Në ditën Shën Valentinit, Tirana është zgjuar me një mesazh të fortë kundër dhunës ndaj grave. Një grupim feminist ka realizuar disa grafiti ku kundërshtohet me forcë tendenca e shoqërisë për t’i justifikuar vrasjet e dhunshme të grave me etiketimin “krim pasioni”.
“Krimi i pasionit është thjesht krim! Pasioni as nuk rreh, as vret!”, thuhet në reagimin e publikuar nga grupimi.
Reagimi i plotë:
“Gjatë gjithë vitit gratë dëgjojnë t’u thuhet: Kush të rreh të do!
Gjatë gjithë vitit, gratë dëgjojnë t’u thuhet: Fati i gruas janë lotët!
Gjatë gjithë vitit, gratë dëgjojnë t’u thuhet: “Grueja asht shakull për me bajtë”.
Ndërkohë çdo 14 shkurt, gratë shqiptare dëgjojnë t’u thuhet sa shumë i duan burrat i tyre, ato marrin dhurata, lule dhe çokollata.
Afërsisht çdo dy javë gratë vriten prej burrave të tyre me thika, sëpata dhe plumba.
Por dashuria e vërtetë nuk vret! Krimi i pasionit është thjesht krim! Pasioni nuk rreh, as vret!
Kush dashuron nuk ngre dorë ndaj njeriut që do! Kush të rreh NUK të do!
Prandaj Dashuro, Mos Vrit!”
#DashuriaNukVret #Dashuromosvrit



















