Për tetë muaj, asnjë njohje për Kosovën
Ndonëse kanë kaluar më tepër se 100 ditë nga formimi i ekzekutivit të ri kosovar, Kosova nuk ka marrë asnjë njohje të re. Shteti i fundit që e ka njohur Kosovën janë Ishujt Solomon, më 13 gusht 2014.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme (MPJ), Petrit Selimi, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se angazhimi i MPJ-së, për njohje nuk ka të ndalur. Selimi ka theksuar se ata si ministri tani kanë në fokus formalizimin e integrimeve evropiane të Kosovës, duke nënshkruar kështu Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit (MSA).
“Ky proces (i njohjeve) kërkon lobim permanent. Procesi i njohjeve bilaterale është poashtu i pandalshëm, por Kosova tani ka një diplomaci më të diversifikuar, me prioritete të zgjeruara, si MSA-ja, kandidatura për anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), pjesëmarrja aktive në koalicionin global kundër radikalizmit, Partneriteti për Paqe me NATO-n. Prandaj njohjet nuk ndalen, por tani përfshijnë edhe organizatat dhe instrumentet multilaterale”- ka thënë ai.
Ndërsa, duke folur për mosnjohjen e Kosovës nga ana e Izraelit, Vatikanit dhe pesëshes të vendeve të BE-së (Sllovaki, Rumani, Qipro, Spanjë, Greqi), Selimi ka theksuar se Kosova ka raporte miqësore dhe ndërveprim të rregullt me shumicën e vendeve të lartcekura, përfshirë këtu sipas tij, vizitat dhe shkëmbimet zyrtare, si dhe dialogun intensiv për njohjen e Kosovës nga ana e këtyre vendeve.
“Edhe aleatët e Kosovës po lobojnë intensivisht prapa skenës. Ne presim që së paku dy nga pesë shtetet e BE-së të reflektojnë mbi realitetin e ri në Ballkan, ndërsa shumë shpejt do të shpallim një lajm të veçantë nga një prej shteteve më të mëdha të botes, e që ka të bëjë me pozitën ndërkombëtare të Kosovës” – ka shtuar ai.
Para pak ditësh për mungesën e njohjeve pati folur edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesën e njohjeve. Në rrjetin social Facebook ai ka thënë se “kryeministrat Mustafa e Thaçi – gati 100 ditë qeverisje pa asnjë njohje të re”.
“Po bëhen 100 ditë të qeverisjes tuaj me dy kryeministra, Mustafa – Thaçi. A do ta sillni të paktën një njohje brenda këtyre 100 ditëve. Apo, vetëm po silleni e po pështilleni njëri brenda e tjetri jashtë, duke harruar për çka paguheni nga qytetarët e Kosovës. Rëndësia e shtimit të numrit të njohjeve për Kosovën është e madhe, sidomos pas përkeqësimit të imazhit që ju i shkaktuat Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.
/Telegrafi