“Mos shkruaj si kurve” i pergjigjet Andi Kananaj Edison Ypit…
DEBATI I SE DIELES
Në përgjgjie të shkrimit të Edison Ypit “Vdisni si burra”
Nga Andi Kananaj
Ti thua se: “Është turp i madh Burri të kërkojë pare me përzhitje”. Jep përkufizime nga Olimpi me gjalpë e djathë që ndërton po vetë në një shkrim për një komunist imagjnar. U tregon ish – të persekutuarve Cv-në karakteriale me të njëjtën qetësi që ngjyros dhallën në shkrimet e tua. U thua se: Të burgosurit e ndërgjegjes nuk bëjnë burg për të marrë por vetëm për të dhënë. Sepse të përndjekurit e vërtetë janë njerëz fisnikë, me mendje të hapur, me zemër të madhe, me shpirt të gjërë.
Pastaj pasi merr 20 lajke për shkrim, e me zhdërvjelltësi kaprolli, hidhesh të tregosh për “pirgje pilafi të ngrohtë prej nga dalin rrathë të bardhë avujsh që ngjiten drejt qiellit dhe keca e viça të therur që shkojnë në heje druri me prush nën të, që rrotullohen ngadalë nga shqiptarë të ngeshëm e të qeshur”.Përsëri 20 lajke në fejsbuk, që lajkatojnë sedrën tënde, të shkruesit të mirë, që ka tregun e vet të fansave që gëzohen si fëmijë kur dëgjojnë fjalë të reja. Ti je aty si fjalor ekstrovers, i gatshëm si një përbindësh përrallash të bësh krahasime mes sendeve, jetëve, mendimeve. Di të zbukurosh me të njëjtin talent petullat, gjizën dhe egon e pushtetit. Përçmon grevën e ish – të përndjekurve, vdekjen e Ardian Klosit, jetën e një komunisti, se je i sigurt se nuk mund të të përgjigjen.
Habitem pse habitesh që në grevën e urisë grevistët kërkojnë lëngje. Thua me cinizëm në nivele skolastike se: “Greva e Urisë, sa kohë është e tillë dhe jo e rrejshme, në pritje të përgjigjes së kërkesave, bëhet në një ambient të mbyllur ku, veç ajrit që thithet, nuk ka absolutisht asgjë që hahet, pihet, gëlltitet, përtypet. Po erdhi përgjigje e kënaqshme, mirë. Po erdhi përgjigje e pakëndshme, ose po s’erdhi asnjë përgjigje, vjen ajo që vjen, plaka, kosorja, vdekja. Këto janë gjëra elementare për një grevë urie”.
Leksione jete, për një sistem mesjetar i dashur mendimtar idiot. Në një sistem demokratik, jo vetëm qeveria por dhe analistët që kanë kaq shumë akses publik duhet të jenë gjithë veshë. Një sistem ku lajmërohesh për efektet e dietës, kur dikush qëndron me apo pa vullnet i paushqyer, e ku shoqërisë i ngrihet mishi e i bëhet pupërr, si në shkrimet e tua me burrni çadrash, e çudira katundesh në cepa malesh. Atje ku ti je edhe UFO edhe ZOT. Fanepsesh nga pas malit, si gjysmë fantazmë e gjysmë zanë që t’u hash shëllirën me gjithë djathë, në vend që t’u çosh qumësht nga ai i pushtetit. S’e dinë a të duan, por që i argëton kjo është e sigurt si tava e mishit që iu përpin o i miri shkrimtar.
Shqetësohesh se Kryeministri nuk i mban paratë në xhep. Por mund të gëzohesh njësoj, meqë Kryeministri yt zoti Ypi, i kurseu 3000 dollarë me një dorë. Vdekja e Lirakut do ta ketë lehtësuar ekonomikisht qeverinë. Kryeministri tani do t’i investojë me siguri në diçka tjetër që do t’u sigurojë të ardhmen shqiptarëve. Ndoshta në bileta për Bruksel, që të garantojë evropianët se benzinën e siguroi opozita. Se greva ishte politike. Do të skandalizohen besoj, se në Evropë askush për asnjë arsye nuk bën politikë. As gëk nuk bëjnë kur kryeministrat flenë në drekë.
