“Kanceri i qafës së mitrës, kërcënimi i grave në Shqipëri”
Në kuadër të javës europiane të parandalimit të kancerit të qafës së mitrës, duke nisur nga data 25 janar edhe në vendin tonë, deri më datë 30 janar, do të zhvillohen aktivitete dhe trajnime të ndryshme për të rritur informimin dhe ndërgjegjësimin për parandalimin dhe zbulimin e saj në kohë. Specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Lumturi Mërkuri, flet për situatën e kancerit të qafës së mitrës në Shqipëri.
Sa është numri i të diagnostikuarave me kancer në qafën e mitrës në vendin tonë?
Në Shqipëri raportohen rreth 100 raste të reja çdo vit. Më tepër se gjysma e tyre diagnostikohen në stade të avancuara, kur trajtimi është pak efektiv dhe shumë i shtrenjtë. Tashmë është e njohur se kanceri i qafës së mitrës së bashku me kancerin e gjirit janë bërë kërcënim kryesor i shëndetit të grave në Shqipëri. Por, mosha e re e shfaqjes, krahasuar me llojet e tjera të kancerit, si dhe depistimi shumë i favorshëm i tij e bëjnë kancerin e qafës së mitrës një prioritet.
Nga se shkaktohet kjo sëmundje vdekjeprurëse?
Shkaktari kryesor i gjendjes parakanceroze dhe kancerit të qafës së mitrës është infeksioni i vazhdueshëm ose kronik me një ose më shumë lloje të virusit të papilomës humane HPV (Human Papiloma Virus). HPV është infeksioni më i zakonshëm viral i traktit riprodhues. Ka më shumë se 100 lloje HPV-sh, por shumë prej tyre nuk shkaktojnë probleme dhe mund të zhduken vetvetiu. Vetëm një pjesë e vogël, kryesisht llojet 16 dhe 18, shkaktojnë kancer. HPV-ja është infeksioni më i zakonshëm që merret gjatë marrëdhënieve seksuale. Por, ky infeksion mund të transmetohet edhe gjatë seksit jopenetrues, nëpërmjet kontaktit gjenital lëkurë me lëkurë. Shumica e grave dhe burrave seksualisht aktivë do të jenë të infektuar në një pikë gjatë jetës së tyre me HPV, disa edhe në mënyrë të përsëritur. Koha për marrjen e infeksionit HPV për gratë e burrat është pak pasi ata janë bërë seksualisht aktivë. HPV-ja mund edhe të mbetet e fshehur me vite pa dhënë asnjë shenjë sëmundjeje, por personat që e mbartin mbeten infektues për partnerët e tyre seksualë.
A janë të gjitha femrat të rrezikuara për tu prekur nga kanceri i qafës së mitrës?
Po, çdo grua mund të jetë në rrezik për kancer të qafës së mitrës, por një femër është më e rrezikuar për t’u prekur nëse: Ka filluar herët marrëdhënien e parë seksuale; ka partnerë seksualë të shumtë; ka partnerë, që kanë apo kanë pasur shumë partnere seksualë; Ka apo ka pasur më përpara një infeksion seksualisht të transmetueshëm; Përdor në mënyrë abuzive duhanin; Ka imunitet të ulët.
Me çfarë simptomash shfaqet kjo sëmundje?
Shenjat mund të përfshijnë: gjakderdhje jo të rregullt midis cikleve menstruale, ose gjakderdhje jonormale vaginale pas marrëdhënieve seksuale, dhimbje mesi apo në fund të barkut, lodhje, humbje peshe dhe oreksi, parehati vaginale ose sekrecione vaginale jonormale, dhimbje gjatë kontaktit seksual. Në faza të avancuara shfaqen edhe simptoma të tjera më të rënda.
Si parandalohet kanceri i qafës së mitrës?
Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon një sërë veprimesh për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës. Veprimet e rekomanduara përfshijnë që nga komponentët e edukimit të komunitetit, vaksinimin, depistimin, trajtimin deri te kujdesi paliativ. Kanceri i qafës së mitrës është i vetmi, për të cilin sot shkenca e di me saktësi se çfarë duhet bërë për ta parandaluar: vaksinimi kundër HPV dhe depistimi/kontrolli.
