“10 vjet më parë! Të rinj, pa asnjë përvojë, pa as më të voglën e idesë se ajo që po bënim ishte një akt rezistence, festimi dhe përbashkimi. Mbaj mend shiun, gëzimin e jashtëzakonshëm që po mundeshim të zotëronim narrativën dhe historinë tonë pasi na kishin thënë gjithë jetën se ajo që jemi “është gabim”. Mbaj mend dhe Benet Kolekën me biçikletë, në atë trupin e tij masiv që ia doli ta përshkonte bulevardin të plotë, na arriti në metrat e fundit e na pyeti: si ndiheni? “Ia dolëm”, munda ti pergjigjem”- thotë Kristi Pinderi ndërsa kujton me nostalgji atë paradë të parë para 10 vitesh.
Këtë 10 vjetor, përveç aktiviteteve të tjerave, u organizua një ekspozitë emocionuese nga Aleanca LGBT e cila pasqyroi më së miri guximin dhe krenarinë e mbartur në vetvete nga gjithë aktivistët dhe pjesëtarët e komunitetit ndër vite.
Prindër e fëmijë, të rinj e të reja ishin pjesë e kësaj ekspozite që shfaqte marshimet e komunitetit LGBT ndër vite, ku me shumë guxim është ngritur zëri për atë që ata besojnë, për energjinë, jetën dhe të drejtën e dashurisë.
Me fjalë të bukura, e fjalë zemre ju themi thjesht, “Flije mendjen plako, ca njerëz janë GAY”. ~ shkëputur nga Parada e Krenarisë 2017./Anxhela Kokoshi