“Qendra Europiane” publikon raportin e monitorimit të gjykatave administrative

Organizata jo-qeveritare “Qendra Europiane” prezantoi javën e kaluar raportin “Monitorimi i gjykimeve administrative në gjykatat administrative të shkallës së parë dhe në Gjykatën e Apelit Administrativ Janar-Qershor 2018”. Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin Kryetarët e gjykatave administrative, anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor, përfaqësues nga Avokatura e Shtetit, avokatë, magjistratë të rinj si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Ky raport final u bë i mundur përmes raporteve të përmuajshme të përgatitura nga monitoruesit lokalë:
– Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, Durrësi, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Korçë;
– Gjykata Administrative e Apelit, Tiranë.
Ky raport vjen si produkt i projektit “Standardet e procesit të rregullt ligjor si kusht për funksionimin e shtetit të së drejtës” dhe është realizuar në kuadër të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, konkretisht: E drejta për proces të rregullt. Aspekte të tjera pjesë të monitorimit janë: aksesi në gjykata, kohëzgjatja e gjykimit të çështjes, mbrojtja me përfaqësues ligjor, arsyet për shtyrjen e seancave gjyqësore etj.
Në përgjithësi gjyqtarët dhe i gjithë stafi i gjykatave janë treguar mjaft bashkëpunues me monitoruesit dhe kanë treguar vullnet për tiu përgjigjur çdo pyetje apo kërkesë për informacion drejtuar nga ta.
Disa prej gjetjeve kryesore nga monitorimi janë:
-
Mungojnë facilitetet në gjykatat administrative duke e shndërruar gati në të pamundur aksesin nga persona të moshuar ose persona me aftësi ndryshe, kjo pasi godinat e këtyre gjykatave janë disa katëshe dhe të pa pajisura me rampa;
-
Ekzistojnë vetëm 1-2 salla gjykimi për çdo gjykatë, një numër ky mjafti i vogël duke imponuar zhvillimin e seancave në zyrat e gjyqtarëve.;
-
Informacioni në portalin online rreth çështjeve dhe seancave nuk përditësohet në kohë;
-
Tabelat informuese pranë hyrjes kryesore të gjykatave nuk janë të rifreksuara si dhe mungon një model i njehsuar me listat e seancave;
Monitorimi nuk është ndalur vetëm në identifikimin e problemeve, por edhe në propozimin e një pakete rekomandimesh/ sugjerimesh si:
-Rritja e numrit të gjyqtarëve të Gjykatës Administrative të Apelit;
– Përditësimin në kohë reale të portaleve online të gjykatave;
-Pjesëmarrje më aktive e palës së paditur gjatë proceseve gjyqësore;
-Përmirësimi i kapaciteteve të litiguesve mbi procesin gjyqësor administrativ;
–Ofrimi i trajnimeve vazhduese nga Shkolla e Avokatisë për avokatët e rinj dhe ata ekzistues;
-Mundësia e një ndryshimi ligjor të afateve kohore të parashikuara në ligjin për Gjykatat Administrative (LGJA), për gjykimin dhe vendimmarrjen në apel etj.
Ky raport dëfton për rëndësinë e punës së Qendrës Europiane në aspektin e përmirësimit të kushteve dhe shërbimeve që gjykatat ofrojnë./k.m/