Eshte dhunuar edhe ne Komisariat. Ngjarja eshte mbajtur e fshehte!
Avokati i Popullit ka publikuar përfundimet e hetimit të tyre në lidhje me një video ku shihen punonjës të policisë duke dhunuar një të mitur që kishte vjedhë një flamur. Në raportin e AP thuhet se nuk është dhunuar vetëm i riu 15 vjeçar, por edhe një shoku i tij 14 vjeçar. Ata madje janë dhunuar edhe në komisariat. Kjo ngjarje është mbajtur e fshehtë.
“Nga hetimi i plotë që bëri grupi i ekspertëve të Avokatit të Popullit rezulton se përveç pamjeve të dhunës që ka parë publiku në video, janë zbuluar dhe shkelje të tjera të bëra nga punonjësit e policisë.
Dy punonjësit e policisë kanë dhunuar në ambientet e komisariatit 2, jo vetëm 15 vjeçarin E.K, i cili shihet në video, por edhe shokun e tij F.V, 14 vjeç
Përveç dhunës së ushtruar ndaj dy të miturve, punonjësit e policisë kanë fshehur faktin që kanë shoqëruar për rreth 20 minuta në komisariatin 2, dy të miturit.
Këto veprime të punonjësve të policisë përbëjnë veprën penale të kryerjes së veprimeve arbitrare, të parashikuara nga neni 250 i Kodit Penal. Për këto arsye Avokati i Popullit njofton se u ka rekomanduar organeve të Prokurorisë së Përgjithshme fillimin e hetimeve ndaj dy punonjësve të policisë të komisariatit nr. 2,” thuhet në deklaratën e AP.