Depresioni në rritje midis shqiptarëve

Depresioni është një gjendje komplekse mendore dhe emocionale, e lidhur zakonisht me të qenët i trishtuar, duke ndikuar negativisht tek produktiviteti mendor dhe lëvizjet.
KSipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përqindja e popullsisë globale me depresion vlerësohet të jetë 4.4%. Ky proporcion ndryshon sipas gjinisë dhe moshës.
Situata në Shqipëri duket më e rënduar përsa i përket të prekurve nga ‘sëmundja e shekullit’. Referuar të dhënave të një studimi të përbashkët midis Institutit të Shëndetit publik dhe INSTAT, të dhënat tregojnë se në vitin 2018, 60-70 për qind e të anketuarve gra dhe 57% e burrave pohuan se kanë kaluar një përvojë depresioni gjatë dy javëve para studimit.
Të dhënat tregojnë se 13% e grave dhe 18% e burrave të moshës 15-59 vjeç ishin shumë depresiv në këto javë.
Ekspertët e Shëndetit Publik pohojnë se diagnostikimi i depresionit si një çrregullim mendor kërkon shqyrtim të përpiktë dhe se si çrregullim është i nënraportuar, për shkak të stigmës.
Për shkak të këtij kufizimi, rezultatet e anketës 2018 nuk përfaqësojnë matje të saktë të prevalencës së depresionit në Shqipëri, por vetëm një vlerësim të përqindjes së njerëzve që raportojnë se janë ndier në depresion në kohën e intervistës.
Për të dyja gjinitë, depresioni rritet me moshën dhe është më i lartë në zonat rurale. Gjendja ekonomike është një faktor themelor që çon në depresion. 14% e grave në rangun më të ulët të pasurisë kanë përjetuar depresion për shumë kohë dhe 4% kanë raportuar se janë në depresion gjithë kohës edhe gjatë periudhës së sondazhit.
Një pasqyrim më të qartë të gjendjes dhe shifrave gjithnjë në rritje, mund të zbulojë dhe rritja e kërkesës për medikamentet qetësuese dhe anti-depresivët. Në raportimin e tyre, revista Monitor, duke ju referuar të dhënave të marra nga Drejtoria e Doganave shprehet se importet e Loram-it, Xanax-it dhe Citolex-it janë rritur ndjeshëm tre vitet e fundit. Për vitin 2016, ato janë 6-17% më të larta sipas llojit të medikamentit. /k.j
Burimi: Monitor