Rantau, Malajzi – Aktivistët thonë se vendi ka përjetuar një rritje të vazhdueshme të diskriminimit kundër komunitetit LGBT gjatë muajve të fundit.
Në dhomën e saj të zymtë në një fshat të Malajzisë, Suki qëndron në shtrat ndërsa rimerr veten nga një sulm brutal i cili ka nxjerrë në pah atë çka aktivistët thonë se po rritet: armiqësinë ndaj njerëzve gej dhe transeksualë në vend.
Një grua transgjinore, Suki, u rrah nga një grup sulmuesish javën e kaluar me shkopinj dhe tuba plastikë në Seremban, një qytet në jug të kryeqytetit malajzian Kuala Lumpur.
Ajo pësoi thyerje brinjësh, një shpretkë të dëmtuar dhe lëndime në kokë, të cilat kërkonin shtatë qepje. Policia ka arrestuar tetë burra të dyshuar për kryerjen e sulmit.
“Ata më goditën dhe më shkelmuan në mënyrë të përsëritur, nuk mund të lëvizja”, tregon ajo për Fondacionin Thomson Reuters në shtëpinë e saj në Rantau, një fshat i humbur në Negeri Sembilan.
“U përpoqa të thërrisja për ndihmë, por nuk mund të flisja dot”, thotë Suki, një estetiste part-time në të 30-tat e saj, e cila kërkoi të mos identifikohej plotësisht për të mbrojtur privatësinë e vet.
Lezbiket, homoseksualët, biseksualët dhe transeksualët (LGBT) kanë kohë që përjetonë diskriminim sidomos në pjesën myslimane të Malajzisë.
Seksi gej mbetet i ndaluar sipas një ligji britanik të epokës koloniale, ndërsa të veshurit si seksi i kundërt është i paligjshëm. Aktivistët thonë se një ligj kundër “sjelljes së turpshme publike” është përdorur për të synuar minoritetet seksuale.
Por gjatë javëve të fundit, disa incidente të ndodhura kanë ngritur shqetësime mes grupeve të të drejtave të njeriut, se klima për komunitetin LGBT të vendit po përkeqësohet më tej.
‘SHTYPJA SISTEMATIKE’
Ministri i Çështjeve Islamike është shprehur kundër njerëzve gej dhe urdhëroi heqjen e portreteve të dy aktivistëve LGBT nga një ekspozitë arti këtë muaj, duke shkaktuar një zemërim publik.
Javën e kaluar, dy gra në shtetin konservator të Terengganu u dënuan me rrahje shkopinjsh sipas ligjit islamik të sheriatit, pasi u kapën duke u përpjekur të bëjnë seks në një makinë. Të shtunën, oficerët bastisën një bar gej në kryeqytetin Kuala Lumpur.
Aktivisti Dorian Wilde tha se deklaratat anti-LGBT nga zyrtarët shkaktojnë stigmë dhe diskriminim ndaj komunitetit, dhe njerëzit transgjinorë në veçanti duhet të mbajnë peshën e urrejtjes për shkak të vizibilitetit të tyre.
“Sa më shumë thuhet, aq më shumë keqinformim buron dhe gjërat sa vijnë e bëhen më të dhunshme”, tha Wilde, një burrë transgjinor i cili themeloi grupin mbështetës Transmen of Malaysia.
Sipas Wilde, në mediat sociale ditët e fundit ka pasur një reagim të madh me komente homofobike dhe transfobike, të cilat përfshijnë përshkrimin e njerëzve LGBT si “njerëz të ferrit” dhe thirrjen për t’i vrarë ata.
Në vitin 2017, sipas grupit të të drejtave të njerëzve trans “Justice Sisters”, janë raportuar tri raste vrasjesh të grave trans, ndërsa qindra femra të tjera trans janë arrestuar gjatë viteve të fundit sipas ligjit kundër cross-dressing.
Bashkëthemeluesi i grupit, Thilaga Sulathireh, tha se Malajzia kishte një qëndrim tolerant ndaj njerëzve transgjinorë deri në fillim të viteve 1980, kur një këshill i liderëve myslimanë lëshoi një dekret fetar kundër operacioneve për ndryshimin gjinor për myslimanët.
Që atëherë ka pasur një rritje të vazhdueshme të diskriminimit.
“Kjo lloj shtypjeje është shumë sistematike, duke nisur që me kartat e tyre të identifikimit, e deri tek gjetja e punës, strehimi dhe kujdesi shëndetësor”.
“Në këtë pikë, ajo që ne kërkojmë është ndalimi i dhunës dhe diskriminimit; ne nuk kërkojmë ndonjë të drejtë të veçantë, vetëm që njerëzit të jenë të lirë të jenë vetvetja”, tha Sulathireh.
Konservatorizmi në rritje ka ushqyer frikën se marka e moderuar e Islamit gjithnjë e më shumë po kërcënohet nga ekstremistët.
Mbi 60% e popullsisë së Malajzisë, prej 32 milionë banorësh, janë myslimanë, por ky vend i Azisë Juglindore është gjithashtu vendi i një numri të madh pakicash etnike që praktikojnë fe të tjera.
