1000 deshet dhe 1000 qingjat perballe 100 viteve te levizjes se gruas. Pse jo dhe 1000 dele?
Nga Kristi Pinderi (historiaime.al)
Ka dy dimensione që përfshijnë secila nga një mënyrë të ndryshme si mund dhe si duhet festuar e përkujtuar 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë.
Që të dyja dimensionet, të paktën këto dy ditët e fundit, po na shfaqen njëra përballë tjetrës, haptazi e në një mënyrë që duket sikur me njëra tjetrën i ndan jo thjesht një hendek nga ata që dhe mund të tejkalohen, por plot 100 vjet. Në gjykim, në mënyrën e të menduarit dhe në përpjekjet konkrete.
100 vitet e gruas shqiptare që këto ditë po përshfaqen me të mirat e të këqijat e tyre në një seri debatesh dhe aktivitetesh të mbështetura në kërkime serioze shkencore, sikur janë asgjë për median tonë përballë shqetësimeve tipike të meshkujve të pagdhendur të politikës (majtas e sidomos djathtas) që nuk flasin për sfidat e së ardhmes, siç po bën lëvizja e gruas në konferencën “100 vjet histori e gruas, sfidat për të ardhmen) por janë vënë në garë si kalamajtë harrakatë të kopshtit për të vënë stërkëmbësha dhe njëkohësisht për të shpikur metoda makabre për “të festuar” këto 100 vitet që i kaluam herë me luftëra, herë me gjak, herë me varfëri ekstreme, herë me budallallëk, herë me mashtrime e herë me megallomanira.
Sot, ky dimensioni i dytë doli me një ide të tmerrshme, të ngjashme me një kasaphanë masive që jo vetëm nuk do të na nderojë, por do të na portretizojë si një vend gjakatar, e me këtë rast dikush do gjejë argumentin mbështetës teksa na akuzon se gjithë jetën vrasim e presim, herë njëri tjetrin, herë veten, e herë më të dobtit tanë.
Koha Jonë shkruante gati me krenati dhe me mburrje kryeartikullin e vet që e titullonte: Qeveria, 1 mijë desh, e 1 mijë qengja (qingja apo qengja?!), Bashkia tortë gjigande 4 tonë.
Një lajm i tillë që tregon të gjithë mentalitetin e kësaj qeverie dhe të kësaj klase politike, i shfaq shqiptarët si “pabuksa”, si injorantë, si idiotë (nëse më lejoni), si majmunë që në pemë skanë më ushqim dhe duhet të ulen në tokë me këmbë e me duar e të kënaqen nga këto deshët e qingjat, si të paaftë për të planifikuar e dhe si nevojtarë për bukë: dikur u shfaqej në menu bari si formë ekstreme e sakrificës, sot u ofrohet “luksi” i deshëve dhe këlyshëve të tyre… (e kuptoni dallimin në psiqikën idiote të kujtdo që e ka shpikur këtë ide, apo jo?)
Dimensioni i dytë, ai që ka rëndësi të shfaqet në median tonë, të diskutohet, e të inkurajohet ka të bëjë me lëvizjen e gruas në Shqipëri që këtë vit, këto ditë, më shumë se kurrë është aq shumë e konsoliduar, e mençur, qytetare dhe shpresëdhënëse sa gati gati ka thyer të gjitha pritshmëritë e të gjithëve që këto 22 vjet e kanë akuzuar këtë lëvizje si të paaftë për ta ngritur vetveten në nivelin e një lëvizje të mirëfilltë feministe.
Sot pasdite ato shfaqën dokumenta nga arkivat, vepra arti, fotografi, dëshmi, mendime dhe prova të tjera të luftës të jashtëzakonshme që gjyshet, nënat, bijat, motrat, gratë dhe strateget e vërteta të historisë sonë të përditshme kanë bërë në këto 100 vite. Dhe janë me këmbë në tokë, të paetura për reklama, apo për shërbime mediatike. Po flasin këto ditë si ta fuqizojnë gruan, dhe si ta bëjnë atë fitimtare ndaj disa budallenjve që na qeverisin e disa herë kanë mundësi të ndosin opinionin e shumë prej neve që jetojnë në periferi…
E dini se ç’po bëjnë këta idiotët që mendojnë së na impresionojnë duke masakruar kafshët në një vend ekstremisht të varfër? Kanë grumbulluar 60 punonjës në një shesh te vogël, m’u përballë zyrës së LSI në hyrje të ish Bllokut, për të instaluar një bust të Presidentit Uilson, m’u te sheshi që mban emrin e tij prej disa vitesh (po jo bustin e tij deri më sot). Sepse, duan të impresionojnë nesër, 1 nëntor, 2012, një tjetër grua!
Në jetë, ka një tjetër dimension… Ka gjithmonë një tjetër dimension… Unë pyes veten: po ne të tjerët, ne që i shikojmë të gjitha, i lexojmë të gjitha, i komentojmë të gjitha, i fotografojmë dhe i regjistrojmë të gjitha, ne që na është dhënë mundësia të reflektojmë teksa përpiqemi të mbijetojmë, kur do të mundemi ta jetojmë konkretisht atë dimensionin tjetër ku na kanë detyruar të qëndrojmë?!
P.S. Mund dhe të kuptoj PR pas aksionit kasaphanë të therrjes së kafshëve të shkretë, por nuk kuptoj pse vetëm 1000 desh, 1000 qingja dhe jo edhe 1000 dele???