FOTO/ Protestë para ekspozitës së Ramës në Mynih: Braktiseni siç bëri me ne
Komuniteti shqiptar në Gjermani e shoqëroi vizitën e Kryeministrit Rama me një sërë reagimesh negative. Kreu i qeverisë shqiptare realizoi një takim me Presidentin e Landit të Bavarisë dhe më pas iu përkushtua ekspozitës së tij me skicat që ka punuar në blloqe e fletore gjatë periudhës që ka qenë kryetar bashkie në Tiranë, por nuk takoi asnjë përfaqësues të komunitetit shqiptar.
Leonard Dedej nga lëvizja “REAGO” u revoltua nga mungesa e interesit që Rama tregoi ndaj refugjatëve shqiptarë që strehoen në kampet e azilantëve në Gjermani.
Për të dytën ditë rresht Dedej proteston përpara ambjentit ku zhvillohet ekspozita e Kryeministrit Rama, duke u kërkuar qytetarëve të braktisin ekspozitën, ashtu si Rama ka braktisur popullin e tij.
Leonard Dedej ka afishuar disa postera dhe broshura që tregojnë, sipas tij, keqadministrimin që Rama i ka bërë Shqipërisë gjatë qeverisjes.

“Kryeministri i Shqipërisë vjen në Munich për axhendën e tij personale. Atij nuk i intereson aspak rreth mijëra emigrantëve shqiptarë që qëndrojnë në Gjermani. Ai i përçmon ata, ndërsa u solli vetëm dhimbje, burg dhe varfëri ekstreme, dhe kjo është arsyeja pse ata vijnë këtu (Gjermani), sepse nuk kanë ku të shkojnë. A e dini ju gjermanë të dashur që në Shqipëri ne jetojmë në një gjendje terrori konstante nën regjimin e Ramës? E dini që të drejtat e njerëzve në Shqipëri janë më të këqijat në Europë?! E dini që politikanët tanë janë më injorantët, më të korruptuarit dhe janë thjesht kriminelë të zakonshëm?! E dini që në vendin tonë njerëzit vdesin nga sëmundjet, pasi janë shumë të varfër për të blerë ilaçe? E dini që Rama po vdes urie njerëzit e tij dhe po i fut në burg?! E dini që një qytetar shqiptar u fut në burg vitin e kaluar sepse nuk mund të paguante 20 euro faturë energjie?! Dhe më pas po ky njeri vari veten në burg për shkak të padrejtësisë që iu bë? Ju nuk e keni idenë kush është Rama dhe faktikisht nuk keni pse ta dini, por nëse doni të na ndihmoni ne atëherë refuzojeni dhe braktiseni punën e tij, ashtu siç ai ka braktisur popullin e vet. Këto foto janë të dhimbshme për ne, sepse janë pikturuar me pikëllimin tonë, me padrejtësitë që na janë bërë dhe mbështetjen që shteti jonë i jep krimit. Për ju ai është thjesht një artist, për në është një burrë që përhap terror!”¬ është shkruar në njërën prej broshurave.
/l.k/