“Njerëzit ndjehen të shqetësuar,” tha Numan Afifi, një gej mysliman i cili drejton grupin e aktivistëve Pelangi, të cilët luftojnë kundër diskriminimit LGBT.
“Dëgjojmë raste të grave trans që diskriminohen në vendin e tyre të punës, si për shembull kur punëdhënësit i detyrojnë ato të presin flokët”.
AGJENDA E REFORMËS
Qeveria, e cila mori pushtetin në zgjedhjet e majit pas fushatës bazuar mbi agjendën e reformave, është nxitur nga aktivistët dhe anëtarët e administratës që të veprojnë kundër përhapjes së urrejtjes ndaj njerëzve LGBT.
“Kjo fushatë urrejtjeje kundër njerëzve me orientim seksual të ndryshëm duhet të ndalet,” tha Hannah Yeoh, zëvendësministre për gratë, familjen dhe zhvillimin e komunitetit.
“Mund të mos pajtoheni me to, por përdorimi i dhunës është një akt frikacak. Krimi i urrejtjes është i gabuar dhe duhet të dënohet”, shtoi ajo.
Mia, një grua transgjinore që jeton në Seremban ku Suki u sulmua, tha se komuniteti lokal transgjinor ishte i frikësuar dhe i tronditur.
“Kemi kaluar shumë trauma për shkak të identitetit tonë, por dhunë të tillë nuk kemi parë ndër vite”, tha 40-vjeçarja, e cila nuk pranoi të jepte emrin e saj të plotë për shkak të frikës së pasojave.
“Nuk ndihem e sigurt. Sot viktima është Suki, po të nesërmen apo ditën më pas? A do të jem unë? ” pyeti Mia, ndërsa lotët i rridhnin syve./R.M
Dje në Ditën Evropiane të Viktimave të Sistemeve Totalitare, në kampin e internimit të Bënçës në Tepelenë, u organizua një event për të përkujtuar të tëra viktimat e sistemit brutal komunist, dhe në veçanti ata që e kanë vuajtur dënimin e tyre pikërisht në këtë kamp. Përveç organizimit artistik, pati edhe shumë të ftuar nga fusha e politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare.
Autoriteti i Dosjeve ka një projekt për kthimin në muze të ish-kampit, me çka synon mbështetjen e përkujtimit të vuajtjeve të mijëra grave, fëmijëve dhe të moshuarve nëpër kampet e punës së detyruar në komunizëm. Projekti u iniciua nga AIDSSH në bashkëpunim me Bashkinë e Tepelenës, të mbijetuar dhe familjaret e tyre.
Sipas Institutit të Historisë, të Akademisë së Studimeve Albanologjike, historia famëkeqe e këtij kampi fillon në maj të vitit 1949, ku u dërguan të gjithë të internuarit e Beratit. Gjatë viteve 1949 – 1953 në këtë kamp u vendosën rreth 1500 familje. Ky kamp ishte më famëkeqi për shkak të kushteve shumë të këqija të jetesës, për mungesën e theksuar të ushqimit dhe higjienës, për shkak të punës shumë të rëndë që ishin të detyruar të kryenin, si dhe për vdekshmërinë e lartë, sidomos të fëmijëve. Nga tetori i vitit 1950 e deri në dhjetor të po atij viti, numri i fëmijëve është zvogëluar me 285 vetë. Kjo ishte një vdekshmëri shumë e lartë e krahasuar edhe me kampe të tjera internimi.
Kur mori fjalën Zoti Simon Mirakaj, një i mbijetuar i këtij kampi, tregoi për fëmijërinë e tij të vuajtur dhe gjithashtu tha se përdorimi i atij kampi ushtarak si kamp internimi, i përndjek qytetarët e Tepelenës edhe sot e kësaj dite si bashkëpunëtorë të krimeve të ndodhura atje. Por tha ai, “ata nuk janë fajtorë, ata na kanë ndihmuar edhe pse ishin vetë të skamur”. Ai shprehu pezmatimin që edhe sot e kësaj dite, nuk ka asnjë të dënuar për krimet e ndodhura në kampin e Tepelenës dhe në kampe të tjera.
Para se të fillonte aktiviteti, mund të shihje se si burra e gra, disa më të rinj e disa më të vjetër, takoheshin me përzemërsi me njëri- tjetrin edhe pse midis lotëve.
Pashk Nikoll Ndreu, një i mbijetuar i kampit të Tepelenës, aty ku pa ti pushkatohej vëllai dhe më pas ti vdiste i ati, edhe pse mes lotëve, thotë: “Pashë sërish pamjet e dhimbshme që kam kaluar, por jeta do vazhdojë dhe duhet ti japim vetes kurajë dhe të jemi të kënaqur mes shoqërisë dhe njerëzve që kemi afër.”
Pavarësisht gjithë vuajtjeve që kanë parë e kanë përjetuar, këta njerëz të mëdhenj na mësojnë ta duam jetën dhe njëri – tjetrin si dhe të falim, sepse vetëm duke falur mund të ecim përpara./A.A.
