“Qielli po hapet” cikli i dokumentarëve për komunitetin LGBTI në Kosovë
Dokumentari “Qielli po hapet”/ “The sky is turning”
“Qielli po hapet”/ ”The sky is turning” është cikli i dokumentarëve me metrazh të shkurtër rreth komunitetit LGBTI në Kosovë dhe lëvizjes së tij. Dokumentarët janë perceptuar si një rrëfim personal i pjesëtarëve nga komuniteti LGBTI, aktivistëve si dhe filmime nga Parada e Krenarisë që u zhvillua në tetor të 2017.
Cikli përmban katër episode në total të fokusuar në tematika si: histori të pranimit të identitetit gjinor, histori refuzimi, histori aktivizmi si për shembull nga transgjinori Lendi Mustafa etj. Pjesë të rrëfimeve bëhen dhe anëtarë të komunitetit që kanë dëshiruar të mbeten të kamufluar gjatë rrëfimit të tyre. Të katër dokumentarët janë publikuar në kanalin e Youtube të revistës “Kosovo 2.0”.
“Nëse flasim për histori personale, mendoj se historia ime është pak më e lehtësuar pasi kur mendoj për historitë e shumicës së njerëzve që nuk e dinë ende se çfarë janë dhe nuk kanë për të qenë kurrë guximtar që t’ia pranojnë vetes” thotë Lendi Mustafa në episodin e parë.
Cikli i dokumentarëve u prodhua nga revista indipendente “Kosovo 2.0” me mbështetjen financiare të USAID në kuadër të projektit “Proactive Media for LGBTI rights”. Iniciativa të tilla rrisin vizibilitetin e komunitetit LGBTI në median kosovare./k.m/
Burimi: Kosovo 2.0