Epoka e Obames dhe e LGBT – Reportazh i Historia Ime nga Washington, Philadelphia, NYC
(FOTO DHE VIDEO ME POSHTE)
Cfarë ndodhi dje në zgjedhjet amerikane vec faktit që u rivotua Obama? U votua, në fakt edhe për disa propozime të tjera. Për herë të parë u votua me votë popullore pro martesave homoseksuale (deri më tani aknë qenë kongreset e vendeve ato që kanë votuar në disa shtete për këtë gjë). U legalizuan ne Maine, Washington dhe Maryland (ose më saktë u votuan kundër amendamenteve të propozuara nga konservatorët që do nuk do ti lejonin ose do t’i shpallnin të paligjshme këto ligje). Historia-ime.com po boton një reportazh të shkruar në qershor nga Kristi Pinderi. Mes të tjerave ai ka takuar edhe dy kongresmenët e Maryland të parët që kishin propozuar këtë ligj dhe që kishin lobuar për të).
Nga Washington DC, Philadelphia dhe New York, Kristi Pinderi
Përpiquni të përfytyroni se çfarë mund të mendonte ndonjë shqiptar nëse befas do t’a “katalputonin” nga shtëpia e vet, – fjala vjen në Kukës, Librazhd, Sarandë, Shijak, Shkodër, Mamurras, Tirane, etj., – drejt edhe në “Pennsylvania Avenue”, m’u përballë “gardhit” të Shtëpisë së Bardhë, ku turistët fotografojnë veten për tu mburrur pastaj te miqtë e tyre në Facebook…?!
Po ju tregoj përvojën time…
Mbërrita në Washington DC, nga Tirana që sapo kishte konsumuar pa sukses raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, drejt e tek tenda e dy “të çmendurve” të jashtëzakonshëm, komshinj të Presidentit Barack Obama, para Shtëpisë së Bardhë! E para ishte Concepcion Piçiotto, një spanjolle e cila në moshën 21 vjeçare u martua me një biznesmen në SHBA, u divorcua me të dhe humbi shtëpinë, pasurinë dhe kujdestarinë e një fëmije. Që nga viti 1981 qëndron në një tendë të rrethuar me pankarta dhe proteston kundër armatimeve bërthamore dhe kundër luftërave që SHBA bën në botë. Një gjykatës në Ëashington vendosi në vitin 1983 që asnjë protestues para Shtëpisë së Bardhë nuk do të lejohej të vazhdonte protestën nëse për një moment të vetëm i le pankartat apo posterat vetëm, e për këtë arsye ajo qëndron atje ditë edhe natë, pa lëvizur, që nga fillimi i viteve 80-të…
“Të vetmet raste kur e lëvizin, janë ditët kur ndodh ceremonia e inaugurimit të Presidentit të ri”, shpjegon një historiane nga Washingtoni, “Shërbimi sekret vjen disa orë para, me disa mjete të posaçme e sposton tendën e saj në brendësi të parkut dhe pas përfundimit të ceremonisë së inaugurimit të presidentit të ri, e vendosin sërish në trotuarin përballë Shtëpisë së Bardhë”.
60? 65? 70? 75 vjeç…? Askush nuk e di me siguri. Dihet vetëm që ajo është personi i gjallë që simbolizon protestën më të gjatë në historinë e botës! Dihet edhe diçka tjetër e sigurt: Ajo mendon se të gjithë presidentët që i ka parë të betohen, e pastaj të largohen nga Shtëpia e Bardhë, që nga Regan, Bush, Clinton, Bush Jr., dhe Obama së fundmi: “janë të gjithë njësoj! Të gjithë luftojnë dhe dërgojnë ushtrinë në vende të ndryshme të botës… Janë të gjithë njësoj…”.
