Disa ndryshime në Kodin Civil, synojnë të detyrojnë mediat online të fshijnë komentet fyese dhe denigruese në portalet e tyre. Ky propozim i ardhur nga deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu, po diskutohet në komisionin e ligjeve.
Administratorët e mediave online do të kenë detyrimin të fshijnë nga faqja e tyre të gjitha komentet fyese që cënojnë nderin, personalitetin apo reputacionin e një individi, sidomos të grave dhe vajzave. Dëmet e shkaktuara nga këto publikime do të përbëjnë dëm pasuror në cënimin e nderit, personalitetit ose reputacionit të personit, dhe do i ngarkohen administratorit të portalit.
Projektligji, përcakton mënyrat dhe masat e nevojshme që duhet të ndërmerren nga administratorët e portaleve online për fshirjen në kohë të komenteve që cënojnë nderin, personalitetin apo reputacionin e një individi.
Ndërhyrjet në legjislacionin penal propozohen në një moment kur media sociale po merr gjithnjë e më shumë terren dhe çdo artikull shoqërohet nga komente të cilat në pjesën më të madhe janë denigruese dhe fyese, duke tejkaluar normat e etikës.
Ky projektligj përafron më shumë legjislacionin shqiptar me praktikën ligjore të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
/BalkanWeb



