Diskriminimi i Fëmijëve me Sindromën Down
*Foto Ilustruese
Nga Andi Bregu
Në bazë të dokumentit themeltar të Shtetit Shqiptar, të gjithë njerëzit janë të barabartë dhe barazia nënkupton jo vetëm parimin filozofik por dhe sjelljen, trajtimin e individit si të tillë. Kjo gjë nuk ka ndodhur me një grup fëmijësh të cilët janë bartës të një kromozomi më tepër në trupin e tyre ose ndryshe e quajtur Sindroma Down, në shkollat ku ata studiojnë ndiqen praktika diskriminuese dhe jo të përshtatshme për shëndetin e tyre biologjik e psiko-social.
PEI ose programi edukativo – individual është një program specifik i pergatitur nga ekspertët dhe miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për të trajtuar fëmijët e diagnostikuar me Sindromën Down.
Nëna e vajzës me sindromën Down: “Vajza është e diskriminuar… Shkolla nuk merr asnjë masë”
Nëna e një vajze 8 vjeçare ka shprehur shqetësimin se vajza e saj është e diskriminuar në krahasim me nxënësit e tjerë të klasës për shkak se shkolla nuk ka marrë asnjë masë për të përgatitur programin edukativo-individual si dhe të caktojë mësues ndihmës, vajza e saj është nxënëse e klasës së parë në Tiranë. Kur ka rregjistruar vajzën në shkollë, asaj i është kërkuar që në mënyrë private të pergatisë një plan individual PEI dhe më pas ky plan do të zbatohej në shkollë, sikurse dhe i është kërkuar zonjës të asistojë në klasë gjatë orëve të mësimit për vajzën e saj.
Shkurtimi i orëve të mësimit dhe detyrimi i prindit që të qendrojë në klasë, e vendos vajzën në pozita të pabarabarta me nxënësit e tjerë, si dhe ndikon negativisht në formimin dhe pavarësinë e saj. Prindi nuk mund të zëvendësojë mësuesin asistues pasi nuk është i aftë profesionalisht për të kryer këtë detyre. Znj. thekson se është shumë emergjente caktimi i një mësuesi ndihmës për vajzën, i cili është i përgatitur profesionalisht për të asistuar nxënësit ma aftësi të kufizuar dhe këtë fakt ia kam paraqitur disa herë drejtorit të shkollës 9-vjecare ku studion vajza por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Ajo gjithashtu shprehet: “në atë shkollë mësojnë gjithsej 23 nxënës më aftësi të kufizuara dhe në asnjë rast shkolla nuk ka treguar përkujdesje ndaj tyre”.
Mungesa e mësuesit ndihmës detyron prindërit të qëndrojnë vetë në klasë me fëmijët
Një tjetër Znj. nënë e një djali 12 vjeçar ka shprehur gjithashtu shqetësimin se djali i saj diskriminohet në krahasim me nxënësit e tjerë të klasës. Ai është nxënës i klasës së tretë në Tiranë, gjatë vitit të parë shkollor, zonja ka asistuar vetë personalisht në klasë pasi kërkesat e saj për të caktuar një mësues ndihmës nuk merreshin parasysh nga shkolla, më tej me dëshirën e mirë për ti ardhur në ndihmë të birit, në mënyrë personale me shpenzimet e saj, ajo ka punësuar një logopedist për të asistuar djalin në klasë. Pas vështirësive ekonomike zonja nuk mund ta përballonte dot më të paguante logopedin “ nuk kisha më asnjë mundësi për të punësuar logopedin ndaj u detyrova ta ndërpres këtë trajtim për djalin”- thote ajo. Gjithashtu thekson që logopedi ofron një shërbim rehabilitues dhe nuk mund të jetë një zëvendesues i mësuesit ndihmës. Tashmë djali i saj nuk ka përparuar në mësime pavarësisht se ai është ne klasën e tretë, numri i madh i nxënësve në klasë, gjithësej 35 nxënës e bën të pamundur që mësuesja të kujdeset për të sipas PEI që duhet të zbatojë.
Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar (FShDPAK) është një organizatë që ndjek rastet e diskriminimit të personave me aftësi të kufizuara me qëllim mbështejen e tyre për respektimin, mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në fushën e aftësisë të kufizuar. Qendra Jonathan (Jonathan Center) gjithashtu ka si qëllim të veprimtarisë së saj ndihmesen ndaj fëmijëve me Sindromën Down dhe autizëm, apo fëmijëve me nevoja të posaçme të ngjashme si dhe të rrisë ndërgjegjësimin e familjeve të tyre.