Çfarë është vaksina kundër HPV?
Aktualisht, në dispozicion janë 2 vaksina që sigurojnë një mbrojtje të lartë kundër dy llojeve të virusit HPV, 16 dhe 18, të njohura për shkaktimin e të paktën 70-80% të kancerit të qafës së mitrës. Njëra nga vaksinat ofron mbrojtje edhe nga infektimi kundër llojeve të tjera të HPV, 6 dhe 11 të cilat shkaktojnë lythat gjenitale në meshkuj dhe femra. Për këtë arsye kjo vaksinë përdoret për vajzat dhe për djemtë. Studimet tregojnë se vaksinat janë të sigurta dhe shumë efektive, nëse aplikohen para infektimit me HPV, pra përpara fillimit të aktivitetit të parë seksual. Prandaj Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon vaksinimin e vajzave 9-13 vjeç. Madje, disa vende kanë filluar të vaksinojnë edhe djemtë si masë parandaluese e kancerit gjenital duke qenë se një nga dy vaksinat parandalon edhe lythat gjenitale në meshkuj dhe femra. Vaksinimi kundër HPV-së redukton në masë të konsiderueshme rrezikun për kancer të qafës së mitrës. Por, nëse infeksioni me HPV ka ndodhur, vaksina nuk mund të trajtojë infeksionin apo të luftojë kancerin. Prandaj, të gjitha gratë duhet të vazhdojnë të kryejnë rregullisht kontrolle për kancerin e qafës së mitrës.
Si zbulohet kanceri i qafës së mitrës?
Aktualisht janë në dispozicion disa lloje testesh depistuese: Pap testi, kontrolli me acid acetik/VIA, testimi për HPV me rrezik të lartë, si dhe kolposkopia.
Çfarë është Pap Testi dhe sa herë duhet bërë?
Pap testi është një test, që përdoret për të kapur qelizat jonormale në qafën e mitrës që në fazat e hershme parakanceroze. Pap testi është një test i shpejtë, i thjeshtë, jo i dhimbshëm, por mund të shpëtojë jetën e një femre. Fatmirësisht, koha e gjatë nga momenti i shfaqjes së qelizave jonormale në qafën e mitrës deri në shfaqjen e plotë të kancerit, i jep mundësinë një femre ta kapë në kohë atë nëse kontrollohet rregullisht. Të gjitha gratë duhet ta bëjnë rregullisht Pap testin si pjesë e kujdesit për shëndetin e tyre.
Rekomandohet për çdo grua të kryejë Pap testin duke filluar nga mosha 25-30 vjeç. Nëse një femër bën Pap teste të rregullta, ajo mund ta kapë në kohë kancerin e qafës së mitrës. Nëse rezultati i Pap testit është normal, rreziku për kancer të qafës së mitrës është i ulët, por gruaja nuk duhet ta ndërpresë bërjen e testit, por duhet të vazhdojë rregullisht bërjen e tij.
Si trajtohet kanceri i qafës së mitrës?
Në disa raste, pjesët jonormale duhen hequr që të mos përparojnë në kancer të qafës së mitrës. Kjo gjë kërkon një trajtim të thjeshtë dhe jo gjithmonë kërkon shtrim në spital. Ky trajtim nuk ndikon në jetën seksuale apo në mundësinë për të pasur fëmijë në të ardhmen.
Gratë që janë trajtuar për parakancer të qafës së mitrës duhet të ndiqen dhe trajtohen pas 12 muajsh. Nëse më pas shenjat e kancerit të qafës së mitrës janë të pranishme, mundësitë e trajtimit përfshijnë kirurgjinë, radioterapinë e kimioterapinë. Nëse kanceri i qafës së mitrës kapet herët, është më i lehtë për t’u trajtuar, mbijetesa rritet dhe cilësia e jetës së gruas është më e mirë./A.A