Shqipëria së bashku me disa shtete europiane, njoftuan këtë javë nisjen e lehtësimit të disa masave kundër koronavirusit dhe hapjen e disa bizneseve dhe shërbimeve të konsideruara të parrezikshme për përhapjen e virusit.
Sot në Gjermani do të lejohen të hapen dyqane të vogla dhe shkollat do të rifillojnë për ato klasa që kanë provime të diplomimit. Hapja e të gjithë shkollave dhe rikthimi i nxënësve pritet në fillim të majit. Autoritete gjermane deklaruan se përmes projeksioneve dhe të dhënave aktuale, përhapja e infeksionit është në kontroll, duke bërë thirrje për respektimin e masave të sigurisë për aq kohë sa ende nuk ka një kurë apo vaksinë mbi virusin.
Polonia gjithashtu do të rihapë parqet dhe zonat rekreative që janë të vizitueshme. Shkollat do të hapen dhe në Danimarkë dhe Norvegji, ndërsa Austria njoftoi që javën e kaluar hapjen e bizneseve të konsideruara si me rrezik të ulët.
Spanja dhe Franca, kanë vendosur që të lehtësojne masat më vonë, duke shtyrë kufizimet edhe për disa javë të tjera, ndërkohë në Spanjë, Kryeministri i vendit njoftoi se fëmijëve do t’u lejohet në orare të caktuara të dalin në natyrë.
Në vendin tonë bizneset që do të lejohen të rifillojnë aktivitetin e tyre, do të duhet të pajisen me leje përmes E-Albania, e cila do të afishohet në ambjentet e biznesit dhe duhet të shoqërohet me marrjen e masave për zbatimin e protokollit të sigurisë.
Nga sot lëvizja do të lejohet nga ora 05:00 deri 17:30. Këmbësorët duhet të pajisen me Leje për daje përmes e-Albania, nëse duan të dalin për blerje.
Në këtë orar lejohen aktivitetet e bizneseve që janë pjesë e listës. Leja për të lëvizur me makinë për në punë, do të bëhet përmes e-Albania në bazë javore. Lëvizja me makinë do të lejohet në dy fashat e orarit 05:00-8:00 dhe 16:00-17:30.
Informacionin e plotë mund ta gjeni në: https://e-albania.al/