2 djem, 8 vite

Nuk e dinë nëse pas 8 vitesh dashuri duan vërtetë më ta ndjejnë këtë dashuri në Tiranë. Jo prej qiraxhiut, as prej mungesës së parave. Por thjesht i duket sikur e kanë shterruar këtë qytet. Si shumica e personazheve që rrëfejnë historinë e tyre, as ata nuk duan të tregojnë emrat e as imazhin. Dhe ju do ju duhet të përdorni imagjinatën pak më shumë se herët e tjera.
Të nderuar lexues, ju menduat se kjo do ishte historia e trishtë e çiftit gej në Tiranë? Me hidhërim të thellë ju lajmërojmë se, JOOO!
Çka thuhet më sipër është e vërtetë, por çifti jonë i konsoliduar ka vendosur ta ngulisë jetën në Tiranë, në Tiranën me çifte gej dhe lezbike të dala në televizor, me të tjerë që dihen, me ato për të cilët bëhen thashetheme, dhe prej atyre çifteve që e dinë veç vetë. Këta tanët dashurinë e tyre ja kanë treguar vetëm njerëzve që e dinin që s’ do i linin pas vetëm se dashuronin një djalë. Njëri të jëmës, anash e anash të atit homofob, ndërsa tjetri motrave e shoqërisë. E domosdo për zhurmën e madhe që i bënin sytë të shkëlqenin nga dashuria, dikush do e merrte vesh.
8 vite nisën në banjën e njërës prej kafeneve të rrugës Bardhyl. Rastësia donte që njërit ti vinte për të larë duart dhe tjetrit për të bërë çiçin. Njëri buzagaz dhe tjetri mundohej ti shihte bebet e syrit tjetrit. Pak më pas, nuk do të ishte e vështirë për ta gjetur në Facebook një djalë të pashëm, diku mosha e tij dhe zeshkan. Pastaj për tu takuar në po të njejtën kafene për të zbuluar se edhe këtij djalit zeshkan ia kishte ënda ta pinin edhe kafenë e së nesërmes, e të pasnesërmes po bashkë.
Megjithatë pas 4 vitesh ecejake para- prapthi botës për studime, punë, qejf, dhe ligjit për mesazhet e ‘’mirëmëngjes’’ dhe ‘’Natën e mirë’’ vendosën të shpërngulen bashkë. Është krejt ndryshe! Është absolutisht shumë ndrysh! Prandaj çunat ju këshillojnë mos ta konsideroni bashkëjetesën si opsionin e parë për më shumë dashuri. Por përveç grindjeve se kush do lajë enët, çunat tanë kuptuan që kanë edhe privilegje, kuptuan që kishin në dorë pushtet, të cilin vendosën ta vinin në punë. Në Shqipëri.
Ju pa faj mund të thoni po ça kanë këta? Në çfarë xhepi e mbajnë privilegjin?
Si dy djem mashkullorë sa në dukje e sa në sjellje, pa ndonjë dëshirë të theksuar për të treguar afeksionin në publik dhe ardhur nga studime mjekësie e psikologjie, privilegji ka ndërtuar kala. Prandaj me të qëndruar në Shqipëri po japin kontributin e tyre të plotë në komunitetin LGBTQ+. Secili i angazhuar profesionalisht në organizata të komunitetit kanë mundur të kuptojnë më shumë, të njohin më nga afër njerëzit dhe gjithë çmëndurinë që rrokulliset si ortek.
Kuptojnë që urrejtja e marrë nga jashtë vjen brënda grupimeve të vogla, bisedave shoqërore apo organizimeve pak më serioze. Kuptojnë që disa djem gej nuk e shmangin dot transfobinë. Çunat kanë kuptuar që të jesh gej nuk do të thotë të jesh në depresion dhe llafazan. Por kanë kuptuar që personat transgjinorë janë më të rrezikuar se të gjitha emërtimet e tjera, qoftë prej si janë, vështirësisë për tu punësuar, pamundësisë për ti nxjerrë nga puna e seksit, e vështirësisë së punës me ta prej traumave të pashmangshme. E kjo sipas tyre nuk është absolutisht një justifikim për tu shtirur. Mbase mënyra më e lehtë nganjëherë është emigrimi? Ca tjerë janë provë e gjallë që i dilet.
Për ta komuniteti ka marrë një formë familjeje të dytë. I janë përkushtuar me shumë kohë e vullnet dhe janë krenarë për të. Natyrshëm kthehet në një sistem mbështetjeje për njëri-tjetrin duke sjellë gati – gati një ushtri për të drejtat. Por kjo familja, sipas çunave ka patur luhatje, shpesh mungon dëshira për pjesmarrje, mungon dëshira për angazhim, që do ta zbrapste shumë herë më shpejt këtë mësymje nga urrejtja.
Dhe ato po jetojnë të lumtur dita-ditës…