Pse të mos votoni Aulon Kalanë?

Sot në një ditë heshtjeje zgjedhore ky artikull nuk vjen në hir të asnjë inciative për të ulur apo ngritur ndonjë forcë politike.
Vjen për t’ ju bërë ju më të ndërgjegjshëm dhe për të treguar një panoramë më të gjerë të alternativave të përfaqësisë politike, emrat e të cilëve do t’iu shfaqen nesër në fletën e votimit.
E fundit vjen nga Aulon Kalaja i cili në një seri shprehjesh e sjellesh homofobe kërkon të marrë votën në kurriz të hedhjes së vrerit ndaj komunitetit LGBT.
Shprehimisht ai thotë se:
”Unë babës i them babë, e jo Prindi 1”
”Ka ndodhur një skandal para pak kohësh në Tiranë, janë futur 2 gra dhe janë martuar në Bashkinë e Tiranës, kjo nuk është e ligjshme”
”Unë do t’marr iniciativën kryesore nëse do t jem n’parlament për ndalimin e proagandës LGBTQI, dhe kto gërmat e tjera nepër shkolla”
”Nuk mund t’jenë ata shembuj t fmijëve tanë, nuk mund t’nxjerrim n’ televizion njerëz që kanë probleme dhe mund t’kthehen n’shembuj të kqinj për fëmijët tanë”
Tani, po të merrnim fjalë për fjalë dhe komentonim pohimet e Z. Kalaja ky artikull nuk do mbaronte deri në numërim të votave, megjithate një koment të përmbledhur:
Së pari, për të disatën herë është themelore të përmendim që nuk ka patur kurrë një iniciativë për asocimin e emrave të prindërve në dokumenta shtetërore me Prindi 1 apo 2. Dhe mund ti japim fund një herë e mirë kësaj fushate populiste e cila veç rrënjos thellë e më thellë urrejtje e inat në kurriz të një një gënjeshtre.
Së dyti, nuk është një skandal të shprehësh dashurinë e të celebrosh mes miqsh dashurinë. Nuk ka patur një lidhje martese zyrtare, duke qenë se kodi i familjes nuk e lejon martesën homoseksuale.
Z. Kalaja ato gërmat e tjera janë individë siç jeni edhe ju. Njerëz me një jetë, familje, historik, e dinjitet për të cilët ka gjithnjë e më shumë diskriminim pikërisht prej mos edukimit për diversitetin, seksualitetin e gjininë në institucione arsimore. Dhe ka një ndryshim të madh mes propogandës për të kthyer individ në LGBTQ+, e edukimit për të respektuar e për të njohur një të vërtetë që jeton mes nesh.
E keqja që jeton mes nesh është urrejtja, mëria dhe mungesa e respektit e cila dukshëm është mishëruar në ju, e kandidatë të tjerë për të cilët kemi folur edhe më parë.