Kush e kërcënon Akil Panon?!

Ne datën 07/09/2021, pastori Akil Pano publikoi në profilin e tij në facebook një fjalë të mbajtur në kishën që ai drejton. Në atë fjalë të mbushur me kundërshti dhe me pasaktësi, Z. Pano, i cili që nga viti 2008 investon për ngritjen e kultit të vet, tregoi ndër të tjera se e kishin kërcënuar me jetë, atë dhe familjen e tij.
Në një deklaratë të mëhershme të po të njëjtës datë në televizion, Z. Pano, i pyetur nëse këto kërcënime i lidhte me anëtarë të komunitetit LGBTI+, la të kuptohej se nuk kishte asnjë arsye për të besuar ndryshe. “Në rast se kjo është e vertetë, -tha për Historia Ime Xheni Karaj, -atëherë e dënojmë me forcën më të madhe si një rast të gjuhës së urrejtjes dhe e inkurajojmë Z. Pano dhe institucionet përkatëse drejt një hetimi të drejtë. Po kështu, shpresojmë që pastori të ketë mundësi të kuptojë se si këto kërcënime, fyerje dhe denigrime nuk përbëjnë e as nuk duhet të lidhen me të drejtën për liri shprehjeje e po kështu të kuptojë se si ndihen anëtarët e komunitetit LGBTI+, që kërcënime si këto që ai thotë se ka marrë, i lexojnë e përjetojnë qindra herë, jo vetëm në mesazhet e tyre private, por edhe në komente publike kërcënuese e fyese, të cilat nuk mungojnë as në profilin e vetë pastorit nën postimet që ai kryen lidhur me komunitetin LGBTI+”.
Në vijim, pasi kemi marrë pëlqim nga subjekti që ka dërguar këtë mesazh në adresë të Aleancës LGBTI, po ndajmë vetëm një shembull jetësor nga frika dhe trauma që shkakton retorika e urrrejtjes, në këtë rast e montuar nga persona publikë ndaj anëtarëve të komunitetit LGBTI+. Sikundër e kemi pohuar sa herë na është dhënë mundësia, gjuha që frymëzon urrejtje duhet ndaluar njëherë e përgjithmonë nga mediumet publike, pasi pasojat që ajo sjell janë të rënda e të pakthyeshme për këdo.