI, të formësuara e të konsumuara këto dy javët e fundit.
Brenda vetë lëvizjes LGBTI u formuluan publikisht kritika që konfirmuan se mes vetë lëvizjes ka mendime të ndryshme dhe se askush nuk ka pse të pretendojë të kundërtën.
Dikush u shpreh se nuk është dakort që të shpenzohen lekë për një shërbim si shelteri rezidencial STREHA; të tjerë iu përgjigjën se këto reagime i bën nga xhelozia e të mos qënit protagonist, etj.
Dikush tjetër u shpreh i shqetësuar pse çmimet Aleati i Vitit u dhanë brenda ambienteve të COD, me frikën se kjo cënon pastërtinë e kauzës apo se kjo mund të legjitimojë një projekt mirëfilli propagandistik të kryeministrit, siç cilësohet COD nga shumë vetë, ndoshta nga shumica e artistëve apo qytetarëve të angazhuar.
Shumë vetë me autoritet në opinionin publik u shprehën të shqetësuar pse këtë vit, ndryshe nga vitet e tjera komuniteti transgjinor pati atë dukshmëri që pati. Disa evokuan kohën e Enver Hoxhës, mallkuan LGBTI që i detyroi të duan Enverin, etj.
Pati disa raste kur miq apo mbështetës të mirëfilltë të kauzës së LGBTI dhe drejtësisë së saj, menduan dhe u ndjenë në siklet sa herë që në këto dy javët e fundit u ulëm në të njëjtat tavolina, në të njëjtin ambient mondan me njerëz të pushtetshëm, që, përgjithësisht, nuk ua ndjen fare as për LGBTI as ndoshta për asgjë tjetër veç mirëqënies se tyre, luftës politike, betejës për pushtet, etj.
Sigurisht pati shkrime, reagime, mllefe e strese, histeri e frikë, herë kolektive, herë përmes rreshtave me autorë që kanë emër e mbiemër; patjetër që pati një vrull të jashtëzakonshëm fotosh në Facebook, komentesh, “like” e “share”, hatërmbejtje, shfaqje të mirëfillta hipokrizie, apo forma të sinqerta mbështetjeje, etj.
Por asnjëra nga këto më lart, nuk është në fakt, lajm.
Për mendimin tim, lajme këtë vit janë katër:
E para, si asnjëherë tjetër më parë lëvizjes për të drejtat e LGBTI dhe emancipimin e shoqërisë iu shtuan publikisht përmes dëshmive personale të tyre, njerëz e aktivistë të rinj, siç ishte rasti i coming out të themeluesit të HeadHunters Elton Ilirjanit, apo coming out i mbuluar me emocion në një emision televiziv i Arbër Kodrës, drejtues i një organizate LGBTI, apo guximi i jashtëzakonshëm për të marshuar në bulevard i Fabios, Lindës, Marselit, Lepurushes, Kleos, Serafinës, e dhjetëra e dhjetëra pjesëtarëve të komunitetit LGBTI në Shqipëri. Nuk ka asnjë rëndësi nëse quhet Pride apo Ride apo (P)Ride: Rëndësi ka guximi i atyre njerëzve në bulevard të cilët ishin më të shumtë se një vit më parë apo se 9 vetët që pedaluan në 2012!
Kur vrulli apo (për disa) flaka e këtyre javëve të jetë shuar, këta njerëz kurajozë do të mund të vlerësohen si kontributi kryesor që cështja LGBTI arriti këtë vit. Dhe këta njerëz do të kenë diçka me të cilën të krenohen.
Lajmi i dytë që u sfumua nga zhurma e faqeve rozë dhe shpejtësia e shfrenuar e gazetarëve të etur për zhurmë, por jo detyrimisht edhe për përmbajtje, ishte fakti që për herë të parë lëvizjes për të drejtat e LGBTI iu shtuan jo vetëm individë por mbi të gjitha nisma të reja.
