Anëtarët e Komunitetit rom që janë edhe anëtarë të komunitetit LGBTI, përballen me diskiminim të vazhdueshëm në vendin tonë.
“Kam lindur në Tiranë, kam mbaruar shkollën 8 vjeçare me mesataren 10, të mesmen në Tiranë.
Aktualisht me prindërit dhe dy fëmijët, dhe jam i papunë, kam kërkuar vend pune, por jam përballur me diskriminim. Ika në një kompani private për intervistë, dhe ata nuk më morën në punë për shkak të diskriminimit.”-Shprehet Dori* 35-vjeç i cili ka përjetuar diskriminim të dyfishtë.
Edhe pse në moshë madhore, dhe me dëshirën e madhe për punë Dori, shprehet se herë pas herë ndihet keq për shkak të diskriminimit që i bëhet për shkak prirjeve të tij sekuale dhe të qënit anëtar i komunitetit rom.
“Unë e ndjej veten shumë keq për shkak të diskriminimit që u bëhet këtyre komuniteteve.
Shteti duhet t’i japë sa më shumë vëmendje.
Ka raste kur jam në lokale që ndihem keq.
Më diskriminojnë nga veshja, mua më pëlqen stili, unë mbaj aksesorë dhe për këtë më diskriminojnë.
Unë vendos aksesorë për qejfin tim, dhe ndihem i diskriminuar.
Unë nuk kam cënuar askënd, dhe mendoj se askush nuk ka të drejtë të më diskriminojë.
Unë dy fëmijët e mi i kam mësuar që të mos diskriminojnë, dhe të sillen me çdo njeri në mënyrë sa më të mirë.
Vitet më përpara e kam ndjerë më shumë diskriminimin, në ambientet e punës”,-shprehet ai .
Por si të mos mjaftonte diskriminimi, edhe pandemia e koronavirusit ka ndikuar dramatikisht në ekonominë familjare të Dorit.
“Sa i përket pandemisë, na ka dëmtuar shumë, ne nuk kishim punë, nuk kishim asnjë të ardhur. “-shprhet ai më tej./ HistoriaIme
*Për shkak të ruajtjes së konfidencialitetit emri Dori nuk është emri i vërtetë i personazhit.
*Këto intervista janë realizuar në kuadër të nismës për ‘’Fuqizimin e personave Romë dhe LGBTI + dhe organizatave të shoqërisë civile në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi’’ me mbështetje të Civil Rights Defenders dhe Swedish Institute