Maxim Neverov u dënua pasi kishte postuar foto të djemve pa bluza që përqafonin njëri-tjetrin.
MOSKË – I mituri i parë rus që do të gjobitet sipas një ligji të ri kundër të ashtuquajturës “propagandë gej” për postimin e fotografive të meshkujve pa bluza, ka paraqitur një kërkesë padi, tha avokati i tij këtë të hënë.
Maksim Neverov, 16 vjeç, u gjobit me 50,000 rubla këtë muaj pasi një komision për çështjet e të miturve e quajti atë fajtor për “nxitjen e marrëdhënieve seksuale jo tradicionale midis të miturve”.
Ai ishte i mituri i parë që gjobitet sipas këtij ligjit i cili bën që çdo ngjarje apo akt, i konsideruar nga autoritetet si një përpjekje për të promovuar homoseksualitetin ndaj të miturve, të jetë ilegal. Ky ligj është përdorur më parë për të ndaluar marshimet gay dhe për të ndaluar aktivistët e të drejtave të komunitetit LGBTIQ.
“Dje ne u dërguam kërkesë padinë tonë autoriteteve përkatëse; kjo kërkesë duhet të merret në konsideratë dhe të vendoset brenda dy muajsh, “tha avokati i Neverov, Artyom Lapov.
Neverov ka mohuar se fotot e postuara në rrjetin social VKontakte kanë të bëjnë me propagandë gej.
“Në Rusi janë duke u shkelur të drejtat e të gjithë njerëzve, jo vetëm të njerëzve të komunitetit LGBTIQ,” tha ai në një intervistë përpara se të paraqiste kërkesë padinë të dielën.
“Dhe unë besoj se personat LGBTIQ janë thjesht njerëz si gjithë të tjerët, kështu që nuk ka asnjë arsye për të luftuar për të drejtat LGBTIQ veç nga gjithë njerëzit e tjerë “.
Rusia është renditur si vendi i dytë europian më pak mbështetës kundrejt komunitetit LGBTIQ në vitin 2016 nga ILGA-Europe, një rrjet i grupeve LGBTIQ europiane. Deri në vitin 1993 homoseksualiteti ishte një vepër penale në Rusi dhe klasifikohej si sëmundje mendore deri në vitin 1999.
Vitin e kaluar, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut vendosi që ligji rus kundër propagandës gej ka shkelur rregullat e traktateve europiane, të drejtën e njerëzve për lirinë e të shprehurit dhe diskriminon njerëzit LGBTIQ – një Moskë udhëheqëse e padrejtë.
Svetlana Zakharova, zëdhënëse e rrjetit LGBTIQ rus, tha se ndjekja penale e Neverov është ndryshe, sepse ai nuk është një aktivist për të drejtat LGBT.
“Zakonisht (autoritetet) ndjekin penalisht njerëzit që marshojnë në rrugë me flamuj ylberi”, tha ajo./R.M
Praktika e denoncuar mjekësore mbetet një temë e diskutueshme anembanë globit.
Vdekja e adoleshentit transeksual Leelah Alcorn tronditi Shtetet e Bashkuara.
Në dhjetor të vitit 2014, 17-vjeçari vendosi të vetëflijohet mes trafikut të ngarkuar jashtë qytetit të vogël të Libanit, Ohio, duke lënë pas një blog në të cilin përshkruante se si terapistët e krishterë të konvertimit i kishin thënë asaj se të qenit transgjinor ishte “gabim”.
Brenda pak muajsh, një peticion online i cili bënte thirrje për nxjerrjen jashtë ligji të terapisë së konvertimit mblodhi më shumë se 120,000 firma.
Gjashtë muaj më vonë, Presidenti Barak Obama bëri thirrje për ndalimin e praktikës kontroversiale, e cila pretendon t’i ndihmojë njerëzit gej të kthehen në identitet dhe njerëzit transgjinorë të kthehen në gjininë që kanë lindur.
Ndryshimet legjislative në lidhje me këtë praktikë po ecin me ritëm të shpejtë në mbarë botën, duke filluar me Zelandën e Re, Australinë dhe Britaninë; shtete të cilat po konsiderojnë vendosjen e ligjeve të reja kundër terapisë së konvertimit. Megjithatë, ajo mbetet në përdorim në shumicën dërrmuese të vendeve.
“Praktika e terapisë së konvertimit mbetet mjaft e përhapur”, thotë Laura Russell, kreu i politikës së grupit britanik të të drejtave LGBTIQ Stonewall.
“Modeli ishte mjaft i qëndrueshëm për grupmosha të ndryshme, gjë që sugjeron se këto praktika janë ende në zhvillim e sipër dhe jo një çështje që prek vetëm gjeneratat e vjetra”.
Në Britani, 2% e 108,000 të intervistuarve LGBTIQ, në një sondazh të fundit të qeverisë, thanë se kishin bërë terapi të konvertimit. Një tjetër 5 përqindësh ka raportuar se janë pyetur nëse do t’i nënshtroheshin kësaj terapie.
