Në daçi një përmbledhje se çka ndodhur së fundmi në rangjet e komunitetit LGBT+ në botë, qëndroni kureshtarë për përmbledhjen e mëposhtme. Ngjarje të rëndësishme duket se janë nxitur nga muaji ndërkombëtar i Krenarisë anë e mbanë qyteteve e komuniteteve në botë. Diku për mire, e diku për dreq, nga bastisjet policore në Stamboll deri te mbyllja e qendrave burimore në universitetet amerikane, komuniteti LGBT+ është përballur me sfida dhe triumfe këto kohë.
Këto ngjarje reflektojnë një klimë globale të polarizuar, ku konflikti për barazi e drejtësi mbetet veçse konflikt. Ky muaj përkujton ngjarjen historike të Stonewall-it në vitin 1969, e cila shënoi një pikë kthese në lëvizjen për të drejtat e komunitetit LGBT+.
Policia turke të dielën bastisi Paradën e Krenarisë në Stamboll, duke arrestuar të paktën 15 persona për pjesëmarrje në një tubim të ndaluar LGBT+. Sipas dëshmive të pjesëmarrësve dhe dëshmitarëve për Reuters, policia bllokoi stacionet e metrosë dhe pengoi trafikun në rrugët kryesore të qytetit. Si kundërpërgjigje, protestuesit organizuan një tubim të shkurtër në anën aziatike të Stambollit, përpara se të shpërndaheshin me ardhjen e policisë.
Një përfaqësues i Paradës në X (Twitter) deklaroi: “Ju ndaluat jetën në një qytet të tërë, por harruat një gjë: nëse është e nevojshme, ne mund të prijmë përmes gurëve, të përkulemi përkohësisht, dhe përsëri të gjejmë njëri-tjetrin buzagaz.”, “Ne kurrë nuk tërhiqemi nga kundërshtia drejt policisë. Kërkuam ekzistencën tonë në pjesë të ndryshme të qytetit përditë.”
Ngjarje të ngjashme kanë ndodhur edhe vitin e kaluar kur disa persona u arrestuan për pjesëmarrje në një tubim të ndaluar të krenarisë. Presidenti Tayyip Erdogan dhe partia e tij AK me rrënjë islamike kanë forcuar retorikën kundër komunitetit LGBT+ gjatë dekadës së fundit dhe kanë ndaluar paradat e krenarisë që nga viti 2015, duke cituar “arsye sigurie.” Pavarësisht këtyre masave, fatmirësisht homoseksualiteti nuk është ilegal në Turqi.

Sipas komitetit të krenarisë së Stambollit në X (më parë Twitter), të gjithë të arrestuarit janë liruar nga paraburgimi. Organizatorët thanë se “ndërruan kontinente” në përgjigje të shtypjes nga qeveria.
Në një zhvillim tjetër të rëndësishëm, Universiteti i Utah-s mbylli tre qendra burimore për studentët, me qëllim përmbushjen e ligjit të ri në lidhje me përpjekjet për diversitet, barazi dhe përfshirje, duke përfshirë Qendrën Burimore LGBT+. Qendra e Burimore LGBT+ i dha lamtumirën studentëve dhe punojësve. Ky riorganizim erdhi pas miratimit të ligjit të Iniciativave të barazisë së mundësive, i cili kërkon që shërbimet të jenë të aksesueshme për të gjithë studentët dhe ndalon ofrimin e burimeve për studentë të caktuar bazuar në karakteristika të identitetit personal si raca, etnia, kombësia, gjinia, orientimi seksual ose feja.

Ndërsa në Selanik, mijëra njerëz morën pjesë në paradën vjetore EuroPride, e cila u mbajt nën një prani të madhe policore me qëllim prandalimin e kundër-protestave. Parada, me moton “Ruaj, Përparo, Prosperitet”, u zhvillua në ditën e nëntë dhe të fundit të një serie eventesh në qytet. Pjesëmarrësit marshuan në qendër të qytetit, duke e mbyllur paradën në në bregdetin e qytetit, pranë statujës së Aleksandrit të Madh. Kulla e bardhë, një monument emblemë e qytetit, u vesh me ngjyrat e ylberit.
Në fund, 15 persona u arrestuan për ofendime ndaj pjesëmarrësve të paradës dhe përpjekje për të hedhur vezë mbi marshuesit.

Regjistrimi i popullatës së Skocisë ka zbuluar për herë të parë të dhëna për komunitetin trans dhe LGBT+, duke treguar se mbi 180,000 persona identifikohen si lezbike, gay ose biseksualë, dhe pothuajse 20,000 si trans. Të dhënat tregojnë se 0.44% e popullsisë mbi 16 vjeç identifikohen si trans, me gati gjysmën e tyre të moshës 16 deri 24 vjeç dhe 46% identifikohen si jo-binare. Nga popullsia LGB, 4% e personave mbi 16 vjeç identifikohen në këtë kategori, ku 43.6% e tyre janë biseksualë, shumica të moshës 16 deri 24 vjeç. Këto të dhëna pritet të ndihmojnë organizatat dhe autoritetet lokale në planifikimin e shërbimeve për përmirësimin e jetës së komunitetit LGBT në Skoci. Me të mbaruar CENSUS-i i vitit 2023 në Shqipëri, nuk kishte pyetje mbi identifikimin gjinor apo orientimin seksual çka çalon procese studimore apo të dhëna të rëndësisme për popullatën shqiptare.
