Ligji për Minoritetet njeh zyrtarisht komunitetin egjiptian si pakicë kombëtare
Projektligji “Për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare”, i propozuar në mbledhjen e fundit të qeverisë njeh ligjërisht komunitetin egjiptian si minoritet.
Kështu sipas ligjit, pakicat kombëtare në Republikën e Shqipërisë janë pakicat greke, maqedonase, vllahe/arumune, rome, egjiptiane, malazeze, boshnjake, serbe.
Ky draft ka qenë një kërkesë e vazhdueshme drejtuar qeverisë shqiptare nga ana e aktivistëve të komunitetit egjiptian.
Përmes këtij ligji bëhet e mundur njohja ligjore e këtij komuniteti si pakicë kombëtare dhe detyrimi për t’i garantuar të drejtat si çdo komunitet tjetër.
Në përkufizimin e ligjit thuhet se një pakicë kombëtare është një grup shtetasish shqiptarë që banojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, kanë lidhje të hershme dhe të qëndrueshme me shtetin shqiptar, shfaqin karakteristika dalluese kulturore, etnike, gjuhësore, fetare ose tradicionale dhe të cilët janë të gatshëm për të shprehur, ruajtur dhe zhvilluar së bashku identitetin e tyre të dallueshëm kulturor, etnik, gjuhësor, fetar ose tradicional.
Sipas qeverisë, ndryshimet në ligj u bazuan në kërkesën e përfaqësuesve të pakicave kombëtare dhe në përputhje me kriteret e Konventën Kuadër të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare.
Projekt ligji “Për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare”:
http://www.kryeministria.al/al/newsroom/projekt-ligj/projektligje-te-miratuara-ne-mbledhjen-e-keshillit-te-ministrave-date-12-prill-2017&page=1
/l.k./