Kjo është një paraqitje e thjeshtë e të dhënave që lidhen me të prekurit nga HIV në Shqipëri e lëshuar nga përfaqësia e zyrës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Tiranë, me rastin e 1 dhjetorit- Ditës ndërkombëtare të AIDS.
Kjo është një paraqitje e thjeshtë e të dhënave që lidhen me të prekurit nga HIV në Shqipëri e lëshuar nga përfaqësia e zyrës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Tiranë, me rastin e 1 dhjetorit- Ditës ndërkombëtare të AIDS.
Ky edicion me ndërrimin e udhëheqësve të saj sjell risi dhe rifreskime të ndryshme. Risi të cilat entuziazmuan mbrëmë audiencën, duke sjellë tek ata edhe humor.
Veton Firzi, Sekretari i Ministrisë së Kulturës, çmoi lart këtë festival.
“Është kënaqësi për të qenë prezent në një festival që i kushtohet studentëve, por kënaqësia më e madhe është kur institucioni në emër të cilit jam sonte është mbështetësi kryesor i festivalit. Besoj se e vetmja rrugë që gjenerata e re e artistëve kosovar të behët imazhi kryesor i vendit në sjellën ndërkombëtare, është mbështetja e kësaj gjenerate. Filmi dhe teatri i studentëve kanë një rendësi të veçantë sepse nëpërmjet tyre ne kuptojmë një gjeneratë artistësh në ardhje, gjeneratë e cila bënë ndryshime dhe së cilës duhet ti besojmë fort. Për 12 vite ministria e kulturës ka mbështet këtë festival dhe çdo vit jemi bindur se ky festival është një nga ngjarjet kryesore kulturore në skenën e Kosovës. Ndërkaq u mundëson studentëve tanë që të shohin punën e studentëve nga gjithë vendet e botës dhe kështu krijojnë lidhje midis tyre”, tha ai.
Drejtoresha e re e festivalit, Hana Qena, falënderoi të gjithë pjesëtarët dhe jurinë, po ashtu ish drejtorin Arben Zharku, i cili i la një barrë të madhe, duke pasur parasysh punën që kërkon dhe mosha e re që posedojnë udhëheqësit përkatës.
“Gëzohem që keni ardhur kaq numër i madh. Ky është edicioni i parë për mua si drejtoresh e këtij festivali. Gjatë këtyre muajve kemi pasur shumë sfida. Nga sfida në sfidë. Kemi punuar shumë dhe shpresoj se do t’ju pëlqejë programi që kemi sjellë për juve”, tha ajo.
Ish drejtori Arben Zharku shprehu ankthin e tij që kishte pasur mbi organizimin e sivjetshëm.
“Kjo më ka ba mu frikësua, por kur e kam pa programin, punën që kanë bë deri tash ka qenë fasionuese. Kur kam qenë pjesë e festivalit jam munduar mos me i kopiua të tjerët, më bë diçka më ndryshe. E kjo sonte ke diçka tjetër. Ke e veçantë se në disa momente unë nuk e kuptojsha humorin e tyre ndërsa publiku po”, u shpreh Zharku.
Festivali do të vazhdojë deri më 7 dhjetor. Për 5 ditë me radhë do të shfaqën filma, shfaqje ndërsa do të ketë edhe workshope të ndryshme.
Marrë nga gazetaexpress.com
Qeveria shqiptare bëhet gati të ndryshojë Kodin e Familjes, duke i hapur rrugën bashkëjetesës mes homoseksualëve. Drafti i ri, që parashikon ndryshimin e nenit 163 të Kodit të Familjes ka marrë miratimin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe i ka kaluar tashmë Ministrisë së Drejtësisë. Kodi i ri i Familjes pritet t’i paraqitet për miratim Kuvendit në javët e ardhshme.
Neni 163 i Kodit të Familjes e përcaktonte bashkëjetesën si një bashkim mes burrit dhe gruas, të cilët ndajnë së bashku një jetë me karakter stabiliteti dhe vazhdueshmërie. Ky nen do të heqë përcaktimin “mes burrit dhe gruas”, duke i dhënë kështu fitoren e parë ligjore komunitetit LGBT në Shqipëri.
Merita Xhafaj, drejtoreshë e Përgjithshme e Politikave Sociale në Ministrinë e Mirëqenies Sociale deklaroi para komisionit për të Drejtat e Njeriut në Kuvend se drafti i hap rrugën bashkëjetesës mes njerëzve të të njëjtit seks, edhe në Shqipëri.
Këshilli i Europës u ka rekomanduar prej vitesh shteteve anëtare që të rregullojnë kornizën ligjore, duke i njohur komunitetit LGBT të drejta të njëjta me njerëzit heteroseksualë. Në Shqipëri, Këshilli i Europës kontraktoi dy eksperte në Shqipëri, që të bënin ndryshimet e nevojshme ligjore.
Por përfaqësuesit e komunitetit LGBT druhen se rregullimet ligjore nuk janë të mjaftueshme për t’i mbrojtur ata nga diskriminimi.
