Ben Andoni shkruan gjate por bukur – i fundit shkrim titullohet Pakti me Djallin
Nga Ben Andoni
Ndër njerëz të ndryshëm, pyetja më e rëndomtë që ngjalli vrasja e ish-kryeministrit reformator serb Xhinxhiç, ishte shumë pragmatike: Pse u vra xhanëm? Me atë kurs pro evropian, që po ndiqte i ndjeri dhe me një brand të natyrshëm të moderuar, pas regjimit të Sllobos, hamendësitë ishin të shumta. Ndër disa prej personaliteteve të njohur pyetur në Serbi, ishte dikush që do përgjigjej në mënyrën më lakonike. “Ai bëri pakt me djallin. Dhe kur djalli të thërret, nuk ke se çfarë t’i bësh më…”. Përgjigja linte shteg për shumë interpretime, por arsyetimi ishte shumë i drejtpërdrejtë. Ashtu si ndodh me vrasjet e politikanëve të njohur, kujtojmë në këtë aradhe figurën e madhe të J.F.Kenedit, Malkolm X, Luter King, Aldo Moros koha la vend për shumë spekulime. Dhe, kur këto ndodhin në vende me hapësira demokratike të madhe, atëherë çfarë mund të presësh për ballkanasit.
Një e tillë, për fat të keq, u ka ndodhur të përndjekurve shqiptarë. Flirti që kanë bërë me politikanët e sotëm i ka bërë të jenë shumë të cënueshëm ndaj lloj-lloj skenarëve. Pakti i tupshëm me këtë djall të madh që është politika shqiptare e dy krahëve sot i ka kushtuar realisht shumë të përndjekurve shqiptarë. Ata, vetë, megjithë deklaratat dhe grevën e gjatë, nuk jetojnë dot pa politikën.
Akti i gradës së fundit së dyve syresh prej tyre për të djegur veten publikisht ka treguar fundin e një kauze, e cila nuk u respektua dhe nga vetë të përndjekurit që janë në fuqi. Paradoksi është edhe më i madh kur mendon se ndërsa qeveria në fuqi, aleate organike me këtë shtresë i përqesh dhe i anatemon në mënyrën më të turpshme, krahu tjetër politik mbartës i ngarkesës emocionale të së shkuarës, ka marrë flamurin e mbrojtjes.
Nga ana tjetër, deri ditën e vetësakrifikimit ekstrem, por edhe më pas shqiptarët janë treguar tejet indiferentë me ta. Intelektuali Sami Repishti dhe vetë i kësaj kategorie, do e apelonte me dhimbje fenomenin nga SHBA. Dhe, arsyeja është e thjeshtë, paçka se zotëria nuk e ndjen dot nga largësia. I përndjekuri shqiptar ka marrë atribute që e kanë larguar nga e vërteta. Shumë syresh pa asnjë kontribut janë shitur dhe kanë uzurpuar pa fund privilegje. Vetëm me kartën e të përndjekurit lloj-lloj surretërish pa asnjë kontribut kanë përfituar benefice të pamerituara, duke përzënë masivisht të tjerë, që kanë punuar vetëm falë profesionit dhe kokëuljes. Modestia e tyre në Shqipëri quhet dobësi. Ndërsa egërsia e akteve të shumë prej njerëzve që luanin kartën e të përndjekurit ishte tejet kufijve. Këtë makutëri e shfrytëzoi shumë mirë qeveria, që nga ana tjetër vonoi dhe vonoi me lloj skemash dëmshpërblimin e shumë të përndjekurve të vërtetë, me dinjitet, apo edhe që s’kishin më fuqi të kërkonin atë që u takonte. Ndaj, të tjerët, ata që s’vuajtën si ata, u bënë gjithnjë e më shumë indiferentë prej tyre. (Lexojeni te plote artikullin ne linkun e Historia-ime.com)