Conie, siç e thërrasin miqtë e vet, është një legjendë e gjallë e protestës: i ka mbetur vetëm një dhëmb në gojë e bashkë me të edhe një tendë e rrahur nga dielli, shiu, breshëri dhe bora, tëndë të cilën nuk mund ta braktisë as edhe për një sekondë, por mbi të gjitha i kanë mbetur mbi 30 vjet memorie në lidhje me politikat e të paktën 5 presidentëve të fundit, të cilët i ka parë të betohen dhe parakalojnë m’u para tendës së saj e pastaj pas pak vitesh i ka parë të largohen gjithashtu… Tek diçka specifike, duket se është konfuze… Kur e pyet se çfarë mendon për LGBT dhe martesat gej që vetë Obama i ka mbështetur, nuk di të përgjigjet…
Por një tjetër personazh karizmatik ndodhet përballë saj, tek trotuari përbri, “i çmenduri i dytë”… Thotë se quhet “Slim”, 56 vjeç, me ngjyrë (FOTO E PARE LART). Në të djathtë dhe në të majtë mban dy pankarta: njëra apelon kundër divorcit dhe tjetra apelon kundër martesave mes së njëjtës gjini. “Unë i dua homoseksualët dhe lezbiket, por ata nuk kanë pse ripërcaktojnë se çfarë do të thotë një martesë”, shpjegon aktivisti në fjalë. Ai është vërtet i inatosur, dhe në fakt, përfaqëson pothuajse gjysmën e popullsisë amerikane që në këto ditë i duhet të jetë e përfshirë në një debat të jashtëzakonshëm për martesat gej. (KLIKO KETU PER TE PARE VIDEON)
“Po revolucionarizojmë diplomacinë dhe ushtrinë amerikane”
“Ajo që po ndodh me të drejtat e LGBT, që ne besojmë se janë të drejta të njeriut është diçka që përpara 10 apo më shumë viteve nuk do ta kishim imagjinuar që të ndodhte”, tha në Departamentin e Shtetit, gjatë një takimi me gazetarë nga 19 vende të botës (autori i këtij shkrimi ishte gjithashtu prezent), Ndihmës Sekretari i Shtetit për Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut z. Michael Posner. Në këtë takim informues ndodhej edhe zëvendësi i tij, z. Dan Baer. Ky i fundit ndodhej këtë javë në Shqipëri në të parën konferencë rajonale për të drejtat e LGBT organizuar me lekët e taksapaguesve amerikanë, nga Ambasada e SHBA.
“Unë e konsideroj këtë si një kauzë të shekullit të 21 të lidhur ngushtë me ndryshimin e brezave”, shtoi më tej Ndihmës Sekretari i Shtetit, “madje kjo kauzë po revolucionarizon diplomacinë amerikane”. Z. Posner konfirmoi se, për këtë arsye, Departamenti i Shtetit ka dërguar një kabllo diplomatike në të gjitha selitë amerikane në botë ku udhëzon diplomatët që ta ngrejnë me forcë çështjen LGBT në vendet ku ndodhen. “Ne kemi filluar të edukojmë vetë diplomatët tanë dhe përmes tyre edhe publikun, pasi ashtu siç ka deklaruar dhe Sekretarja e Shtetit Clinton, të drejtat e LGBT janë të drejta të njeriut, dhe të drejtat e njeriut janë edhe të drejta të LGBT”, iu përgjigj ai pyetjes se për çfarë arsye Ambasada Amerikane në Tiranë dhe vetë ambasadori Aleksandër Arvizu po mbajnë së fundmi qëndrime mjaft aktive në mbështetje të aktivistëve LGBT në Shqipëri.
Histori dashurie në Pentagon
Por befasuese do të ishte për gazetarët që morën pjesë në këtë tur, takimi që ata patën me dy oficerë të lartë të Pentagonit (të cilët kërkuan të mos identifikohen). Ata dëshmuan në sallën e konferencave në Pentagon (prej nga ku shpallen njoftimet kryesore të luftës) historinë e tyre para dhe pas heqjes së politikës “Mos Pyet, Mos Trego”.
Që të dy, një zonjë lezbike dhe një zotëri gej, kishin qenë në luftë në Afganistan. Që të dy, prej disa vitesh e dinin fare mirë që ishin pjesëtarë të komunitetit LGBT por për shkak të politikës “Mos pyet, Mos trego” ata asnjëherë nuk kishin folur qoftë dhe me njëri tjetrin për këtë. “Tashmë po bëj 20 vjet në ushtri, babai im ka qenë në ushtri, gjyshi im gjithashtu, një vëlla dhe motra ime janë gjithashtu në ushtri. Më besoni për mua do të ishte e papërballueshme që dikush të merrte vesh se jam lezbike e në këtë mënyrë të shkarkohesha pa nder nga ushtria”. Këto fjalë i thotë zonja në fjalë, e veshur me uniformë ushtarake. Eshtë vazhdimisht duke lotuar, por në të njëjtën kohë forcohet si me padurim që të paktën zëri të mos i dridhet. Por nuk ia del dot… “Për këtë arsye”, vazhdon me zërin që nuk i bindet, “unë vendosa të mos jetoj, vendosa që të ve ushtrinë para jetës sime”.