“Në aspektin ligjor, Shqipëria është shumë më përpara se edhe disa vende të Bashkimit Europian sa i përket të drejtave të këtij komuniteti, por në praktikë mbetet shumë për t’u bërë për mbrojtjen e tyre nga diskriminimi,” thotë drejtori ekzekutiv i organizatës “Pro LGBT”, Kristi Pinderi.
Neni 163
Bashkëjetesa është një bashkim fakti midis burrit dhe gruas që jetojnë në çift, e karakterizuar nga një jetë e përbashkët, që paraqet një karakter stabiliteti dhe vazhdueshmërie.
Neni 164
Personat bashkëjetues mund të lidhin marrëveshje para noterit, ku përcaktojnë pasojat që rrjedhin nga bashkëjetesa lidhur me fëmijët dhe pasurinë gjatë bashkëjetesës.
Kodi i Familjes
Ai përshendet këtë hap të qeverisë shqiptare, megjithëse nuk e fsheh pakënaqësinë se komunitetit LGBT i duhet shpesh të luftojë i vetëm për të drejtat që duhej të garantoheshin nga shteti.
Ndryshimi i Kodit të Familjes pritet të shkaktojë debate të ashpra dhe të hasë rezistencë mes grupeve konservatore në Kuvendin e Shqipërisë. Kundërshtitë e para nuk vonuan të bëhen publike, edhe pse ligji është ende në fazën e përgatitjes.
Deputeti i Partisë Demokratike , Tritan Shehu e quajti këtë ndryshim, një atentat që mazhoranca e majtë e Edi Ramës po i bën familjes. “Futja e bashkëjetesës mes homoseksualëve në Kod i hap rrugën martesave gay. Kjo do të thotë shkatërrim i bazës së familjes,” shkruan Shehu në profilin e tij në Facebook.
Por Kristi Pinderi e sheh këtë hap si një detyrim që Shqipëria duhet të plotësojë përballë Këshillit të Europës në garantimin e të drejtave të barabarta për të gjithë shtetasit e vet.
Marrë nga reporter.al
Ecovolis prezanton këtë vit për herë të parë një konkurs për poezinë e prozën më të mirë.
Qëllimi i Biçikletërsisë është sensibilizimi PËRMES SHPREHISË LETRARE i një numri sa më të madh qytetarësh, artistësh e dashamirësish me temë MJEDISIN ne tërësi, e në veçanti përdorimin e përditshëm të mjetit ekologjik ME DY RROTA.
Ky konkurs synon të vlerësojë të gjithë ata të vegjël, të rinj e të rritur (qofshin ata shkrimtarë të njohur apo artistë në fillesat e tyre) të cilët kanë deshirë apo domosdoshmëri të thonë/shprehin/rrëfejnë diçka në lidhje me temën.
RREGULLORE
1.Biçikletërsia u drejtohet të gjithëve, pa dallime moshe apo vend-banimi. Regjistrimi eshtë falas.
2. Veprat duhet të jenë të shkruara në gjuhën shqipe e nuk duhet të jenë te publikuara askund (qoftë edhe online) para datës 25 nëntor, datë që përkon edhe me nisjen e garës.
3. Çdo pjesëmarrës duhet të garantojë origjinalitetin e veprës së dërguar, që do të thotë: vepra nuk është krijuar nga të tretë por nga vetë dërguesi.
4. Autori mund të marrë pjesë me një krijim të vetëm e në vetëm njërën prej kategorive.
5. Veprat do të gjykohen nga NUMRI I PËLQIMEVE të marra në faqet online tek të cilat aktiviteti do të promovohet si dhe nga vendimi I pakundërshtueshëm I JURISË SË PROFESIONISTËVE.
6. Për kategorinë “POEZI” krijimi I dërguar nuk ka një numër- kufi rreshtash apo vargjesh.
7. Per kategorinë “PROZË” pranohen krijimet prej 30 rreshtash.
8. Krijimet e përfunduara, duhet të jenë në format PDF e të dërgohen në adresen [email protected] deri në datën 20 dhjetor 2014, bashkë me të dhenat e dërguesit, e një adresë e-mali aktive.
9. Ecovolis ka të drejtën e publikimit të veprave të dërguara, përmes botimit, pa detyrime ndaj autorit. E drejta e autorit sigurisht mbetet e këtij të fundit.
10. Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 25 dhjetor në Tulla Center. Skuadra Ecovolis do të përkujdeset për njoftimin e pjesëmarrësve, e fituesve me detaje të mëtejshme.
11. Prania e autorëve fitues në ceremoninë e sipër përmendur është e domosdoshme: në rast mos- pjesëmarrjeje ata duhet të dërgojnë një zëvëndësues të tërheqë çmimin.
12. Skuadra Ecovolis merr të drejtën të implementojë “çmime speciale” apo “çmime shtesë” gjatë kohës së zhvillimit të garës.
