Katari, LGBT+ dhe ndodhi të tjera.

Ka startuar eventi më i madh sportiv, Kupa e Botës dhe vendi mikpritës kësaj here është Katari. Por mesa duket gjërat nuk nisën me këmbën e mbarë. Që në fazën përgatitore pati disa incidente e veçanërisht me komunitetin LGBT+. Të jesh gej në Katar dënohesh me burg. Pasi arrestuan, ngacmuan dhe rrahën anëtarë të komunitetit LGBT+ para fillimit të Botërorit, autoritetet e vendit së bashku me FIFA-n ndaluan mbajtjen e shiritave me ngjyrat e ylberit për lojtarët duke i “kërcënuar” ata me ndëshkime disiplinore.
Ndalesa dhe rregulla të çuditshme vijojnë të dalin ditë pas dite të tilla si: ndalohet puthja, përqafimi, prekja e duarve (mes burrave dhe grave), joshja, etj. Ajo që na shqetëson është se nëse për tifozët ndalesat lidhen vetëm me rregullat e vendit, për tifozët LGBT+ ndalesat lidhen drejtpërdrejtë me faktin që ata i përkasin një komuniteti të caktuar. Ajo që po ndodh në Katar është një shkelje e pastër e të drejtave dhe lirive të njeriut./Anais