Refugjatët në Idomeni, të mbetur pa përgjigje se ç’do të ndodhë me ta
Mijëra refugjatë të mbetur në kampin e improvizuar të Idomenit pranë kufirit greko-maqedonas, janë në errësirë të plotë për fatin e tyre në të ardhmen.
Gjithçka që dëgjohet në kamp ditëve të fundit janë vetëm pyetje që nuk marrin përgjigje. A është e vërtetë që poi dërgojnë njerëzit në kampe ushtarake? A është e vërtetë që do të na kthejnë në Turqi? Mos duhet të lëvizim nga qendrat e drejtuara nga qeveria? Nuk dinë se kë të besojnë, ka shumë thashetheme dhe keqinformime, të qëllimshme apo jo, që po i mbajnë emigrantët në errësirë dhe të mashtruar, raporton gazetarja Zeina Khodr për Al Jazeera.
Disa burime iu kanë thënë ditën e hënë se është hapur kufiri maqedonas. Kjo ka bërë që dhjetëra refugjatë të marrin sendet e tyre dhe të ecin në të ftohtë me kilometra të tëra me shpresën se do të kalojnë.
“Jemi shumë të lumtur, më në fund kemi mundësi të kalojmë”, ka thënë për Al Jazeera Mahdi, një emigrant palestinez. Por gjithçka që kanë gjetur në kufij, ishte kordoni me qindra policë grekë.
Pas protestave për të hapur kufijtë, refugjatët e kanë kuptuar që kalimi i kufirit me forcë nuk do të ndryshojë asgjë. Edhe më parë disa refugjatë janë përpjekur të kalojnë, por janë kthyer mbrapsht nga policia maqedonase.
Në vend të kalimit të kufirit me forcë, ata mbajtën një protestë paqësore ku thanë se “ne jemi njerëz paqësorë, nuk do të kalojmë nëse nuk ka një vendim të Bashkimit Evropian dhe nëse Kryqi i Kuq nuk është me ne”. Në protestë ata kërkuan që bota të mos i harrojë aty. /m.g
Burimi: Al Jazeera