13. Pjesëmarrja në konkurs sjell automatikisht edhe përvetësimin e pranimin e rregullores.
JURIA
Edmond Tupja – Shkrimtar
Sulejman Mato – Shkrimtar
Anxhela Çikopano – Shkrimtare
Blendi Salaj – Gazetar
Mimoza Bici – Shkrimtare
Flutura Maci – Shkrimtare
ÇMIMET
Kategoria 1: Poezia / 3 fitues – 3 kite Ecovolis (Biçikletë, set Trasta si dhe një libër)
Kategoria 2: Proza / 3 fitues – 3 kite Ecovolis
Kategoria 3: “Junior Kids &Teens” / 3 fitues – 3 kite Ecovolis Junior (Bicikletë për fëmijë, Trasta Junior e një libër nga Bibliotekat e vogla)
Nga Mero Baze
Ka një retorikë të shtuar të kryeministrit, por edhe të disa ministrave, që në kuadrin e masave represive për vendosjen e autoritetit të shtetit, po përmendin përditë e më shumë fjalën burg. Po e përdorin këtë për personat që kapin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, për ndërtimet pa leje etj… Sot u kalua më në ekstrem, kur kryeministri përmendi si mundësi burgosjen për detyrime tatimore edhe të punëtorëve të pasiguruar.
Që shteti tregon dhëmbët për të mbledhur detyrimet e tij, bën mirë. Mirë bën edhe që po u jep fund teorive të amnistive dhe fillimit nga viti zero për detyrimet e vjetra. Por, është tjetër gjë të flasim për detyrimet ligjore që kanë shtetasit ndaj qeverisë, dhe tjetër gjë për projektet e reja ligjore që ka qeveria kundër shtetasve të saj. Kjo e dyta duhet ndarë nga e para, nëse ka ndërmend të bëhet vërtetë.
E them këtë, sidomos kur dëgjoj kryeministrin të flasë për burgosje lidhur me detyrimet tatimore apo punonjësit e pasiguruar. Ky nuk është një detyrim i sotëm ligjor i shtetit shqiptar, pasi veprimtaria tatimore dhe raportet punëdhënës- punëmarrës janë të rregulluara me Akte Administrative dhe jo me Kodin Penal. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë është shprehur se asnjë ligj i zakonshëm shqiptar nuk mund të parashikojë dispozita penale dhe si pasojë, askush nuk mund të ngarkohet penalisht për shkelje të një dispozite administrative.
Por, e thënë nga kryeministri, kjo është një çështje serioze. Dhe e vetmja mënyrë, që ta kuptojmë si kërcënim real, është që të mendojmë se qeveria do ta përfshijë në Kodin Penal këtë ndëshkim. Nëse e bën, atëherë kemi një ndryshim rrënjësor të raporteve të biznesit me shtetin.
E para, nëse detyrimi tatimor përfshihet në Kodin Penal, nuk duhet të ketë parapagim detyrimesh që t’i ngarkon administrata tatimore gjatë kontrolleve, pasi njeriu prezumohet që është i pafajshëm deri ditën e gjykimit kur ngarkohet me faj nga gjykata. Ky element dëmton rëndë efiçencën e administratës tatimore, e cila siguron të ardhura të konsiderueshme nga këto praktika të parapagimit të gjobave dhe pastaj ankimimit të tyre.
Së dyti, konvertimi në ditë burgu i detyrimeve tatimore (p.sh një ditë burgu për 10 mijë lekë), mund të mbushë burgjet me biznesmenë, por nuk mbush arkën e shtetit me lekë, pasi rriten kostot e burgjeve dhe shteti humbet dyfish. Praktikat më të mira perëndimore, janë ato të sekuestrimit të mallrave dhe të pasurive të biznesit debitor, nëse ai nuk ka shpresë për ringritje.
Së treti, duhet të shfuqizohet i gjithë kapitulli për ligjin tatimor. Nëse e konverton në vepër penale, duhet të ikin gjithë procedurat e mbledhjes me forcë të detyrimeve dhe këtu është sërish problemi i sekuestrimeve dhe nxjerrja e tyre në ankand për të mbushur arkën e shtetit. Pra, dhe ky prioritet që kanë tatimet, bie.
Së katërti, kemi precedentin e shpalljes si të pafajshëm të personit që akuzohet si debitor dhe atëherë shteti duhet t’i kompesojë atij ditët e burgut, të cilat nga ana e tyre si dëmshpërblim, janë të patatueshme dhe jemi përsëri në një gropë fiskale të shtetit.
Së pesti, vetë doktrina penale në Shqipëri nuk të lejon që të ketë dënime penale për akte të nxjerra nga administrata tatimore apo policia, pasi ashtu i bie që Drejtoria e Tatimeve dhe ajo e Policisë, të zëvendësojnë Prokurorinë. Taksat në bazë kanë aktin administrativ, i cili aktualisht goditet në gjykatë. Këtu, problemi lind se kur duhet arrestuar “dikush”, para ankimimit apo pas ankimimit.
I gjithë ky mishmash ligjor që prodhohet nga deklarata të tilla, në vend që ta forcojnë shtetin, kam frikë se e çorodisin më shumë. Dhe shkojnë në të kundërt të efektit që kanë vetë masat fiskale dhe forcimi i administratës tatimore apo administratave të tjera, si ajo ndërtimore, elektriko- pyjore, inspektoriati i punës etj.