A është e lehtë të jesh edhe lezbike edhe komandante në ushtri? “Ka qenë një ferr i vërtetë”, përgjigjet ajo, “më ka ndodhur shumë herë me gra të tjera lezbike, ushtare nën komandën time të cilat në momente të veçanta kanë qenë gati duke ma pohuar me nervat copë copë faktin që unë e dija… Njërës i kam thënë: e di fare mirë fjalinë që je duke më shqiptuar, por të kërkoj të mos flasësh më tej…”. Këto kode të vogla në komunikimin e tyre ushtarak kanë qenë momentet më të vështira për këtë komunitet që tashmë nuk do të duhet të përjashtohet nga ushtria për shkak të orientimit seksual. “E dini çfarë”, vazhdon më tej oficeri, “për vite e vite të tëra kur një gjeneral më merrte në telefon, i thoja vetes: ja e morën vesh, ja tani do të të pushojnë pa nder… Për mbi 10 vjet çdo zile telefoni më ka tmerruar… derisa kur u prezantua realiteti i ri në Pentagon nuk e besoja dot që në fakt, nuk paska qenë aspak ndonjë problem për eprorët tanë”. “Tani jam i lirë”, vazhdon ai, “kam edhe pak vite para se të dal në pension dhe bashkë me bashkëshortin tim kemi vendosur të adoptojmë një fëmijë”.
Aktivistët Vs. Konservatorët, një luftë e komplikuar ligjore
Jashtë mureve të rënda të Pentagonit, situata është ndryshe. Së fundmi, Gjykata e Apelit në San Francisko vendosi të mos pranojë apelimin e konservatorëve në SHBA për të rishikuar një vendim të gjykatës së shkallës së parë që e konsideroi ndalimin e martesave gej si antikushtetues. I njohur si “Propozimi 8”, ky ndalim u bë përmes votës në një referendum në shtetin e Kalifornisë, por mbështetësit e martesave gej e ankimuan atë në gjykatën e shkallës së parë e cila u dha të drejtë dhe shpalli se të ndalosh martesat gej është antikushtetuese. Refuzimi i Apelit për të mos rrëzuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë u hap tani rrugën konservatorëve që ta çojnë brenda 90 ditëve çështjen pikërisht në Gjykatën Supreme, interpretimet e së cilës kanë vlerë ligjore në nivel federal. Kjo i ka bërë me krahë mbështetësit e kauzës LGBT në SHBA, të cilët besojnë se të paktën 4 anëtarë të Gjykatës Supreme (nga 9) mbështesin martesat mes së njëjtës gjini.
Por një zhvillim të tillë pritet që të ndodhë në të gjitha shtetet ku është aprovuar me ligj martesa mes së njëjtës gjini. Takuam në Maryland dy deputetë të cilët sponsorizuan dhe lobuan për miratimin e ligjit. Keiffer J. Mitchell Jr, një politikan afro-amerikan, i martuar dhe me dy fëmijë është një frymëzim për të gjithë aktivistët e të drejtave të njeriut në SHBA. Bashkë me Luke Clippinger (gej i deklaruar) ata mundën të ndryshonin si me magji mendimet e dhomës së përfaqësuesve në Maryland (NE FOTO POSHTE DHOMA E PERFAQESUESVE NE MARYLAND, GAZETARET E TURIT BASHKE ME DY PERFAQESUESIT E DEMOKRATEVE)
“Tani e dimë se çfarë do të ndodhë”, thotë Keiffer, “do na duhet të dalim çdo ditë e të trokasim në dyert e qytetarëve dhe ti bindim që të votojnë kundër propozimit për të ndaluar martesat gej. E dini? Unë jam rritur në një familje tradicionale, në një familje që ka luftuar historikisht kundër paragjykimeve ndaj njerëzve me ngjyrë, dhe as që mund ta imagjinoja se do të vinte dita të kisha këtë qëndrim ndaj kauzës LGBT. Por tani, unë e besoj se flasim për të drejta themelore të njeriut dhe këtë besim timin kam vendosur ta ndaj me të gjithë qytetarët që më kanë votuar”.
I gjithë ky debat ka vënë në mendime analistët dhe aktivistët politikë në SHBA më shumë se kudo tjetër, të cilët kërkojnë të dinë nëse deklarata e pak ditëve më parë e Presidentit Obama i cili mbështeti publikisht martesat gej, – si asnjë President tjetër i SHBA para tij, – do të ndikojë për mirë apo për keq në rezultatet e zgjedhjeve presidenciale.
Kevin Naff, Kryeredaktor i Gazetës më të vjetër dhe më autoritare për LGBT “Washington Blade” tha se “Obama vazhdon të kryesojë, ndërkohë që njerëzit e kanë ditur gjithmonë se Presidenti i mbështet të drejtat e LGBT, pa pritur që të bënte atë deklaratë, ndonëse, kam përshtypjen se, deklarata e tij u bë e pashmangshme pasi pak ditë para saj zv/Presidenti Joe Biden u ngut, – siç ndodh shpesh me të, – të deklaronte të mbështeste martesat gej përpara se këtë ta bënte vetë Obama”.
