“Strange World” trondit Kryeqytetin e Rinisë

Bashkë me ardhjen e tij në Tiranën e lagësht e paqësore, filmi vizatimor “Strange World” solli një protestë të vakët e të mekur. Ditën e sotme përpara hyrjes së Kinema Millenium ishin mbledhur tri media dhe katër a pesë protestues. Arsyeja: shfaqja e filmit vizatimor “Strange World” për publikun shqiptar. Me të drejtë dikush do të pyeste se çfarë lidhje ka filmi me protestën? Për çfarë u ngritën më këmbë këta njerëz të mirë dhe çfarë duan të arrijnë? E gjithë gurguleja (që duhet thënë e pranuar, nuk ishte gjë tjetër veçse një pikë e vogël uji) u bë sepse në film ekzistojnë dy personazhe gej.

Pra, sot u protestua për dy personazhe gej që do të shfaqeshin në sallat e Kinema Milleniumi-t. Protestuesit, me fletushka në duar (ku ndër të tjera kishin përmendur fjalët e Pink News, por të shtrembëruara e të përshtatura sipas midesë së tyre) flisnin para kamerave për edukimin e fëmijëve. Pink News kishte thënë:
“New disney film Strange World teaches kids being gay is “normal” in the best way”. E përkthyer në shqip: “Filmi i ri i Disney-t, Bota e çuditshme, u mëson fëmijëve se të qenit gej është “normale” në mënyrën më të mirë”.
Ndërkohë në fletushkat e tyre: “I mëson fëmijët që të jenë gay, është gjëja më normale e mundshme”.
Shtrembërimi që i kanë bërë kuptimit të fjalisë nuk është paqëllim. Megjithatë ne jemi komunitet që ndër të tjera kemi si mision edhe informimin, ndaj dhe e sollëm të vërtetën ashtu si është.

Një tjetër pyetje që lind natyrshëm është: “Po fakti (sepse është fakt) që fëmijët kanë akses të pakufizuar në internet dhe mund të shohin çfarëdolloj gjëje (përfshirë dhe porno) përse nuk i nxjerr në protesta këta njerëz? Përse nuk i valëvisin fletushkat e pankartat për sigurinë e fëmijëve, përdhunimin e tyre, keqtrajtimin, diskriminimin, por ngrihen në emër të Zotit, Besimit, Jetës e protestojnë për personazhe gej. E pra, duhet ta mësojnë tashmë se askush nuk i mëson fëmijët të jenë gej. Dhe po, të jesh gej është shumë normale, po aq normale sa të jesh heteroseksual, të jesh me ngjyrë, etj. Shoqëria shqiptare duhet të edukohet e më pas të edukojë brezin e ri. Protestuesit dhanë një arsye se pse nuk duhej shfaqur ai film: fëmijët rrezikojnë të bëhen gej.
Ne po japim disa arsye se përse duhet parë ai film;
Të shohin personazhe gej në mediat kryesore i ndihmon fëmijët queer të ndihen më pak të vetëm, por gjithashtu ofron edukim dhe mirëkuptim për të rriturit që duhet t’i mbështesin. Për fëmijët LGBTQ+, rritja mund të jetë një përvojë e vetmuar. Të kesh miq që nuk kuptojnë apo të kesh prindër që nuk pranojnë orientimin seksual të fëmijës së tyre mund të jetë izoluese dhe e dëmshme për shëndetin e tyre mendor. Sipas anketës Kombëtare të Projektit Trevor 2022 mbi Shëndetin Mendor të Rinisë LGBTQ në Amerikë, 45% e të rinjve LGBTQ menduan seriozisht të tentonin vetëvrasjen vitin e kaluar dhe 73% e të rinjve LGBTQ raportuan se kishin përjetuar simptoma ankthi; 58% raportuan depresion. Këto nuk janë statistika të mira. Shfaqjet televizive të cilat ndërtojnë botë pranuese për fëmijët queer ku të rriten, gjithashtu mund të ofrojnë shpresë dhe gëzim për fëmijët queer dhe të ndihmojnë të tjerët të modelojnë sjellje të mirësisë, dashurisë dhe pranimit. Formimi i aleatëve në rini është jetik. Serialet televizive janë gjithashtu mënyra të shkëlqyera për prindërit dhe anëtarët e familjes që të kuptojnë më mirë identitetet queer si dhe të edukojnë prindërit mbi mënyrat për të mbështetur fëmijët e tyre queer. Nuk mund të mohohet fuqia edukative e filmave të animuar. “Moana” inkurajon vajzat të jenë të guximshme dhe të besojnë në vetvete, “Zootopia” trajton tema të marrëdhënieve racore, ndërsa “Frozen” përqafon individualitetin dhe ndryshimin. Në mënyrë të ngjashme, shfaqja e personazheve dhe historive LGBTQ do të inkurajonte pranimin dhe tolerancën si dhe do ti ndihmonte të rinjtë LGBTQ të dilnin hapur, do i frymëzonte që të ndiqnin ëndrrat e tyre dhe të ishin vetvetja.