Nuk është burgu ai që tremb biznesin, por është biznesi, ai nga i cili duhet të trembet një shtet kapitalist. Biznesi është i vetmi motorr që mban gjallë shoqërinë dhe në Shqipëri, edhe për kushtet specifike të saj, ata janë të vetmit njerëz që punojnë 20 orë në ditë. Punëdhënësit shqiptarë, ata që janë të mbytur në kredi dhe njëmijë telashe me recesionin ekonomik, është shpëtim t’u thuash se do i çosh në burg, pasi u japin fund telasheve të tyre. Por, shoqëria, dhe sidomos ekonomia, ka nevojë për nota optimiste dhe një qasje pozitive ndaj atyre që duan të investojnë në këtë vend. Ata që ofrojnë mundësi punësimi apo që investojnë paratë e tyre me biznes në këtë vend, janë të vetmit patriotë të këtij vendi. Të vetmit që bëjnë diçka për këtë shtet, të cilit partitë ia kalojnë njëra pas tjetrës stafetën e batakçinjëve të administratës, që e rrjepin dhe e bëjnë gjithnjë e më të dobët.
Më ngadalë kur ngrini zërin dhe tregoni me gisht nga ata njerëz për burg. Dhe mbi të gjitha, më ngadalë, për të mos u dukur që s’keni shumë haber nga shteti dhe ligjet, kur mendoni se po përmende fjalën burg, i ke trembur vërtetë. Njerëzit e ditur e dinë nga se kanë frikë, pasi i dinë ligjet. Ata mund të tremben vetëm nëse kuptojnë se deklarata të tilla janë serioze. Dhe nëse janë serioze deklarata të tilla, nuk është serioz shteti.
Në një ceremoni të organizuar në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli” u shpallën fituesit e konkursit kombëtar “Unë Milosao”.
Dhjetë të rinj janë shpallur fitues mes 232 nxënësve të shkollave të mesme që kishin aplikuar nga shumë qytete të Shqipërisë. Fituesit e këtij konkursi janë:
Risilda Osmani, Shkolla “Sinan Tafaj”, Tiranë
Neim Mustafaraj, Shkolla “Ramiz Arianitasi“ Çorovodë
Rea Godo, Shkolla “ Arsakeo” Tiranë
Pamela Muço, Shkolla “Themistokli Gërmenji”, Korçë
Blerina Kanxha, Gjimnazi “Dhaskal Todri” Elbasan
Olisa Tome, Gjimnazi “Ismail Qemali” Tiranë
Livia Hoxha, Gjimnazi “Faik Konica” Tiranë
Idva Tusha, Shkolla “Sadik Stavaleci” Kashar
Juela Mërdhoqi, Lezhë
Tea Mastori, Gjimnazi “Sami Frashëri” Tiranë
Ministria e Kulturës, Mirela Kumbaro, theksoi se interesi i të rinjve për veprën e arbëreshit Jorenim De Rada ishte i jashtëzakonshëm në këtë 200 vjetor të lindjes së tij.
Lexoni më shumë në gazetën Shekulli
Tarifa e re e energjisë do të jetë mesatarja e dy çmimeve që paguajmë sot me dhe pa fashën 300 kWh/muaj. Këtë e bëri të ditur dje, në Fier, Kryeministri Edi Rama, i cili foli për herë të parë sa do të jetë konkretisht çmimi i ri i energjisë. Duke bashkëbiseduar me fierakët në “Forumin qytetar”, Rama deklaroi se “heqja e fashës do të thotë që do të shkojmë në një çmim të njëjtë dhe të mesatarizuar. Çmimi do të jetë i mesatarizuar, që në asnjë mënyrë nuk do të kapë ato tavane për të cilat predikon ditë-natë, kush do anarki, kush do rrëmujë dhe kush do që Shqipëria të vazhdojë të jetë rrumpallë për të mundur të përfitojë nga mjegulla, që la pas dhe që kërkon ta shfrytëzojë tani për të penguar punën tonë”.
Përllogaritjet
Duke llogaritur se Enti Rregullator nuk do të sjellë surpriza në vendosjen e tarifës së re të energjisë për konsumatorët familjarë, mund të bëjmë disa përllogaritje të çmimit të unifikuar, pra të mesatarizuar. Deklarata për heqjen e fashës mbrojtëse 300 kWh/muaj, solli deklarata dhe kundërdeklarata për çmimin e ardhshëm të energjisë elektrike. Në skemën ekzistuese me fashë për konsumatorët familjarë, kur harxhojnë deri në 300 kWh në muaj, çmimi i energjisë u llogaritet me 7.7 lekë/kW (9.24 lekë/kWh me TVSH).
