Nje fjalim nga i cili politikanet tane do duhet t’ia mbathnin me vrap! (FJALIMI I PLOTE)
“Faleminderit. Faleminderit shume.
Sot, pak më shume se 200 vjet pasi një ish koloni fitoi të drejtën për të përcaktuar fatin e vet, detyra e përsosjes së shteteve tona të bashkuar ecën përpara.
Ecën përpara falë jush. Ecën përpara sepse ju rikonfirmuat shpirtin qe ka triumfuar edhe mbi luftën e depresionin, shpirtin që e ka ngritur këtë vend nga thellësitë e dëshpërimit në nivelet më të larta të shpresës, besimi se ndërkohe që secili nga ne mund të ndjekë ëndrrat e tij individuale, ne në fund mbetemi një familje amerikane, që ose ngrihemi ose rrëzohemi bashkë si një komb dhe si një popull.
Sot në këto zgjedhje, ju, populli Amerikan na kujtuat se edhe pse rruga jonë s’ka qenë e lehtë, edhe pse udhëtimi ynë ka qenë i gjatë, ne jemi ringritur, kemi luftuar për rikthimin dhe e dimë thellë në zemrat tona se më e mira për Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndodhë.
Dua të falënderoj çdo amerikan që ka marrë pjesë në votime. Qoftë nëse votuat për herë të parë apo nëse pritët në rradhë për një kohë të gjatë – (pauzë) dhe meqë ra fjala këtë problem do të duhet ta zgjidhim (duke iu referuar pritjeve të gjata në rradhë. Shënim i redaksisë). Faleminderit ata që pritën nëpër trotuare apo kapën telefonin, ata që mbajtën tabelat e Obamës apo të Romnit, ju të gjithë bëtë që zëri juaj të dëgjohet dhe kjo bëri ndryshimin.
Sapo bisedova me Guvernatorin Romni dhe e urova atë dhe Paul Ryan, për fushatën e fortë. Ne mund të kemi luftuar ashpër kundër njëri-tjetrit, por kjo ndodhi vetëm sepse ne e duam ketë vend dhe na intereson mbi të gjitha e ardhmja e tij. Që nga George te Leonore te djali i tyre Mitt, familja Romni ka zgjedhur të kontribuojë për Amerikën përmes shërbimeve publike. Kjo është një trashëgimi që ne e nderojmë dhe e duartrokasim sot. Në javët e ardhshme, pres me dëshirë të ulem dhe të bisedoj me Guvernatorin Romni për të gjetur pikat tona të përbashkëta për ta ndihmuar këtë vend të ecë përpara.
Dua të falënderoje mikun tim dhe bashkëudhëtarin tim këto katër vite, një nga luftëtarët e lumtur të Amerikës zëvendës Presidentin që do donin ta kishin të gjithë, Joe Biden.
Unë nuk do të isha burri që jam sot pa gruan që pranoi të martohej me mua 20 vite më parë. Më lejo ta them këtë publikisht Michelle, kurrë s’të kam dashur kaq shumë. Kurrë nuk kam qenë kaq krenar të shoh Amerikën të dashurohet me ty si zonjën e parë të këtij vendi.
Sasha dhe Malia përpara syve tanë ju po rriteni dhe po bëheni dy zonjusha të zonja, dhe të bukura si nëna juaj. Jam shumë krenar për ju. Por do të them që sot e tutje një qen mjafton (batuta që i referohet zakonit presidencial për të zgjedhur një qen).
Për ekipin dhe vullnetarët më të mirë në historinë e politikës, absolutisht më të mirët, faleminderit. Disa prej jush e kishit për herë të parë e disa të tjerë keni qenë përkrah meje që në fillim.
Por të gjithë jemi një familje. Pavarësisht se çfarë bëni apo ku shkoni që sot e tutje, ju do të keni kujtimin e historisë që bëmë sot bashkë. Dhe ju do të keni mirënjohjen e një presidenti që ju falënderon. Faleminderit që besuat që në fillim, për çdo kodër e për çdo luginë. Ju më motivuat gjatë ditës sime dhe do t’ju jem përjetë mirënjohës për çdo gjë dhe për punën e madhe që bëtë në këtë fushatë.
E di se fushatat politike ndonjëherë mund të duken të vogla e madje dhe komike. Kjo u jep goxha mundësi cinikëve që mund të na thonë se politika nuk është më shumë se një test egosh mes atyre që konkurrojnë apo domeni i interesave të veçanta. Por nëse ju jepet ndonjëherë mundësia të flisni me njerëzit që erdhën në grumbullimet tona apo me të rinjtë që mbushën sallat e një gjimnazi apo të shikonit njerëzit që punonin deri vonë në një zyre fushate në ndonjë vend të vogël larg shtëpisë së tyre, ju do ta kuptonit që në fakt politika është krejt diçka tjetër.
