Financial Times, hije te forta dyshimi per Shqiperine,Tacin dhe Berishen
Në një shkrim të botuar para disa orësh në blogun e Financial Times ngrihen shumë pikëpyetje për tenderin e shitjes së Albpetrolit, por as kjo media prestigjoze nuk merr përgjigje nga qeveria shqiptare.
Gazeta shkruan se oferta më e lartë u bë nga një konsorcium amerikan, por që në fakt ishte veçse një aleat i kryeministrit Sali Berisha.
Një analist i IHS Energy, Andreë Neff, ngre pyetjen se si ka mundësi që një njeri i lidhur me kryeministrin, bën ofertën sa dyfishi i vlerës së kompanisë. Ai thotë se duhej të ishte e kundërta.
Me shumë gjasë kjo bëhet për shkak se Albpetrol do ketë të drejtat e shpërndarjes së gazit për 30 vjet, duke shpresuar tek projekti i gazsjellësit TransAdriatik. Madje drejtori i Bankers Petroleum thotë se kompania e tij, që doli e treta, nuk pati kohë që të riformulonte ofertën, kur mësoi se ishin në lojë edhe të drejtat e gazit.
Por sërish edhe kjo gjë e habit Financial Times. Sipas analistit Neff, gazsjellësi TransAdriatik nuk ka shanse.“Njerëzit në këtë industri nuk i japin shumë shanse TAP-it,” thotë Neff.
Një mundësi është që Taçi të marrë edhe fushat e naftës të Bankers, shkruan FT. Për këtë çështje Taçi nuk është prononcuar.
Kurse nga Ministria e Ekonomisë, më saktë nga drejtori i privatizimeve në METE, Fatmir Isufaj, nuk ka patur asnjë përgjigje për pyetjet e Financial Times.
Në këto kushte, gjërat mbeten shumë të paqarta, siç janë në të vërtetë.
Madje FT pyet se si ka mundësi që emri i Taçit u mbajt sekret nga tenderi. Ajo kujton se kështu Taçi mori edhe kompaninë ARMO.
Në fund, gazeta thotë se privatizimet në vendet ish- komuniste nuk janë gjithmonë një zhvillim pozitiv. Ajo e mbyll shkrimin duke thënë se Shqipëria ka dy vjet që ngel në klasë nga BE për shkak të korrupsionit dhe institucioneve të dobëta.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në:
http://blogs.ft.com/beyond-brics/2012/11/26/albania-e850m-state-oil-company-sale/#axzz2DLvxmhQJ