Për njerëzit transgjinorë shifra është edhe më e lartë: 13% kanë raportuar se janë trajtuar ose u është ofruar një trajtuar i tillë.
‘PRAKTIKA E NEVERITSHME’
Terapia e konvertimit ka një histori të ndërlikuar me ndikimin e psikiatrit Sigmund Freud, fakt që e errëson edhe më shumë këtë praktikë.
Në thelbin e saj ishte dëshira për të çrrënjosur shkakun e orientimit seksual dhe pastaj përmes mjeteve të ndryshme, duke përfshirë hipnozën dhe trajtimin e goditjes elektrike, pacienti drejtohej drejt heteroseksualitetit.
Opinionit mjekësor iu desh kohë e gjatë për të ndryshuar. Por në vitin 2001, një raport i Shefit të Kirurgjisë amerikane, David Satcher, thoshte se: “Nuk ka prova të vlefshme shkencore që orientimi seksual të mund të ndryshohet”.
Marsin e këtij viti, parlamenti europian denoncoi praktikën dhe u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së që të implementojnë ndalimin e saj. Ajo tashmë është jashtë ligjit në Maltë dhe Ekuador, por vitin e kaluar në Brazil ndalimi 18 vjeçar i kësaj praktike u hodh poshtë.
Në Britani, shumica e opinionit mjekësor është kundër terapisë së konvertimit.
“Ne mendojmë qartësisht se trajtimi që ne ofrojmë duhet të bazohet në dëshmi”, tha Dr Louise Theodosiou, një psikiatër dhe këshilltar për fëmijët dhe adoleshentët në Kolegjin Mbretëror të Psikiatërve.
“Dhe nuk ka ndonjë dëshmi për të mbështetur terapinë e konvertimit homoseksual si një gjë pozitive”.
Në korrik të këtij viti, qeveria britanike tha se do të niste lëvizjet për të nxjerrë jashtë ligjit praktikën.
Duke paralajmëruar ndalimin, ministri i Barazisë së Britanisë, Penny Mordaunt, tha se ishte i shqetësuar që shumë njerëzve të komunitetit LGBTIQ ende i ofrohej një “praktikë kaq e neveritshme”.
LIRIA E TË SHPREHURIT
Megjithatë, pavarësisht bazës së opinionit publik dhe mjekësor ndaj ndalimit të praktikës, tema mbetet e diskutueshme.
Fondacioni “Thomson Reuters” kontaktoi disa organizata në Shtetet e Bashkuara që ofrojnë praktikën, por asnjëra nuk pranoi të komentonte.
Një praktikues tha se terapia e konvertimit ishte një term i shpikur nga aktivistët LGBTIQ për të poshtëruar terapistët profesionistë që përdorin terapi profesionale të licencuara për klientët, ndjenjat homoseksuale të të cilëve kanë lindur nga abuzimi emocional dhe/ose seksual.
“Nuk është për njerëzit që besojnë se kanë lindur gej,” shtoi ai.
Çështja përfshin tema më të gjera të lirisë së të shprehurit dhe, aty ku praktikat drejtohen nga grupe fetare, të së drejtës për të ushtruar lirisht fenë e vet.
Majin e vitit të kaluar, Gjykata Supreme e SHBA vendosi kundër këtyre sfidave për shtetin e Kalifornisë për të rinjtë nën 18 vjeç.
Në 2012 Kalifornia e nxori jashtë ligjit praktikën; kufizime të ngjashme ligjore tashmë ka në Vermont, New Mexico, Illinois, New Jersey, New Mexico dhe District of Columbia.
Megjithatë, Lucas Ramon Mendos, autor i raportit Homophobia të sponsorizuar nga shteti në vitin 2017 nga grupi ndërkombëtar i të drejtave LGBT ILGA, tha se ndalimet e praktikës ishin të rralla.
“Qendrat e terapisë së konvertimit janë thjesht kampe internimi për të rinj dhe adoleshentë që ‘të rregullohen dhe të korrigjohen në orientimin e tyre,” tha ai.
“Ne do të kishim menduar se kjo është diçka që i përket të kaluarës, por ajo po ndodh ende ndërsa ne flasim”./R.M
Amanda Nguyen nuk është si shumica e njerëzve të moshës së saj.
Aktivistja 26-vjeçare po ndryshon rrënjësisht mënyrën se si sistemi i drejtësisë penale amerikane i qaset dhunës seksuale dhe të mbijetuarve të krimeve të tilla. Në vitin 2014 – në moshën 23 vjeçare – Nguyen themeloi Rise, një organizatë jofitimprurëse kombëtare për të drejtat civile, që fokusohet në mbrojtjen e lirive të viktimave të sulmeve seksuale. Disa vite më vonë, ajo krijoi “Projektligjin e të drejtave të të mbijetuarve të dhunës seksuale”, një legjislacion që u siguron të drejtat themelore qytetare viktimave, në momentin kur ata raportojnë përdhunimet dhe gjatë përvojave mjekësore dhe ligjore që pasojnë.