Të dyja këto organizata së bashku kanë ofruar mbështetje për prindërit që kanë hasur diskriminim ndaj fëmijëve të tyre në shkolla për shkak të moscaktimit të mësuesit mbështetës për fëmijët me aftësi të kufizuar nga ana e shkollës. Konkretisht, prindërit e vajzës 8 vjeçare dhe djalit 12 vjeçar sikurse dhe shumë prindër të tjerë i janë drejtuar Komisionerit për Mbrojtje nga Diskriminimi Znj. Irma Baraku mbi konstatimin e diskriminimit për të mitur për shkak të aftësisë së kufizuar.
FShDPAK dhe “Jonathan Center”: Moszbatimi i detyrimeve ligjore, diskriminim për shkak të aftësisë së kufizuar
Sidita Fortuzi dhe Ledia Muraku dy avokatet e FShDPAK e kanë ndjekur hap pasFSH hapi procesin për disa prej rasteve të Fëmijëve me Sindromën Down të cilëve nuk u është caktuar mësuesi mbështetës, konkretisht ato kanë shqyrtuar bazën ligjore dhe kanë konstatuar se:
“Fëmijët ndodhen përpara diskriminimit për shkak të aftësisë së kufizuar, përderisa moszbatimi i detyrimeve ligjore vendos fëmijët me aftësi të kufizuar në pozita diskriminuse, në shkelje të rëndë me ligjin, drejtuesit e Shkollave 9-vjeçare i kanë mohuar nxënësve të diagnostikuar me sindromën Down një të drejtë themelore siç është e drejta për arsim cilësor dhe për të pasur shanse të barabarta për arsim, dhe në këto kushte kanë ushtruar diskriminim për shkak të aftesisë së kufizuar.”
“Duke iu referuar ligji Nr. 69/2012 “Për Sistemin Arsimor Parauniversitar në Republikën E Shqipërisë” vihen re qartazi disa pika ku: neni 3 thekson se: 1.Në veprimtaritë e institucioneve të sistemit arsimor parauniversitar, interesi i nxënësit është parësor. 3.Në sistemin arsimor parauniversitar, nxënësve dhe punonjësve u ofrohet mbrojtje nga çdo formë veprimi ose mosveprimi që mund t’u shkaktojë diskriminim, dhunë, keqtrajtim ose dëm moral. 4.Në institucionet arsimore zbatohet parimi i gjithëpërfshirjes së nxënësve. 5. Çdo nxënësi i sigurohet e drejta për arsimim cilësor, si dhe shanse të barabarta për arsimim. Dhe veçanërisht në piken 6 percaktohet se, nxënësve të familjeve në nevojë, nxënësve me aftësi të kufizuara dhe atyre me vështirësi në të nxënë u ofrohet përkujdesje e posaçme, sipas përcaktimeve në ligj.”
Më tej vazhdon arsyetimi i tyre se: “Drejtuesit e Shkollave duke mos marrë në konsideratë nevojat e veçanta të nxënëve i kanë vendosur ata në pozita disktiminuse, si dhe i kanë cënuar të drejtën për arsim cilësor dhe gjithpërfshirës.” Në këtë linjë arsyetimi të bërë nga Sidita dhe Ledia specifikojnë se: “Ky ligj në nenin 63 thekson 1.Arsimimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara synon zhvillimin e plotë të potencialit intelektual e fizik dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre për t’i përgatitur për integrim të plotë në shoqëri dhe në tregun e punës. Përfshirja dhe integrimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara në kopshtet dhe shkollat e zakonshme të arsimit bazë është parësore”.
“Gjithashtu po ky ligj në kreun XI të tij parashikon qartë arsimimin e fëmijëve me aftësi të kufizuar. Në nenin 65 me titull: “Organizimi i arsimimit të fëmijëve më aftësi të kufizuara”, parashikon se: 1.Nxënësit me aftësi të kufizuara mësojnë sipas planit mësimor e programeve lëndore të zakonshme, të përshtatura për ta, ose sipas planit mësimor e programeve lëndore të specializuara për ta. 2.Në institucionet arsimore të zakonshme, programi i personalizuar për nxënësin me aftësi të kufizuara hartohet nga një komision, në përbërje të të cilit janë mësues të fushave të ndryshme të të nxënit të institucionit e psikologë. 3.Nxënësve me aftësi të kufizuara u sigurohen mësues ndihmës dhe shërbim rehabilitues, sipas kritereve të përcaktuara me udhëzim të ministrit.”