Mos ndoshta nuk e ke me Ramën (për të cilin ishe gati të prisje një gisht dikur që ta votoje dy herë) por me përmbajtjen? Ndoshta je koprac dhe kjo shpjegon pse nuk të pëlqen protesta ekonomike vetëm për para? Do më shumë argumenta? Megjithëse vështirë të besoj se nuk je në gjendje të kujtosh se çfarë do të thotë skamje. Ke qenë një ish – i persekutuar. Thua i kërrusur në rradhë të fundit. I heshtur dhe i frikësuar edhe kur ia dilje në punën tënde. Nuk do të ta vjedh historinë tënde se e tregon bukur. Po teksti do benzinë se e ke tradhtuar tashmë me shkrimin “Vdisni si burra”, për të gjithë ata burra që kanë vuajtur sa, apo më shumë se ty. E bere kët’ shkrim pranoje, se mendove që e donte doktori. Ai që dikur mallkoje në shkrime, e tani e shef si pjatë me pilaf nga ai që ty të lëshon goja lëng e verem.
E organizojnë grevën në prag të marrjes së Statusit Vend Kandidat për në Bashkimin Evropian. Hëm, je estetik dhe i angazhuar në politikë të jashtme. Ka rrezik lexon dhe raporte përgjatë mërgimit herë mes malesh, e herë mes klubesh shik në Tiranë.
Po nëse mundesh, më kujto një tjetër vend evropian, ku viktimat e organizimi të keq të jetës së një shoqërie (cilësdo), futen në grevë urie, nuk përfillen për mbi 30 ditë, vetëdigjen e vdesin? E trupat u ngelen në spitale të botës se nuk kanë mundësi ekonomike që t’i sjellin mbrapsht. Ku? Një vend ku del zëdhënësja e qeverisë të deklarojë se viktima ishte jo stabël mendërisht. Ku ndodh? Në cilin vend normal, partner strategjik e mik shtëpie? Cili vend nga ato që lagen nga dete kosi, dallgët e bardha të shkumbëzuara të të cilit kos rrahin pa rreshtur brigjet e pamposhtura? Të citova keq? Mos harrova lëngjet e frutave dhe sherbetrat që përmbytin shkrimin? Lëngjet e protestës në atë që për ty është vendi normal dhe të lë ty në distancë me habinë më të madhe.
“Është turp i madh Burri të kërkojë pare me përzhitje, njëri ben gati bezinën, tjetri çakmakun, i treti batanijen, i katërti që thërret Ambulancën, i pesti që lexon komunikatën e rradhës”.
Ju lutem bëni djegje të plota. Digjuni si Oso Kuka. Se, pare, pavdekësi, këngë, lavdi, Histori, Burri nuk merr dot kurrën e kurrës me asgjë tjetër përveçse me vdekje.
Servilizmi yt nuk është përkrenarja e Skënderbeut, dhe ky nga po të shkruaj është kompjuter. Servilizmi do apo s’do, mbetet serial serioz botimesh në media. Të pëlqen apo jo, do të rezistojë e jetojë më shumë se ti. Ai do të jetë dëshmia e sulmit tënd ndaj kolegëve të tu, se ashtu t’u duk vetja me hedonist. Tentove (në letër) t’u nxjerrësh sytë me lugë e të t’u gërryeje kafkën, por askush s’të tha asgjë. Ti e di këtë.
E nuk u mjaftove me kaq. Ti tregon vërdallë se jetojmë në vendin ku “Një erë e lehtë (na sjellka) sjell nga qielli si gjethe vjeshte që bien mbi tokë miliona banknota valutash të huaja, kryesisht Euro dhe Dollarë. Banknotat qindëshe, ngaqë mes këtij bollëku paraja nuk njihet, si prek njeri me dorë, i marin me fshesë i grumbullojnë në kapica të mëdha dhe, ose i djegin, ose i dërgojnë nëpër banja si letra higjenike”. E megjithatë të trajtojnë akoma si qenie normale.
Thua se: “Nëse edhe kjo Shqipëri, që është Shqipëria e sotme, s’ju duket vend normal, hiç mos më falni që po ua them; S’jeni skeptikë, jeni të sëmurë të pakurueshëm, nostalgjikë të pandreqshëm, bërllogje të pa riciklueshme, klysha kurvi”. Por transformimi yt letrar i realitetit është po aq i parëndësishëm në fakt. Ti po jeton mirë. Të ardhurat nga shkrimet të bëjnë të mendosh se ti e meriton qendrën e vëmendjes. Komunizmi të bëri të ulje kokën në rradhën e fundit, por ti do t’i çmontosh emrin me trimëri të rrallë, se thelbin e diktaturës nuk ke kurajë ta prekësh. Paratë të kanë bërë trim aq sa për të sulmuar më të dobëtin. Lirakun që vdiq. Atë që nuk të përgjigjet dot.
Edison, gjeniu tjetër pas atij të llampës, që të mos më keqkuptojë njeri me titullin, kategoria e përmendur ka mirëkuptimin tim maksimal. Ti sigurisht që jo.
P.s Gabimet drejtshkrimore në thonjëza janë origjinale të Ed Ypit