Muajin e kaluar, Nguyen u propozua për Çmimin Nobel të Paqes për punën e saj të palodhshme.
“Isha e tronditur, e lumtur dhe krenare”, tha Nguyen në një email për HuffPost, duke kujtuar momentin që ajo përjetoi për nominimin e saj. “Sepse e dija që ky nominim nuk ishte vetëm për mua, ishte për miliona të mbijetuar që kanë parë të drejtat e tyre civile të ligjëruara”.
Udhëtimi i Nguyen nisi në vitin 2013, kur ajo u përdhunua gjatë vitit të saj të fundit në Universitetin e Harvardit. Pas ekzaminimit për përdhunim, policia e njoftoi atë se provat materiale të këtij ekzaminimi do të shkatërroheshin pas gjashtë muajsh, nëse ajo nuk do të paraqiste një kërkesë – edhe pse statuti për ndjekjen penale të përdhunimit në shtetin e Masaçusetsit zgjat 15 vjet.
Testimi i ekzaminimeve të përdhunimit është i rëndësishëm për disa arsye: ai mund të identifikojë një kriminel të panjohur, mund të konfirmojë praninë e një të dyshuari të njohur, mund të konfirmojë një të mbijetuar të një sulmi, mund të ndihmojë në zgjidhjen e rasteve të tjera që mund të mos përfshijnë dhunën seksuale si dhe mund të shfajësojë njerëz të pafajshëm. Por dhjetëra mijëra ekzaminime përdhunimi të patestuara gjenden aktualisht të magazinuara në komisariatet e policisë në të gjithë vendin për shkak të mungesës së fondeve, burimeve dhe vullnetit politik.
Çdo gjashtë muaj, Nguyen duhej të depozitonte një kërkesë të re për të siguruar që ekzaminimi i përdhunimit të saj nuk do të shkatërrohej, me shpresën se mund të testohej për ADN-në e sulmuesit të saj.
“Në thelb, ky sistem më detyron ta jetoj jetën në bazë të datës së përdhunimit tim”, tha Nguyen për The Guardian në vitin 2016.
Ishte përmes përvojës së saj si një e mbijetuar që Nguyen kuptoi se diçka duhej të ndryshonte.
“Jetët e grave shpesh nuk vlerësohen me dinjitet të plotë njerëzor,” tha ajo për HuffPost, duke shtuar se si një grua aziatike-amerikane, ajo e di shumë mirë se si ndërthuren raca dhe dhuna seksuale.
“Gratë aziatike amerikane janë subjekt i hiper-seksualizimit, i cili kontribuon në dhunën seksuale”, shtoi ajo. “Objektivizimi i trupave femërorë aziatikë dhe stereotipi se gratë aziatike janë të nënshtruara, është një shembull konkret i këtij rasti. Portretizimi ekzotik i trupave tanë na dehumanizon dhe ky dehumanizim i jep një mundësi më tepër dhunës seksuale “.
Në vitin 2014, Nguyen themeloi Rise dhe filloi të punonte mbi Projektligjin e të Drejtave të të Mbijetuarve të Sulmeve Seksuale. (E gjithë kjo ndërsa punonte si një ndërmjetëse në Departamentin e Shtetit në Shtëpinë e Bardhë dhe trajnimit për t’u bërë astronaute. Jua thashë, ajo nuk është si shumica e njerëzve në të 20-at e tyre.)
Projektligji i të drejtave ka garantuar mbrojtje të caktuara ligjore për të mbijetuarit, duke përfshirë informimin e të drejtave të tyre nga zbatuesit e ligjit, të paturin e një këshilltari dhe ekzaminimin e përdhunimit, njoftimin për rezultatet e mjekësisë ligjore përpara se sa ekzaminimi të shkatërrohet, dhe ruajtjen e ekzaminimit të përdhunimit për kohëzgjatjen e statutit të kufizimeve, që ishte 15 vjet, ose deri sa të gjenden burimet për ta testuar atë. Më pas, Presidenti Barak Obama e nënshkroi këtë projektligj në nivel federal, në vitin 2016.
“E shkruam këtë projektligj jo vetëm për të ndihmuar të mbijetuarit, por për të ndihmuar punonjësit e policisë, prokurorët dhe sistemin gjyqësor që të bëjnë më mirë punën e tyre, dhe si rezultat, si të mbijetuarit ashtu dhe sistemi ynë i drejtësisë penale mund të kërkojnë drejtësinë që meritojnë “, tha ajo për HuffPost.
Tani, Nguyen po bën fushatë për të miratimin e këtij projektligji në të 50 shtetet. Misioni i saj është më i rëndësishëm se kurrë sidomos në epokën #Me Too.
“Që prej lëvizjes #Me Too, ne kemi patur më shumë ligjvënës dhe vullnetarë që na janë drejtuar, më shumë të mbijetuar që flasin për eksperiencat e tyre, si dhe më shumë thirrje për veprim për të rregulluar sistemin tonë të drejtësisë penale”, tha ajo. “Kjo i ka bërë njerëzit shumë më të vetëdijshëm për punën që kemi ende përpara.”