Ju do të dëgjoni vendosmërinë në zërin e një organizatori të ri në terren i cili punon gjatë kohës që është në universitet sepse do që të sigurohet që çdo fëmijë tjetër të ketë të njëjtën mundësi për edukim si edhe ai. Ju do ta dëgjoni krenarinë në zërin e një vullnetareja e cila shkon derë më derë për të ndarë përvojën e saj e lumtur sepse vëllai i vet i papunë më në fund u punësua në një fabrikë të vogël makinash dhe iu shtua dhe një turn. Ju do të dëgjoni patriotizëm të thellë në zërin e gruas së një ushtaraku e cila punon në orët e vona në fushatë me telefona për të siguruar se askush që lufton në këtë vend e që ka luftuar për këtë vend të përfundojë duke kërkuar punë pasi kthehet në atdhe apo të përfundojë duke kërkuar një çati mbi kokë.
Prandaj ne e bëjmë këtë. Kjo është për ne politika. Prandaj zgjedhjet kanë rëndësi. Nuk është një gjë e vogël, është e madhe dhe e rëndësishme. Demokracia në një shtet prej 300 milion mund të jetë e zhurmshme, e rrëmujshme dhe e komplikuar. Ne kemi opinionet tona. Secili prej nesh ka besimin dhe argumentat e veta. Dhe kur ne gjendemi në kohë të vështira, kur marrim vendime të mëdha si një shtet i madh, ky proces sjell pasione, sjell debat. Kjo nuk do të ndryshojë as pas natës së sonte dhe në fakt, nuk duhet të ndryshojë. Këto janë ato që shënojnë lirinë tonë, dhe nuk duhet ta harrojmë kurrë se teksa flasim ka njerëz në kombe të largëta që po rrezikojnë jetën e tyre tani vetëm për të patur mundësinë që kemi ne për të debatuar për çështjet që kanë rëndësi për ta, apo për të patur mundësinë për të zgjedhur me votë siç bëmë ne sot.
Por përtej gjithë diferencave tona, shumica prej nesh ndajnë të njëjta aspirata për të ardhmen e Amerikës.
Ne duam që fëmijët tanë të rriten në një vend ku ata të kenë akses te shkollat dhe mësuesët më të mirë, një shtet që i përmbahet mundësive dhe përgjegjësive të veta si një lider global në teknologji në zbulim dhe në inovacion, me të gjitha punët e mira dhe bizneset e reja që vijnë me të.
Ne duam që fëmijët tanë të jetojnë në një Amerikë që nuk është e mbytur në borxhe, që nuk dobësohet nga mungesa e shanseve të barabarta, që nuk kërcënohet nga rreziku i një planeti që po ngrohet.
Ne duam të trashëgojmë një shtet që është i sigurt, i respektuar dhe admiruar në botë, një komb që mbrohet nga ushtria më e fuqishme në tokë dhe drejtohet nga ushtarët më të mirë në këtë botë, por edhe një vend që ecën me vetëbesim përtej kohës së luftës për të ndërtuar paqen me premtimin e lirisë dhe dinjitetit për çdo qenie humane.
Ne besojmë në një Amerikë bujare, në një Amerikë të ndjeshme, në një Amerikë që i mban dyert hapur për ëndrrat e një vajze të emigrantit që studion në shkollat tona dhe nderon flamurin tonë, apo për një djalë të ri në jug të Chicagos që duhet ta shikojë të ardhmen me siguri edhe përtej cepit të lagjes së vet, për të ardhmen e një fëmijë të një punëtori të thjeshtë në Karolinën e Veriut që ëndërron të bëhet doktor apo shkencëtar, inxhinier apo biznesmen, diplomat apo pse jo edhe President. Kjo është e ardhmja që ne duam të ndërtojmë.
Ky është vizioni që ne ndajmë bashkarisht. Këtu duhet të shkojmë duke ecur përpara. Këtu duhet të arrijmë.
Tani, ne mund të mos biem dakord ndonjëherë për mënyrën sesi do të shkojmë aty. Dhe ka më shumë se dy shekuj, që progresi vjen me aspektet pozitive dhe negative. Dhe kjo nuk është gjithnjë një vijë e drejtë, apo një rrugë e lehtë. Në vetvete, njohja që ne kemi për shpresat dhe ëndrrat e përbashkëta nuk do ti japë fund të gjitha problemeve apo nuk do të zëvendësojë punën që duhet bërë për të ndërtuar konsensus dhe të arriturit një kompromis për ta bërë këtë vend të eci përpara.
