Asistent vetvrasjesh – Nga Andi Kananaj
Nga Andi Kananaj
Kryeministri Sali Berisha doli të dielën për të akuzuar ish- të përndjekurit politikë se ishin në grevë me qëllime politike. Akuzonte, në vend që të dëgjonte ata mjeranë, që janë në grevë urie prej 17 ditësh. Ish- të përndjekurit politikë nuk paskan të drejtë që të kenë kërkesa politike! Ky ishte thelbi i konferencës për shtyp e kryeministrit të vendit. Jo të një njeriu dosido, por pikërisht të atij, që gjithë karrierën e tij politike (do ta them këtë fjalë sa herë të duhet në këtë shkrim pa u interesuar për cilësinë letrare), e ka ndërtuar mbi kërkesën për politikë të lirë dhe drejtësi për të përndjekurit. Karrierën e tij politike e bazoi mbi kërkesën që politika të ishte sa më e larmishme. Karrierën e tij të suksesshme për fatin tonë të keq, ai e ndërtoi mbi përndjekjet që i bënte diktatura politikës, asaj që nuk ishte politika e linjës së diktatit. Politikë po, por si në shtëpinë e tij. Të tjerët nuk mund të bëjnë politikë. Diktatura të dënonte me shumë vite burg, nëse doje të bëje politikë. Nderkohë që demokracia i dënon qytetarët me vite pafund varfërie. Kjo, nëse nuk e mendon si Berisha e paturpësisht merresh me politikë. Kërkesat e tua rrjedhimisht nuk do të pranohen si demokratike. Nëse do të insistosh, Kryeministri do të kryejë një akt sinqeriteti dhe do të akuzojë se po merresh me politikë.