Ai (NE FOTO LART) beson gjithashtu se në ditën e votimit njerëzit do të mendojnë për ekonominë para se ta japin votën dhe çështja e martesave gej nuk do të jetë fare një çështje determinuese.
Nga ana tjetër, një grupim lobimi autoritar i republikanëve, i emërtuar “Log Cabin Republicans” beson se mënyra më e mirë që republikanët të fitojnë zgjedhjet e ardhshme është përfshirja dhe jo përjashtimi. Ky grupim, i cili mundi të siguronte votat e 25 përqind të komunitetit gej në favor të Mçain-it (tani deklaron se e ka çuar në 31 përqind këtë mbështetje për republikanët mes votuesve LGBT), ka lobuar fuqishëm në favor të heqjes së politikës “Don’t ask, Don’t tell” në ushtrinë amerikane dhe i është dashur të përballet vetë me përjashtimin dhe stigmatizimin nga pjesëtarët më konservatorë të republikanëve, aq sa dikur u duhej të prisnin 6 muaj për të takuar kryetarin e partisë (NE FOTO POSHTE TAKIMI ME LOG CABIN).
Per deklaratën e Obamës thotë të njëjtën gjë si edhe kryeredaktori i Washington Blade: “njerëzit do të votojnë për ekonominë dhe ajo deklaratë as do ta favorizojë dhe as do ta dëmtojë Obamen”. Dhe shtoi: “Ne jemi republikanë dhe besojmë që çiftet gej që kanë vite të tëra që jetojnë bashkë janë aty jo për të shkatërruar vlerat e familjes tradicionale, por për të ndërtuar familjen e tyre”.
Të njëjtin parim pozitivist ka edhe Jeff Krehely, drejtues në “Qendrën për Progresin Amerikan” (Center for American Progress”), një think tank i fuqishëm në Ëashington, duke folur për arritjet e LGBT (për të cilat ka vetë një kontribut të pasur si aktivist dhe politolog). Ai tha se “SHBA po e bën veten gjithnjë e më shumë, – në mënyrë konstante, – një vend më të mirë”. Krehely ama, beson se lëvizja LGBT shpenzon më shumë energji dhe kohë në Capitol Hill dhe në lobime për çështje ligjore, ndërkohë që nevojat e këtij komuniteti, sipas tij, janë shumë më tepër. “Një pjesë të madhe të punës dhe kohës sonë”, shpjegoi ai, “ne e kemi shpenzuar për të kuptuar çfarë duhet të ndryshojmë në sistemin tonë shëndetësor, në sistemin tonë arsimor dhe në fusha të tjera, në mënyrë që komuniteti LGBT të ndjejë konkretisht ndryshim të jetës së tij të përditshme e në mënyrë që në çdo moment të ketë akses të plotë dhe të njëjtë në të gjitha shërbimet”.
Edhe LGBT, edhe të pastrehë
Duket se z. Krehely ka të drejtë kur thotë se energjitë nuk duhen shpenzuar vetëm për lobim politik. Në qendrën për të pastrehët LGBT Ali Forney, në Nju Jork dëshmitë janë tronditëse. Cocho, një 24 vjecare lezbike rrëfen se ka 7 vjet që jeton rrugëve (NE FOTO POSHTE BASHKE ME DY TE TJERE TE BRAKTISUR PER SHKAK TE ORIENTIMIT SEKSUAL).
“Bashkë me të dashurën time, kemi jetuar për vite të tëra nëpër trena, sidomos netëve të ftohta. Më besoni: është përvoja më e parehatshme e mundshme…”. Jeremia, një 19 vjeçar me ngjyrë na kërkon të falur kur fillon të qajë: “Kisha kohë që nuk e kisha thënë me zë të lartë historinë time”, thotë ai, “kisha vetëm 3 orë që kisha mbushur 18 vjeç, kur nëna ime adoptive e hapi derën me forcë dhe më tha: merr plaçkat e tua dhe zhduku nga shtëpia ime”. Për javë të tëra mundi të jetonte nëpër shtëpitë e miqve të tij derisa mbërriti në rrugët e Nju Jorkut.
Drejtori i qëndrës Ali Forney, thotë se ka qindra fëmijë të pastrehë të cilët ose janë dëbuar nga shtëpitë e tyre, ose kanë ikur për të shpëtuar nga një ferr i vërtetë. Ai pohon se të paktën 200 fëmijë dhe të rinj të tillë mbeten çdo natë në listat e pritjes të qendrës Ali Forney pasi ndonëse kanë një buxhet prej mbi 5 milionë dollarësh dhe 9 qëndra emergjence, numri është aq i madh sa nuk e përballojnë dot…