Kur kalohet konsumiprej 300 kWh, atëherë e gjithë sasia e energjisë elektrike që shpenzohet nga 301 kW e sipër llogaritet me çmimin 13.5 lekë/kW (16.2 lekë/kW me TVSH). Varianti i ri që paralajmëroi Kryeministri për konsumatorët familjarë, është pagesa e një çmimi mesatar të njëjtë për të gjithë, pavarësisht sasisë së konsumit. Pra, përafërsisht tarifa e re e energjisë do të jetë 10.6 lekë/kW (pa TVSH-në).Diferenca maksimale në çmim midis skemës aktuale dhe asaj pa fashë konstatohet për një familje me konsum fiks 300 kWh në muaj. Me skemën e re, shtesa maksimale që do të paguhet në çmim është 1044 lekë. Kur ngrihet konsumi mbi vijën 300 kWh, diferenca e rritjes së tarifës fillon dhe bie. Shtesa bëhet zero, kur konsumi arrin fiks 600 kWh/ muaj. Mbi këtë konsum përfitimi është në favor të familjarëve.Duke e konkretizuar me shembuj, diferenca e pagesës me dy çmimet, përfshirë TVSH-në, do të jetë: Për një familje që harxhon 100 kWh në muaj, 348 lekë më tepër në faturën e energjisë elektrike; për konsumin 200 kWh/muaj, 696 lekë; për konsumin 300 kWh/muaj, rritja është 1044 lekë. Por, për një familje që harxhon 600 kWh në muaj, diferenca e shumës që paguhet nuk ndryshon.
Lexoni më shumë: http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/12/02/rama-cmim-mesatar-per-energjine-tabela-perllogaritjet-per-familjaret/
Një përshkrim i munguar për një projekt unikal në qytetin që kërkon të tërheqë vëmendjen jo vetëm të turistëve por sidomos të atyre që ende jetojnë atje
Kam patur fatin të qëndroj dy herë në shtëpinë e restauruar të Babametove në Gjirokastër. Herën e parë ishte qëndrimi gjatë dy ditëve të lagështa e me shi të nëntorit një vit më parë. Ndërsa vizita e dytë ishte një drekë që mundëm të konsumonim në katin e parë të shtëpisë, e që kishte në menu gatime të thjeshta e tradicionale.
Për shkak të punës, unë udhëtoj shumë shpesh. Por jam shumë i sinqertë kur them se ndjesia e të qënit mik në shtëpinë tashmë hostel të Babametove është shumë e veçantë.
Në dhomat e mëdha e gati gati mitike të asaj shtëpie te madhe gjirokastrite mund të dallosh lehtë dorën e restauratorëve të cilët kanë ruajtur deri në fund ngjyrat dhe materialet e hershme. Druri i ri i përdorur për të plotësuar strukturat dikur të rrënuara të kësaj shtëpie të madhe, është vërtet me ngjyrë më të lehtë se druri i vjetër por kjo, në thelb është ndjesia më e bukur kur gjendesh atje: kupton se tradita dhe vlerat e së kaluarës mund të shpëtohen.
Shtëpia e Babametove ka një pozicion strategjik mbi qafën e pazarit në Gjirokastër. Eshtë lehtësisht e akesueshme, është e pajisur me internet, është afër çdo gjëje tjetër me vlerë e histori në atë qytet, dhe është një ambient ku njerëz të mirë dhe profesionistë punojnë çdo ditë për ta shndërruar në një shtëpi model e në një shembull se si mund të funksionojnë dhjetëra shtëpi të tjera të braktisura në atë qytet.
Në një prej salloneve me dysheme druri në katin e dytë mund të shikoje fotografi unikale të familjarëve që nga vitet 20-të të shekullit të kaluar e më pas. Ajo hapësirë e shtëpisë ishte një muze i mirëfilltë fotografik që të linte shijen e një epokë të harruar që befas kishte ndalur vetëm aty, në katin e dytë…
Eshtë shumë interesante historia e dhjetëra e dhjetëra pasardhësve të asaj shtëpie të cilët jetojnë në kontinente të ndryshme sot. U bashkuan si në asnjë rast tjetër më parë tek ideja që pati Fondacioni Gjirokastra e CHwB e të tjerë partnerë lokalë e ndërkombëtarë jo vetëm për ta restauruar shtëpinë e të parëve të tyre por edhe për ta shndërruar në një ambient funksional. Eshtë një histori e mirëfilltë suksesi në Gjirokastër.
K. Pinderi
Këtë letër e kam shkruar para shumë kohësh me shpresën se ime më a dikush tjetër do ta lexonte në kuriozitetin për të zbuluar se ç’bëja unë në kompjuter tërë kohën.
Sot preferoj ta ndaj me ju, me shpresën se ndoshta dikush mund ta lexojë, mes tyre dhe ime më, e ndoshta diçka ndryshon.
***********************
Nuk është hera e parë që marr mundimin të shkruaj, në letër të hedh frikën time…
Nuk është hera e parë që vetes i servir si dëshmi të asaj ç’ka jam, gërmat e shtypura në tastierë, që i rilexoj sa herë vetja më duket më i fortë nga sa jam…
Shpesh më duket si një ritual i frikshëm ndaj vetes, ku pamëshirshëm e gjuaj me dëshminë e atyre momenteve ku siguria më braktis dhe frika më kaplon.
Frika, ndjesi e barabartë me çastet e vdekjes, të paktën këtë ndjesi kam.