Përveç kësaj, hapësira normative plotësohet me një serë urdhëresash e vendime të Ministrisë së Arsimit ku mund të përmendim “Dispozitat Normative për sistemin arsimor parauniversitar 2013, miratuar me Urdhërin 343, datë 19.08.2013 të Ministrit të Arsimit për Komisionet multidisiplinare për vlerësimin e nevojave arsimore e shoqërore të fëmijëve”. Gjithashtu Udhëzimi Nr. 38, datë 7.10.2014 “Për Kriteret e Mësuesit Ndihmës për Nxënësit me Aftësi të Kufizuar në Institucionet Publike të Arsimit Parauniversitar” theksohet se ‘Komisioni vlerëson shkallën e paaftësisë së nxënësit dhe përcakton nevojën për mësues ndihmës’.
Psikologia Artemisa Shehu: “Mungesa e mësuesit mbështetës ka pasoja psikologjike tek fëmijët”
Znj. Artemisa Shehu, psikologe pranë Qendrës Jonathan, shpjegon në mënyrë të detajuar se cilat janë pasojat psiko-sociale që fëmijët me Sindromën Down vuajnë nga mosmarrja e shërbimit të mësuesit mbeshtetës. Ajo thekson: “ Se pari, nga kjo problematikë krijohet një hendek zhvillimor tek këta fëmijë, ndërkohë që bashkëmoshatarët e tyre rriten e kalojnë në stade të tjera të zhvillmit fizik e mendor ata ngelen nuk arrijnë të kapin dot këto ritme nëse nuk kanë mbështetjen e duhur”, më tej Znj Shehu thekson se “fëmijët me sindromën Down krijojnë një vetvlerësim të ulët dhe kjo bën që dhe perceptimi nga të tjerët për ta të jetë i ulët në këtë mënyrë fëmijët futen në një spirale diskriminimi shoqëror sepse ata etiketohen nga shoqëria me nofka të ndryshme paaftësie sikurse dhe përjashtohen nga rrethi shoqëror, në këtë mënyrë shfaqet dukshëm Bullizmi ndaj këtyre fëmijëve duke u bërë objekt talljesh, ngacmimesh, kërcënimesh etj.” Roli i mësuesit ndihmës është tejet i rëndësishëm dhe kualifikimi i tij po ashtu -thekson Znj Shehu “mësuesi asisten luan një rol kyç për faktin se ka si detyrë të punojë me fëmijë që kanë nevoja të veçanta dhe puna e mësuesit ndihmës është i domosdoshëm për një integrim të këtyrë fëmijëve në shoqëri në mënyrë që të kenë zhvillim dhe gjithpërfshirje shoqërore.”
Fëmijët me aftësi të kufizuara diskriminohen nga mësuesit
Nëna e djalit 12 vjeçar thotë se nuk e shqetëson vetëm fakti që djalin nuk ka një mësues asistent por dhe praktikat që mësuesit ndjekin ndaj tij dhe ndaj fëmijëve të tjerë me aftësi të kufizuara janë mëse diskriminuese. Në raste të ndryshme ajo shpjegon “mësuesja nuk e ka përfshirë djalin në të njëjtin aktivitet me fëmijët e klasës ose nuk i ka dhënë fletë provimi sikurse të tjerëve me shprehjen se ‘ti nuk di ti bësh’ të gjitha këto janë praktika rënduese që jo vetëm se nuk e zhvillojnë por e pengojnë ecurinë e tij.” Zonja thekson se mësuesit duhet të jenë të përgatitur të kryejnë rolin e tyre dhe të mirë trajnuar për atë që marrin përsipër, përndryshe puna shkon dëm.
DAR urdhëron ngritjen e komisioneve dhe caktimin e mësuesve asistent për fëmijët me nevoja të veçanta
Në lidhje me këtë situatë, ka reaguar dhe Drejtoria Arsimore Rajonale (DAR) në Tiranë, ku pas ankesave të prindërve dhe kërkësave zyrtare të tyre, DAR ka urdhëruar ngritjen e Komisioneve Multidisiplinare në të paktën 5 shkolla nga 6 kërkësa për vlerësimin e kushteve psiko-sociale të fëmijëve, përgatitjen e planit PEI dhe caktimin e mësuesit asistent për fëmijët me nevoja të veçanta. Në këtë mënyrë Jonathan Center dhe Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar, shpresojnë që ky problem të zgjidhet një herë e mirë dhë fëmijët me Sindromën Down të mos trajtohen ndryshe për shkak të aftësisë së kufizuar.
* Shënim: Emrat e fëmijëve, prindërve dhe shkollave ku ata studiojnë janë mbajtur kofidencial në këtë artikull për arsye etike.