Ka edhe keshtu ne Shqiperi…
“Natyra nuk krijon asgjë të panevojshme” ishte shprehja që të rinjtë e grupit Mendo Pozitiv e huazuan nga Aristoteli për ta ndarë me bashkëqytarët tanë. “E kemi zgjedhur këtë shprehje sepse të gjithë banorët e Tiranës kanë nevojë për më shumë “natyrë” në qytetin e tyre. Nuk ka rëndësi se çfarë roli kemi në këtë qytet, që nga fëmijët, punëtorët e thjeshtë apo edhe politikanët. Të gjithë kemi nevojë për gjelbërimin e qytetit tonë në të njëjtin nivel” shpjegojnë të rinjë e këtij grupimi.
Ata zgjodhën që ta veshin me rroba shumëngjyrëshe pemën tek Akademia e Arteve sepse duan që ky fenomen të jetë më i dukshëm dhe të mendohet më shpesh nga të gjithë. “Secili nga ne gjatë ditës ka mundësinë të kontribuojë për përmirësimin e gjelbërimit në këtë qytet. Duke bashkëpunar në aktivitetet tona edhe me studentë të Akademisë së Arteve, ne jo vetëm sensibilizojmë opinionin publik por i japim qytetit edhe një vepër tjetër arti shumëngjyrëshe” sqaroi për historiaime.al njëri prej aktivistëve.
Sipas tij “Shpenzimet dhe puna që bëmë për këtë aktivitet ishin minimale dhe gati të papërfillshme sepse të gjithë kanë punuar vullnetarisht dhe materialet janë marë nga rroba të vjetra, të cilat ne nuk i përdornim më”.
Për më shumë rreth këtij aksioni vizitoni www.mendopozitiv.com
DURRES – Ndërkohë një tjetër aksion është ndërmarrë nga të rinjtë në qytetin e Durrësit. Të rinjtë e këtij qyteti duket se angazhohen seriozisht në nisma vullnetare në shërbim të komunitetit dhe sensibilizojnë edhe të rinj të tjerë për t’u përfshirë.
Ne këtë kuadër, Grupi Rinor i Qendrës Komunitare “Sot për të Ardhmen” iu bashkua nismës së vullnetarëve të CSDC dhe dha kontributin e tij në rehabilitimin e lulishtes së shkollës së fiskulturës.
Puna 10 ditore do t’i japë formë lulishtes. Me datë 12 Nëntor në orën 10:00 do të bëhet edhe inagurimi i saj.