Jo vdekje fizike, shpesh ajo është dhe një shpresë për të lënë pas gjithë trazirën e shpirtit dhe frikën nga nga një tjetër vdekje, ajo e mungesës së njerëzve.
Vdekje nga mungesa e ndjenjës së familjes, e poshtërimit të qënies, së personit…
Vdekje… ajo kur të mohojnë, të shtyjnë e të përbuzin..
Kjo është frika ime, e jo frika të them se kush jam.
Frika se nje ditë, ndonëse sigurisë sime, fuqisë që kam, do të gjendem krejt i vetëm, në harresë të atyre nejrëzve që dua më shumë.
Frikë nga mungesa e zërit tënd, frikë nga mungesa e pranisë së vazhdueshme e perqafimit të njerëzve që më mbushin “gjysmëjetën” me gëzim.
Gjysëm-jetë, kështu mund ta përkufizoj veten…
Një qënie që jeton në dy realitete paralele, të dyja me frikërat e të bukurat e tyre.
Ndoshta një ditë do mund të dish gjithçka mbi mua, të gjitha ato sekrete që t’i fsheh sa herë më pyet: Më thuaj diçka o bir, je kaq i heshtur, nuk më tregon asgjë.
Sa shumë do doja një ditë të t’i thoja, sa shumë do doja të bërtisja fort me shpresën se vetëm kështu do të nxirrja të gjithë vrerin dhe marazin.
Sa herë më thua ngele në kopjuter, ngele në celular, eja të flasim pak. Pa më thuaj, kur do na mbledhesh? E do nëna një nip a mbesë të bukur, të erdhi koha ty por edhe neve të gëzohemi.
Ky është momenti ku mendja më shkon larg, në errësira të pafundme dhe shpirti qan në brendësi kur mallkoj veten dhe Zotin se përse nuk arrij dot të jem i sinqertë.
Fundja e meriton, Nënë, e meriton për jetën që më dhe, për gjirin, për dashurinë e pakushtëzuar…
E meriton për mijërat fjalë të bukura, për besimin kur më mungonte… e meriton se fundja fal dashurisë tënde dhe aftësisë së përkryer si Prind jam ky që jam.
Por kam frike, se ndoshta nuk do të jesh më krenare, nuk do më shohësh më me ata sy dashamirës…
Druhem se ndoshta s’do të jem më Biri yt që të fal gëzimet e sukseseve, urtesisë dhe të mirësisë që i mësove ti dhe Babai.
S’do të jem ndoshta më, Vëllai i mirë…
Sa herë përballë teje kam qëndruar me zërin gati të nxjerr fjalët që Ti s’do doje kurrë t’i dëgjoje…
Sa herë kam preferuar t’ju qëndroj larg, të konsiderohem i pavarur, autonom, por e kam bërë që askush e asgjë të mos cënojnë qetësinë tuaj.
Sa shumë do të doja të të tregoja për herët që kam qarë, për herët që kam qeshur të “gjysmë-jetës” sime sekrete.
Sa herë jam ndjerë i poshtëruar, i prekur i ofenduar, në shkollë, në lagje e madje edhe në shtëpi sa herë rastiste të lëshohej ndonjë batutë për ‘ata si unë’.
Sa herë o Nënë, kam dashur t’i mbroj nga batutat nga humoret e pakripura, sa herë jam ndjerë i ulur dhe i shtrirë nga fjalët e nejrëzve të afërt.
Ata nuk flisnin për mua, unë isha vëllai, kushuriri dhe shoku perfekt…
Por në të vërtetë unë isha aty, dhe ishte kaq evidente që çdo batutë e lëshuar ndaj ‘atyre’ ishte një idiotësi e lidnur nga padija… nga mos njohja e një realiteti krejt tjetër, unë isha aty… por prap isha një “fundërinë”
Duhesha vrarë, djegur, shkërdhyer me tuba a kush e di çfarë tjetër sendi…
Dhe ti o Nënë në mendjen e disave ishe thjesht një e “mjerë”, herë ishe një bushtër, shkaktare e ‘bythqirllikut’ tim, sepse unë isha pjella inçestuale…
Sa herë me vete kam qeshur e kam qarë kur përballë të tilla fantazish makabre, pjellë e mendjeve të sëmura, ndihesh i dobët, i frikësuar… i braktisur…
Sa herë o Nënë të përqafoj, shpresoj që lidhja e mrekullueshme që lidh një nënë e një bir/bijë, si me magji të të servirë të vërtetën…
Fjalet, nuk dalin dot nga goja ime, te vetemet që më ndihmojnë janë gishtat mbi tastierën e kopjuterit…
E vetmja shpresë se një ditë ndoshta kurjoze do arrish të shtypësh një buton e do ti lexosh…
Por edhe këtë e kam frikë… nuk do të jetoja dot pa vështrimin tënd…
E ndonese ti më sheh në një të ardhme të shpejtë me dikë në krah, druaj të të them se nuk do të jetë ajo ç’ka ti pret prej meje…
Druaj, e me druajte do të rroj a do të vdes… e kështu të paktën një ditë do t’ju mbledh në dasmën e përjetshme.
