Dita kundër homofobisë…
Mëngjesin sot e nisa pak vonë, dhe sa hapa telefonin shoh një urim në një grup pune, ”Gezuar cuna ju qe e festoni”, e pak para se të nisja të shkruaja këtë artikull një tjetër nga një tjetër koleg ”Gzuar 17 majin” bashkangjitur një fotoje të Edi ramës dhe Emanuel Macron të kapur për dore.
Për t’ia nisur debatit, duhet veç me qenë çift për tu kapur për dore?
Duke njohur kontektstin, e vetë kolegët që i kanë dërguar këto mesazhe, e di mirë që është ironike, dhe një shaka, për të cilën në fakt nuk është se ka ndonjë kokëçarje të veçantë.
Por, a është për të bërë ironi, pikërisht ne, të edukuarit, të gjithëditurit e Unazës së vogël të Tiranës?
Apo mos është më e mira ti urojmë durim, e ti dhurojmë mbështetje vetes, një miku a familjari që po kalon sfida me gjininë e seksualitetin e vet. Apo të frymëzojmë dikë që i ka kapërcyer këto sfida ta amplifikojë zërin e vet.
Megjithatë, sesa t’iu tregoja të gjithëve ju një arsye, fakt apo dije mbi 17 majin e pse kjo ditë është cilësuar kundër homofobisë, më mirë t’iu tregoj një të vërtetë më të prekshme, më personale.
Para se ndërgjegjjen ta kisha kaq të fortë sa e kam sot, 17 majin gjithmonë e kam mbajtur mend, si një datë e sikletshme, që nuk duhej përmendur shumë, nuk i duhej referuar, larg qoftë të kishte kush datlindjen. Një datë në mes të muajit ku doemos do kishte ndonjë nënqeshje ndër buzë, a ndonjë shaka më komike.
Sepse për sa dija unë, me dashuru një djalë një djalë, një vajzë një vajzë, të dy, me pas qenë lindur vajzë e të jesh bërë djalë, mos të kesh interesa romantike e seksuale ishin tema që i dëgjoje vetëm te Arian Cani, intervista me zë të ndryshuar e pa fytyrë, e imazhe të çartura, të vërteta abstrakte, larg realitetit, gjithmonë një gabim.
Me 17 maj në zheg, duhet të ketë qenë diku viti 2016 dikush që nuk ia kisha qejfin më tha ”gëzuar”
, kur po kaloja me biçikletë pranë rrapit qindravjeçar të qytetit ku kam lindur e rritur. Ai çast e mënyra se si stomaku më është përmbysur, i mbaj mënd mirë prej se kalova kohë duke u përgatitur si do të kundërpërgjigjesha po të më ndodhte përsëri.
E qortoj veten që jam mërzitur, jam mërzitur se dikush më tha ”gëzuar”, që u ndjeva i dobët se dikush më uroi në ditën e gejve e lesbikeve.
Sot, është ndrysh, e di që nuk është një ditë për të gëzuar, as një ditë për gejt e lesbiket, por është, një ditë për me u kujtu me i tregu mahallës më fort se dashuria mundet me qenë n’ lloj-lloj trajtash.
E nxitja jonë për ta kornizuar vetëm në mashkull e femër është veç e jona, e gabim që duhet ta zgjidhim me veten.
Për ne që kemi rënë në dashuri, apo provuar sadopak forcën e madhështinë e saj, është krejt e padrejtë t’ia kufizjmë dikujt me shprehë atë çka i ndjen zemra, për hir të disa normave shoqërore.
Paçim mënd e durim për të qenë vetvetja.