Është jetësore që të ketë një legjislacion për të mbështetur të mbijetuarit, ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz dalin e tregojnë historitë e tyre, shtoi ajo.
“Nëse njerëzit ndjehen sikur duan të bëjnë diçka, Rise ka një element veprimi të prekshëm për ligjvënësit dhe qytetarët – miratimin e projektligjit të të Drejtave të Mbijetuarëve”, tha Nguyen.
Nguyen thotë se mbështetet nga miliona të mbijetuar, të cilët janë ndihmuar nga Rise dhe Projektligji i të Drejtave të të Mbijetuarve të Sulmeve Seksuale.
“Asgjë nuk më shtyn më shumë sesa të di që kemi ndikuar në jetët e 32 milionë të mbijetuarve në mbarë vendin dhe se ky është vetëm fillimi”, thotë ajo. “Unë e shikoj këtë si një metaforë – sa herë që një i mbijetuar më tregon historinë e tij ose të saj, është një peshë që unë e mbaj, por gjithashtu ajo mban zjarrin tim ndezur për të luftuar më tej.”/R.M
Afati i fundit për aplikim: 03 Shtator 2018
Vendi: Pogradec
“Historia Ime”, shpall të hapur për të pestin vit rresht, aplikimin për shkollën verore “Multimedia dhe Aktivizmi”. Këtë vit shkolla verore zhvillohet në periudhën 20 Shtator 2018– 23 Shtator 2018 në qytetin e Pogradecit dhe do të zgjerojë trajnimet në teori dhe praktikë, jo vetëm në fushën e Multimedias por edhe në fushën e aktivizmit.
Multimedia, një koncept i zhvilluar së tepërmi me mediat online, blogjet apo gazetarinë qytetare, do të thotë të japësh përmbajtjen në disa forma, që mund të jenë një kombinim i tekstit, audios, imazhit, animacionit, video apo mënyra të tjera interaktive.
Aktivizmi është përdorimi i fushatave qytetare dhe i hapësirës publike falë motivimit personal dhe mjeteve të mençura e praktike, për të sjellë ndryshime sociale në jetën tonë përmes politikës dhe pjesëmarrjes aktive në vendimmarrje.
“Shkolla Verore për Multimedian dhe Aktivizmin 2018” do t’i ndërthurë këto dy koncepte duke ju mësuar si të përdorni format e multimedias në aktivizmin qytetar.
Gjatë 3 ditëve, do të ketë trajnime në teori dhe mbështetje direkte tek praktika nga disa prej profesionistëve më të mire dhe më të njohur të fushës.
Kush mund të aplikojë?
Nëse je në universitet apo i diplomuar; student gazetarie, apo punon në sektorët e komunikimit të OJF-ve; aktivizohesh në jetën publike të qytetit ku jeton, apo qoftë edhe nëse ke dëshirën për të mësuar mbi gazetarinë qytetare dhe mjetet më të fundit të komunikimit online, atëherë apliko tani.
Aplikimi është i hapur për të rinj mbi 16 vjeç nga e gjithë Shqipëria. Personat 16 deri pa mbushur 18 vjeç, mund të aplikojnë vetëm përmes një letre reference nga organizatat lokale të shoqërisë civile ku angazhohen ose nga shkollat që ndjekin. Në rast të shpalljes fitues, atëherë këta pjesëmarrës do të duhet të pajisen me një leje me shkrim nga prindërit ose kujdestarët.
Si mund të aplikosh?
Aplikimi mund të jetë individual ose në grupe të vogla prej 2 ose 3 të rinjsh që bëhen bashkë me një ide konkrete. Për të marrë pjesë në shkollën verore “Multimedia dhe Aktivizmi 2018”, aplikoni deri në 3 shtator duke dërguar:
Në letrën e motivimit duhet të shtjelloni shkurt edhe një projekt-ide konkrete për të realizuar një prodhim multimedial në fund të shkollës verore – një foto-reportazh me një temë të caktuar sociale apo politike, nga jeta juaj e përditshme apo nga jeta e komuniteteve të ndryshme lokale në ambientin apo qytetin ku ju jetoni; një podcast (prodhim online radiofonik) apo një video të shkurtër.
Aplikimet dërgohen në adresën e emailit: [email protected]
Fituesit do të njoftohen në javën e parë të shtatorit.
*Historia Ime do të mbulojë shpenzimet e Transportit; Akomodimit; Ushqimit dhe udhëtimeve në funksion të praktikës, për të gjitha ditët e shkollës verore.
* Dr. Alex Toft kërkues shkencor i interseksionalitetit midis rinisë, aftësisë së kufizuar dhe seksualitetit.
Kur i afrohen adoleshencës, të rinjtë nisin pyetjet mbi tërheqjet seksuale dhe mbi mënyrën si e kuptojnë gjininë. Nëse janë me fat, ata kanë akses në edukimin seksual, ose me mentorë apo edukatorë që i mbështesin në këtë rrugëtim.