E mendoj shpesh… më mirë vetëm nën dhe se sa i vetëm mbi tokë…
Ti do jesh përherë Mbretëresha ime, dashuria ime a pafund…
Këto shtëpi të vogla janë vendosur sot nga aktivistët e komunitetit Rom për të kundërshtuar prishjen e banesave të tyre në kuadër të ndërtimit të Unazës së Madhe.
Për më shumë rreth protestave Rome kundër prishjes së banesave klikoni këtu:http://historiaime.al/
Foto nga: #FrancZhurda/LSA
Deputetja e Partisë Demokratike Mesila Doda, thyen vendimin politik të opozitës dhe vendos të jetë në Parlament për të mbrojtur nismën e hapjes së dosjeve të regjimit komunist.
Ndërsa dorëzoi në Kuvend draftin për Ligjin e Lustracionit, deputetja Doda i bëri apel kolegëve të saj të djathtë që të vijnë në Parlament dhe ta votojnë këtë nismë. Apeli i deputetes Doda erdhi pasi u pyet nga gazetarët se di do ta mbrojë këtë nismë në kushtet kur opozita është në bojkot parlamentar prej muajit Korrik.
Mesila Doda nën shoqërinë e kreut të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, pjesë e koaliconit opozitar, dorëzuan në kryesinë e Kuvendit projektligjin e Lustracionit në mbështetje të nismës së shoqërisë civile.
Por Edi Paloka ka komentuar se “kete e bejne marionetat e Edi Rames per te zhurmuar problematiken e keq-qeverisjes”.
Dje në mbrëmje për herë të parë në historinë e saj, mbrëmja festive e pavarësisë nuk u bë në Pallat të Brigadave ku bëhet tradicionalisht, por në hotel Sheraton. Kjo nuk do të ishte ndonjë hollësi e rëndësishme, nëse do të ndryshonte vetëm vendi. “Për herë të parë, pritja zyrtare e pavarësisë së Shqipërisë u bë në tavolina të ulura si një darkë vdekjeje, ku të ftuarit duhet të hanin nga një pjatë supë dhe të luteshin për shpirtin e dikujt që kishte ikur”, shkruan Mero Baze te TemA.
Njerëzit u ulën në tavolina për të ngrënë, si në asnjë pritje tjetër në botë dhe në vetë Shqipërinë tonë modeste për nga sallonet, së paku nga viti 1991. U ulën, pasi dikush duhet të shikonte që në tavolinën qëndrore do të ishte ai me gruan e tij dhe i emëruari i tij në PD, me gruan e tij. Prishi gjithë festën duke përdorur qyqarin që ka emëruar president, vetëm që të shmangte rëndësinë e institucioneve të reja të shtetit shqiptar dhe të mos ishte si një i barabartë me të tjerët në sallën e pritjes në Pallat të Brigadave””, shkruan me tej Baze.
Për më tepër shikoni këto foto nga LSI
Foto nga Eriona Cami. Në kuadër të konkursit “Historia Ime”
(Foto ilustruese nga E. Cami/Historia Ime)
Gazetari i njohur i ekonomisë Gjergj Erebara analizon sot në një shkrim për reporter.al deklaratat e kryeministrit Edi Rama sipas të cilit ka rënie të cmimeve gjatë kohës që ai ka qeverisur për orizin, makaronat, miellin, mishin, zarzavatet, veshjet, nafta, etj. Sipas Erebarës nuk ka në këtë mes asnjë rol të qeverisë, madje ai sugjeron se rënia e cmimeve apo rritja tepër e ngadaltë e tyre konsiderohet si sinjal alarmi i një krize të thellë ekonomike.
“Fakti është që Banka e Shqipërisë është shumë e mërzitur me këtë situatë. Sipas saj, inflacioni është tepër i ulët. Ajo po lufton vazhdimisht prej vitesh për ta ngritur inflacionin në mbi 2 për qind në vit. Normalisht rënia e çmimeve, ose rritja tepër e ngadaltë e tyre, siç po ndodh aktualisht, konsiderohet si sinjal alarmi i një krize të thellë ekonomike, ku çmimet bien për shkak se konsumi është i ulët”, shkruan Erebara.
Roli i qeverisë?
“Statistikisht, këto të dhëna duket se janë marrë copy/paste nga Indeksi i Çmimeve të Konsumit, të publikuar nga Instituti i Statistikave. Në përgjithësi, edhe pse statistikisht të sakta, këto të dhëna janë thjeshtë një gënjeshtër; një përzgjedhje e të dhënave sipas interesit të personit që i përzgjedh”, shkruan Erebara. Sipas tij logjika e përdorur është ekonomikisht e pakuptimtë:
“Psh, rënia drastike e çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar si pasojë e luftës së OPEK ndaj prodhimit të naftës argjilore në SHBA, mund të ketë sjellë rënie të papërfillshme në çmimin e naftës në Shqipëri, por nuk duket asgjëkundi që në këtë zinxhir ngjarjesh të ketë patur ndonjë rol kryeministri i Shqipërisë. Sipas të gjitha gjasave, çmimi do të kishte rënë në tregun ndërkombëtar edhe sikur Shqipëria të kishte ndonjë qeveri tjetër, madje, do të kishte rënë edhe sikur Shqipëria të mos kishte fare qeveri”, shkruan Erebara.
