Fati shqiptar i Marin Memes, nga Mero Baze
Nga Mero Baze
Marin Mema, një nga gazetarët e rinj të talentuar të vendit, qenka shpallur zyrtarisht “armik” i Greqisë. Nuk ka vrarë asnjë grek, nuk ka fyer asnjë grek, por është dënuar në mungesë, pse ka mbrojtur shqiptarë të vrarë dhe shqiptarë të fyer në Greqi dhe nga Greqia. Përtej standardit skandaloz që është aplikuar nga një vend anëtar i Bashkimit Evropian, dhe përtej një arrogance provinciale që shpesh ndeshet ndaj njerëzve publik në pikat e kalimit kufitar për në Greqi, problemi i Marinit është dhe një problem që ka të bëjë me fatin e tij si shtetas i kësaj Republike.