Njëra prej tyre, indeksi që mat se si sillen bizneset private ndaj personave LGBTI, përfshirë të dhënat për diskriminimin e këtij komuniteti në ambientet e punës apo dhe të dhëna mbi protokollet e shkruara dhe të pashkruara që bizneset lokale kanë për të adresuar çështjen e diskriminimit, është një produkt shumë interesant që angazhon për herë të parë në Shqipëri jo pak, por mbi 70 kompani private. Për të cituar një pjesëmarrëse gjatë prezantimit të këtij indeksi, “rëndësia e tij ka të bëjë sidomos me faktin që ne njerëzit gjysmën e ditës e kalojmë në familje e gjysmën në punë. Deri më sot kemi folur për diskriminimin në familje e shoqëri por sot po flasim për herë të parë për gjysmën tjetër, diskriminimin në punë”.
Lajmi i tretë ka të bëjë me faktin që si asnjëherë tjetër më parë, rreth 20 evente të dedikuara këtë vit ndaj të drejtave të komunitetit LGBTI janë organizuar falë orëve, ditëve e javëve që kanë shpenzuar pa shpërblim financiar individë që nuk janë detyrimisht as gej as lezbike, as biseksualë, e as transgjinorë.
Tërësia e vëmendjes dhe suksesi i ngritjes së çështjeve LGBTI këtë vit erdhi pikërisht falë kontributit të jashtëzakonshëm të dhjetëra personave jo LGBTI, diçka që në këto nivele nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë në Shqipëri. Mjaft të përmendim që Galaja e bamirësisë për të mbledhur fonde për STREHEN u organizua nga këta individë e grupe apo, për t’ju përgjigjur edhe kritikëve të spotit aq shumë të debatuar me familjen lezbike: ai spot u prodhua tërësisht falë ofrimit dhe angazhimit vullnetar të një prej kompanive më serioze në fushën e komunikimit në Shqipëri.
Shumica e këtyre njerëzve, individëve, apo kompanive, u është dashur këto javët e fundit të përballen me valën e urrejtjes e të diskriminimit, njësoj si ne njerëzit LGBTI përballemi çdo ditë të vitit.
Dhe lajmi i fundit, jo detyrimisht është kaq definitiv. Por unë personalisht, besoj se mund të jetë qetësues për shumë njerëz që i shikojnë betejat tona vetëm nga Facebook: qëndrimi i politikës shqiptare nuk ndryshoi (a patë ndonjëherë prani publike dhe mbështetje mediatike të qeverisë në eventet e LGBTI përjashtuar eventin e mbyllur të bamirësisë në Pallatin e Brigadave?!), e qëndrimi i lëvizjes LGBTI ndaj politikës nuk ndryshoi.
Si mund të ndryshojë derisa qeveria vazhdon akoma të mos ketë një qëndrim publik ndaj LGBTI, të drejtës së çifteve gej për të jetuar marrëdhënien e tyre familjare të njohur nga ligjet e vendit?
Si mund të ndryshojë qëndrimi i LGBTI ndaj pushtetit teksa ky i fundit nuk e di akoma se si duhet të veprojë ndaj së drejtës së komunitetit transgjinor për të patur njohje ligjore të identitetit gjinor?
Si mund të ndryshojmë në qëndrimin tonë ndaj politikës, qeverisë në veçanti, pushtetit vendor dhe parlamentit kur akoma njerëzit si ne përzihen nga shtëpia e shteti nuk bën asgjë, por pret t’i bëjmë ne të gjitha? Edhe të lobojmë, edhe të ofrojmë shërbime, edhe të ndërgjegjësojmë, edhe të monitorojmë, edhe të inicojmë nisma ligjore?
Beteja kryesore, ajo e informimit, e ofrimit të shërbimeve, e ndryshimit të sjelljes së shtetit e të shoqërisë ndaj LGBTI, apo edhe beteja e dekriminalizimit social të LGBTI është ende e pamasë dhe ende aty, duke pritur të luftohet e të fitohet.
Ama kjo nuk ka pse na pengon të ulemi qetë për ca minuta e të ndihemi mirënjohës ndaj faktit që ne të gjithë, dikush me shumë e dikush me pak, po përpiqemi ta bëjmë më të mirë këtë vend.
*Kristi Pinderi