Lexoni KETU shkrimin e plote
Sabrina Pabst (DW) analizon: Shumë populistë të djathtë evropianë bëjnë shpesh komente proruse. Front National në Francë akuzohet se merr kredi nga Rusia në vlera milionëshe.
Partia e ekstremit të djathtë në Francë Front National (FN) ka kundërshtuar një raport të medias se ka dashur të marrë hua 40 milionë euro nga një bankë ruse. “Kjo është e sajuar, është çmenduri”, tha kryetarja e partisë Marine Le Pen: “Ne kemi kërkuar nëntë milion euro dhe kemi marrë nëntë milionë euro.”
Front National ka nevojë për mbështetje financiare ndër të tjera për organizimin e një kongresi, që do të zhvillohet në Lion. Fronti National akuzohet prej kohësh se mbështetet me para nga Rusia. Shefi i bankës është një person i besuar i Putinit. Nëntë milionë janë dhënë ndërkohë.
Marine Le Pen flirton me Putinin
Përsa i përket financimit të partisë Front National ndodhet në vështirësi, sepse me sa duket nuk merr më kredi nga bankat franceze. Mbështjetja ruse vjen si me porosi. Sipas deputetit të FN në parlamentin evropian Jean-Luc Schaffhauser kredia prej nëntë milionësh është aprovuar, sepse kryetarja e partisë Le Pen ka marrëdhënie të mira me udhëheqësinë ruse përreth Vladimir Putinit.
Reinhard Bütikofer: “Armiqtë e lirisë evropiane në Moskë bashkëpunojnë me të djathtët radikalë evropianë.”
Marine Le Pen ka kritikuar fort sanksionet evropiane kundër Rusisë. Ajo vazhdimisht thekson në intervista: “Unë e admiroj Putinin” dhe akuzon BE, se po nxit një luftë të re të ftohtë. Le Pen ka kritikuar ashpër edhe qeverinë franceze, për mosfurnizimin e Moskës me një anije ushtarake të porositur për shkakun e krizës së Ukrainës.
Le Pen kritikohet.
“Është shumë e çuditshme, që nga toka mëmë e lirisë, një parti merr financime nga mjedisi i afërt i Putinit, armiku më i madh evropian i lirisë”, thotë Reinhard Bütikofer, eurodeputet i të Gjelbërve, për Deutsche Welle. Putini lufton me të gjitha mjetet vlerat evropiane. “Por që tani armiqtë e lirisë evropiane në Moskë bashkëpunojnë me të djathtët radikalë evropianë, kjo është një cilësi e re”, thotë ai. Sepse në Parlamentin e BE-së jo vetëm Marine Le Pen dhe anëtarë të tjerë të Front National janë bërë avokatë të Putinit, por edhe Nigel Ferage i United Kingdom Independence Party (UKIP) në Britaninë e Madhe. Edhe në partinë “Alternativa për Gjermaninë” ka deputetë, të cilët kanë bërë komente proruse.
Miqtë e Rusisë në Parlamentin Evropian
Nëse më parë zërat prorusë gjendeshin kryesisht në partitë e krahut të majtë në Parlamentin Evropian, sipas një studimi të Policy Research Instituts Political Capital në Hungari nga 24 partitë e djathta populiste 15 janë të hapura për Rusinë.
Stili nacionalist dhe autoritar i Putiniit nuk gjen admirim vetëm nga Front National. Partia hungareze Jobbik dyshohet të mbështetet nga Kremlini. Ajo është një admiruese e hapur e lojërave të Putinit për pushtet. Referendumi i Krimesë konsiderohet nga anëtarët e partisë si “shembullor”. Në këtë mënyrë edhe minoritetet hungareze në Sllovaki dhe Rumani do të mund të ndryshonin kufijtë, thonë anëtarët e saj.
Pasojat juridike të mundshme
Radikalët e djathtë të Europës nuk e fshehin se duan ta dobësojnë BE. Më këtë qëndrim ata arritën të fitojnë vota në zgjedhjet e fundit evropiane. Skandali për financimin milionësh i vjen Front National në një moment shumë të papërshtatshëm. Në fundjavë Marine Le Pen do të rizgjidhet si kryetare partie. Kredia nga banka ruse mund të ketë edhe pasojë ligjore: Gjykatësit francezë po zhvillojnë hetime për shkak të mundësisë së financimit të paligjshëm të partisë Front National. Ndoshta së shpejti ata do të interesohen të hetojnë edhe për paratë e marra nga Kremlini.
Historiaime.al është një zë i pavarur në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ne raportojmë si për shkeljet e të drejtave të njeriut ashtu edhe për histori njerëzore që i promovojnë këto të drejta. Ky projekt synon të ndryshojë qëndrimet jo fort etike karshi të drejtave të njeriut nga ana e medias kombëtare si ajo e shkruar, ashtu edhe ajo vizive dhe media e re online.