Shembja e tregut tek spitali nr.5, tregtarët protestojnë; Bashkia: Kishte shume mikrobe
Në orët e para të mëngjesit të sotëm Policia Bashkiake dhe e Rendit rrethuan tregun pranë spitalit nr.5, për të nisur prishjen e tij. Ky treg është burim kryesor i të ardhurave për rreth 500 familje rome dhe jo rome.
Forcat e policisë janë përplasur me tregtarët të cilët pretendojnë se Policia Bashkiake nuk disponon asnjë dokument për prishjen. Tregtarët thonë se tezgat po shemben bashkë më mallin e tyre, pasi nuk janë lajmëruar për këtë aksion të Bashkisë.
Intervista me një prej tregtareve/ Video: Aktivizmi Rom dhe Egjiptian
“Policia ka ushtruar dhunë kundrejt tregtarëve për të vijuar prishjen e tregut. Tregtarët thonë se në këtë vend do të ndërtohet një pallat”, tha për Historia Ime Brejdon Xhavara, aktivist për të drejtat e komunitetit Rom dhe Egjiptian.
Video: Shembja e tregut pranë spitalit nr. 5
Pas shembjes së tregut dhe konfrontimit me policinë, tregtarët dhe aktivistë të komunitetit Rom dhe Egjiptian organizuan një protestë përpara Bashkisë së Tiranës dhe hartuan një peticion me rreth 200 firma për të kërkuar zgjidhje për problemin e tyre.
Gjatë protestës, përfaqësues të bashkisë pranuan të takohen me 3 nga tregtarët që kërkuan të vazhdojnë aktivitetin e tyre në zonën pranë spitalit nr.5.
Bashkia: Tregu do të zhvendoset, ka ngarkesë të lartë mikrobesh
Ndërkohë Bashkia Tiranë ka reaguar për ngjarjen që e konsideron si lëvizje dhe jo shembje të tregut, duke shtuar se ka pasur ankesa nga qytetarët e që tregtimi i rrobave të përdorura përbën një ngarkesë të madhe mikrobale në mjedis.
Nga ana tjetër tregtarët thonë se kanë firmosur një marrëveshje të vlefshme deri në muajin gusht të këtij viti me pronarin e tokës ku ndodhet tregu.
Bashkia i ka propozuar zhvendosjen e tregtimit të rrobave të përdorura në tre pika: Uzina Dinamo, Tregu në Kodër Kamëz dhe ish- Fonderia Mekanike. Tregtarët e kundërshtuan këtë propozim duke i quajtur pikat e vendosura nga Bashkia zona të varfra e të papërshtatshme për aktivitetin ekonomik që ata zhvillojnë prej 17 vitesh.
/l.k./