Por, kërkimet e mia me të rinjtë që identifikohen si LGBT+ dhe me aftësi të kufizuara tregojnë se shpesh trajtohen sikur gjinia apo seksualiteti i tyre të jetë vetëm një fazë kalimtare.
Duke parë përvojat e të rinjve të moshave 16 – 25 vjeç gjatë kërkimit tim, kam kuptuar se sa e dëmshme mund të jetë kjo qasje. Të mos e kuptosh se të rinjtë me aftësi të kufizuara mund të jenë LGBT+, mund t’i zvogëlojë atyre mundësinë për të pasur një jetë të përmbushur seksuale. Kjo qasje zvogëlon gjithashtu mundësinë që ata të marrin ndihmën dhe mbështetjen e duhur në lidhje me seksualitetin e tyre gjatë gjithë jetës në vazhdim.
Të parit e gjinisë apo seksualitetit si një fazë nuk është një gjë e re. Por, për të rinjtë me të cilët ne punojmë kjo vjen si pasojë e keqkuptimeve që lidhen me aftësinë e kufizuar. Kjo është ajo që tha një i ri, duke folur në lidhje me aftësinë e tij të kufizuar:
“Ndonjëherë mendoj se mamaja ime i mendon të gjitha problemet e mia të shëndetit mendor dhe autizmit… Unë mendoj se ajo shpreson që do të largohen, dhe vazhdon të më thotë se unë do të filloj një punë, gjë që më bën të ndihem edhe më keq. Kjo gjë më bën të ndihem në panik. Më bën të ndihem sikur dëshiron një fëmijë më të mirë se unë, sikur unë nuk jam mjaftueshëm i mirë sepse nuk dua të punoj”.
Këto ide rreth aftësisë së kufizuar shpesh bëhen bashkë me keqkuptimet rreth seksualitetit. Një i ri shpjegoi se si për të qenurit gej “iu vu faji” aftësisë së tij të kufizuar. Ata mendojnë se jeni LGBT+ “sepse jeni të sëmurë ose keni autizëm”.
Veç konfuzionit rreth aftësisë së kufizuar dhe seksualitetit, të rinjtë raportuan sfida që lidhen me moshën e tyre. Një të intervistuari i ishte thënë që të mbajë një identitet gjinor të caktuar deri sa të rritet e të bëhet më i pjekur, “në mënyrë që të marrë kohë e ta dijë me siguri”.
Këto reagime tregojnë se ka një rezistencë ndaj të rinjve me aftësi të kufizuara që identifikohen si LGBT+. Duket se ekziston një perceptim se të rinjtë me aftësi të kufizuara nuk mund ta kuptojnë seksualitetin LGBT+. Por historitë që të rinjtë më treguan flasin për një proces të gjatë drejt kuptimit të seksualitetit dhe gjinisë. Vendimet e tyre nuk ishin të nxituara apo rezultat i trendëve.
Nuk është “një fazë kalimtare”
Etiketimi i seksualitetit si një fazë kalimtare tregon se kjo është diçka që personat do ta kalojnë, duke dalë në fund si heteroseksualë. Kjo e bën çdo gjë tjetër veç heteroseksualitetit të duket e gabuar dhe sugjeron se ka diçka të padëshirueshme në të qenurit LGBT+. Një nga të rinjtë tha se ata mendojnë që “të jesh LGBT+ në botën heteroseksuale është diçka e keqe”. Shoqëritë e kanë të vështirë të pranojnë personat LGBT+ me aftësi të kufizuara, sepse ata shihen si jo-seksualë dhe të paaftë për të kuptuar se çfarë do të thotë LGBT+.
Seksualiteti dhe gjinia duhen menduar si pjesë e jetës dhe jo si një moment kalimtar. Kjo është e rëndësishme, sepse të rinjtë LGBT+ me aftësi të kufizuara kanë nevojë për mbështetje të veçantë.
Etiketimi i seksualitetit të tyre si një fazë kalimtare i mohon atyre qasjen në informacion, pasi seksualiteti i tyre nuk shihet si i vlefshëm. Ata mund të vuajnë nga diskriminimi, dhuna fizike dhe psikologjike për shkak të asaj kush janë dhe shpesh lihen të luftojnë vetëm, pasi askush nuk i njeh për ata që janë.
Në mënyrë që të punojmë kundër paragjykimeve, ne duhet të dëgjojmë eksperienca te të rinjve LGBT+ me aftësi të kufizuara. Mohimi i seksualitetit të tyre apo konsideromi i tij si një fazë kalimtare, tregon shumë mbi qëndrimet e shoqërisë mbi personat që janë LGBT+, të rinj dhe me aftësi të kufizuara. Më e rëndësishmja është se këto qëndrime kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e të rinjve, në një kohë që ata fort dhe përballojnë sfidën e njohjes së vetes.
