Ne burgjet tona 70% me probleme te shendetit mendor. Dhune, mungese mjekesh e psikologesh ne paraburgime
4764 të burgosur në Shqipëri, 125 janë të mitur dhe 87 janë gra
Plot 70 përqind e të dënuarve apo të burgosurve shqiptarë vuajnë nga probleme mendore. Të dhënat shqetësuese janë publikuar në një raport të hartuar në vitin 2011 gjatë një monitorimi në gjithë qendrat Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Shqipëri (IEVP).
Kjo situatë që ka sjellë domosdoshmërinë e përmirësimit të kushteve të trajtimit të tyre, sidomos në pjesën e kujdesit mjekësor dhe atë psikologjik. Shërbimi i ri do t’i vijë më afër edhe të gjithë qytetarëve të tjerë, duke u shtrirë nëpër rrethe. Raporti i monitorimit në burgje sjell në vëmendje vështirësitë shëndetësore mendore për shkak të mbipopullimit të burgjeve dhe hapësirave të vogla të paajrosura mirë. Drejtoresha Ekskluzive e Institutit Europian të Tiranës Marta Onorato tha se “Projekti ka siguruar trajnim për rreth 100 punonjës të stafit të Burgjeve.
Trajnimet janë organizuar në bashkëpunim të ngushtë me Qendrën e Trajnimit në mënyrë që të bëjë të mundur plotësimin e nevojave aktuale dhe për të lehtësuar qëndrueshmërinë e rezultateve të projektit. Përmes këtij komponenti, IET ka rritur kapacitetin e stafit të burgjeve për të ofruar shërbime më të kualifikuara për të sëmurët mendorë si dhe burimet e Qendrës Trajnuese për të siguruar trajnim të mëtejshëm pas përfundimit të projektit”, IEP jep rekomandimet se për institucionet e vuajtjes së dënimit duhet të behet me shumë, në këto institucione ka një mungesë të madhe psikologësh dhe psikiatrish.
Në konferencën që u zhvillua në kudër të ligjit të ri për shëndetin mendor, mungoni Ministri i Shëndetësisë Vangel Tavo dhe Drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë Pëllumb Pipero. Ky i fundit do fliste për ligjin e ri dhe sfidat e reja. Në institucionet e burgimit dhe paraburgimit ka shumë gjëra për të bërë, pasi problemet në të janë të shumta. Jorida Rustemi, eksperte në IET thotë se ” Problemet ne institucionet e burgimit janë nga më të ndryshmet. Duke filluar që nga dritat dhe uji dhe duke përfunduar te cilësia që ofrohet. Ajo çfarë ne vumë re është se ndonëse ofrohen shërbime të cilat janë të parashikuara, niveli i ofrimit të këtyre shërbimeve nuk është në parametrat e duhur” Përgjatë viteve 2011 – 2012, IET ka zbatuar projektin 2-vjeçar “Përmirësimi i Kujdesit ndaj Shëndetit Mendor në Sistemin e Burgjeve në Shqipëri”, financuar nga Open Society Institute.
Projekti përfshin katër komponentë të ndryshëm, të cilët synojnë në përmirësimin e trajtimit për individët e sëmurë mendorë brenda sistemit të burgjeve, si dhe respektimin e të drejtave themelore të tyre. Në vitin 2011, IET ka realizuar në të gjithë vendin një vlerësim të situatës aktuale të të sëmurëve mendore brenda sistemit të burgjeve në Shqipëri. Të dhënat e mbledhura janë përfshirë dhe analizuar në raportin përfundimtar të vitit 2011, i cili përmban rekomandime konkrete për përmirësimin e situatës si dhe sugjerime për përmirësim politikash në këtë fushë. Në Shqipëri ka në burgje një popullsi prej rreth 4.764 njerëz nga të cilët 125 janë të mitura, 87 gra dhe 4552 burra.
Pothuajse të njëjtën problematikë ngrenë edhe përfaqësuesit e zyrës së Avokatit të Popullit, të cilët sqarojnë se nga vëzhgimet e bëra rezulton se nuk janë respektuar rekomandimet e tyre, pasi në burgje ushtrohet ende dhunë. Ata bëjnë me dije se qendrat e paraburgimeve më të mbipopulluara e problematike në vend mbeten Vlora dhe Elbasani.
Ky takim u zhvillua nga Instituti Europian i Tiranës në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Avokatin e Popullit, ndërsa kishte edhe pjesëmarrës të huaj, të cilët përcollën eksperiencat e vendeve të tyre, si një shembull që do t’i shërbente sistemit të paraburgimit në vendin tonë.