/l.k./
Foto nga: Ivana Dervishi
Parada e Krenarisë në Stokholm zhvillohet prej 20 vitesh tashmë, dhe është një nga eventet më të mëdha vjetore në Stokholm. Këtë vit pati 60.000 pjesëmarrës dhe rreth 600.000 spektatorë. Gjatë kësaj parade krijohet një atmosferë magjike ku të tërë, anëtarë të komunitetit LGBTQI, aleatë, prindër të fëmijëve gej dhe edhe ata që thjesht duan të argëtohen, festojnë së bashku dhe heqin mënjanë paragjykimet dhe frikërat e tyre.
Foto nga: Ivana Dervishi
Parada e Krenarisë në Stokholm zhvillohet prej 20 vitesh tashmë, dhe është një nga eventet më të mëdha vjetore në Stokholm. Këtë vit pati 60.000 pjesëmarrës dhe rreth 600.000 spektatorë. Gjatë kësaj parade krijohet një atmosferë magjike ku të tërë, anëtarë të komunitetit LGBTQI, aleatë, prindër të fëmijëve gej dhe edhe ata që thjesht duan të argëtohen, festojnë së bashku dhe heqin mënjanë paragjykimet dhe frikërat e tyre.
Pastorët e Kishës Suedeze, Kristina Ljunggren dhe Johan Lundby tregojnë për gazetarët pikëpamjet e tyre për martesat LGBTI në Suedi. 3 gusht 2018. Foto: Ivana Dervishi/BIRN
Festivali Europian i Krenarisë, Europride u zhvillua këtë vit në kryeqytetin e Suedisë, në Stokholm ku tërhoqi rreth 60 mijë persona të cilët marshuan dhe rreth 600 mijë spektatorë që dolën në rrugët e kryeqytetit më flamuj në duar për t’iu bashkuar festimeve të diversitetit.
Organizatorët vlerësuan se eventi i përvitshëm ku morën pjesë mbi 200 grupime anëtarësh të komunitetit LGBTI dhe mbështetës të tyre theu të gjitha rekordet dhe shënoi një përmbyllje madhështore të javës së krenarisë që u mbajt nga 27 korriku deri më 4 gusht.
Në marshimin që zgjati rreth katër orë, iu vu theksi të drejtave të personave LGBTI, sidomos atyre që janë të detyruar të jetojnë të fshehur nga frika e paragjykimit dhe duartrokitje të shumta shkuan për grupimet e prindërve krenarë të komunitetit LGBTI, policëve dhe ushtarakëve homoseksualë që marshuan me uniformat e tyre, refugjatëve, si dhe familjeve të të njëjtës gjini me fëmijë.
Kryeministri suedez, Stefan Lofven dhe pesë liderë të tjerë partish nga parlamenti suedez përshkruan gjithashtu paradën prej 4.5 kilometrash.
Me slogane si “Të gjithë mund të dashurojmë”, “të barabartë” si dhe shumë flamuj të ylbertë, pjesëmarrësit në Europride kërcyen e kënduan deri në fund të marshimit që zgjati rreth katër orë. Festimet vazhduan në Parkun e Krenarisë, një hapësirë e dedikuar të drejtave të personave LGBTI dhe aktiviteteve të shumta zbavitëse.
Një koncert madhështor, me artistë si Wallmans, Arrhult, Conchita Wurst dhe këngëtari suedez Ionnalee mbyllën me sukses festimet e diversitetit në kryeqytetin Stokholm, për t’i hapur rrugë festimeve javën e ardhshme në qytetin e dytë më të madh Suedez, Gothenburg.
Përveç aktiviteteve kulturore si shfaqja e filmave me në fokus jetën e komunitetit LGBTI dhe festave DragQueen dhe DragKing në lokalet e natës, në Stokholm u mbajt gjithashtu një Konferencë e Të Drejtave të Njeriut, ku aktivistë, politikanë dhe organizata të ndryshme nga Europa diskutuan për situatën e të drejtave të njeriut dhe komunitetit LGBTI në vendet e Europës.
Suedia është një ndër vendet më të zhvilluara në botë dhe Europë në lidhje me respektimin e të drejtave të personave LGBTI. Vendi ka një histori të gjatë të mbrojtjes së të drejtave të homoseksualëve dhe transgjinorëve. Martesat me gjini neutrale njihen ligjërisht që prej vitit 2009, ndërsa prindërit e të njëjtit seks që prej 2003 kanë mundësi të adoptojnë fëmijë dhe çiftet lesbike mund të marrin asistencë shtetërore për metoda alternative farëzimi për të lindur fëmijë.
Kushtetuta suedeze mbron LGBTI ndaj diskriminimit në shoqëri dhe në punësim, ndërsa një Avokat Populli i është kushtuar veçanërisht personave LGBTI.
*Historia Ime/ Ivana Dervishi
Historiaime.al është një zë i pavarur në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ne raportojmë si për shkeljet e të drejtave të njeriut ashtu edhe për histori njerëzore që i promovojnë këto të drejta. Ky projekt synon të ndryshojë qëndrimet jo fort etike karshi të drejtave të njeriut nga ana e medias kombëtare si ajo e shkruar, ashtu edhe ajo vizive dhe media e re online.