Por ne duhet të fillojmë me pikën tonë të përbashkët. Ekonomia jonë po rimëkëmbet. Një dekade luftimesh po i vjen fundi. Një fushatë e madhe tashmë përfundoi. Dhe nëse e kam merituar ose jo votën tuaj, unë ju kam dëgjuar. Unë kam mësuar prej jush. Ju më keni bërë një president më të mirë. Me historitë dhe vështirësitë tuaja, unë kthehem në Shtëpinë e Bardhë më i vendosur dhe më i frymëzuar se kurrë për punën që duhet bërë dhe të ardhmen që na pret.
Sot ju votuat për veprim, jo për politikën e zakonshme. Ju na zgjodhët që të përqendrohemi më tepër te problemet tuaja dhe jo te problemet tona. Dhe në javët dhe muajt e ardhshëm unë po pres të kontaktoj dhe të punoj me liderët e të dyja partive për tu përballur me sfidat që vetëm bashkë mund ti zgjidhim, reduktimin e deficitit tonë, reformimi e kodit të taksave, rregullimin e sistemit të emigrimit, clirimin nga të qënurit të varur nga nafta e huaj. Ne kemi shumë punë për të bërë!
Por kjo nuk do të thotë se puna juaj përfundoi. Roli i qytetarit në demokracinë tonë nuk përfundon vetëm me dhënien e votës tuaj. Amerika kurrë nuk ka qenë për atë se çfarë mund të bëjë ky vend për ne; është çfarë mund të bëjmë ne të gjithë nëse bashkohemi, përmes punës së lodhshme e herë të stresueshme por të nevojshme të vet-qeverisjes. Ky është parimi mbi të cilin ne jemi themeluar.
Ky vend ka më shumë pasuri e burime se çdo vend tjetër, por kjo nuk është ajo që na bën ne të pasur. Ne kemi ushtrinë më të fuqishme në histori por kjo nuk është ajo që na bën më të fortë. Universitetet dhe sistemi arsimi ynë janë më të lakmuarat në botë, por kjo nuk është ajo që e bën botën të vijë në brigjet tona. Ajo që e bën Amerikën të jashtëzakonshme janë lidhjet që na bashkojnë ne të gjithëve në kombin më divers në botë, besimi se fati është i përbashkët, se ky vend funksionon vetëm nëse ne pranojmë obligimet që kemi për njëri tjetrin dhe për brezat e ardhshëm. Kështu që liria që shumë Amerikanë kanë luftuar dhe kanë vdekur për të vjen me përgjegjësinë si dhe të drejtat, përmes tyre buron dashuria dhe solidariteti, detyra dhe patriotizmi. Kjo e bën Amerikën të veçantë.
Sot kam shpresë sepse kam parë shpirtin Amerikan në punë. E kam parë në bizneset familjare të atyre pronarëve që do pranonin fare lehtë të ulnin pagën e tyre sesa të shikonin komshinjtë të hiqen nga puna, në punëtorët që do preferonin të ulnin orët e tyre të punës sesa të shihnin një mik të humbiste vendin. E kam parë te ushtarët që janë regjistruar serish pasi kanë humbur një gjymtyrë dhe na ata ushtarë që shkojnë me guxim drejt rrezikut sepse e dinë që pas kurrizit të tyre është një mik që po u mbron krahët. E kam parë në brigjet e New Jersey dhe të New York ku liderët nga çdo parti dhe nivel të qeverisjes i lanë pas diferencat politike për të ndihmuar komunitetin në rindërtimin nga shkatërrimi që la pas një stuhi e tmerrshme.
E pash ditën e kaluar në Mentor të Ohio’s, ku një baba tregonte historinë e vajzës së tij 8 vjeçare, ku lufta e gjatë e saj me leuçeminë pothuajse i kushtoi familjes çdo pasuri sikur të mos kishte qenë për reformën shëndetësore që kaluam disa muaj para se kompanitë e sigurimeve të ndërprisnin pagesat për kurimin e saj. Unë kisha mundësinë për të biseduar dhe me vajzën e tij të mrekullueshme. Dhe kur ai baba foli para turmës, çdo prind në dhomë i kishte sytë me lot sepse ata e dinin se kjo mund ti ndodhë kujtdo edhe fëmijëve të tyre.
Unë e di që çdo Amerikan do që e ardhmja të jetë e mirë. Këta jemi ne. Ky është vendi për të cilin jam krenar të drejtoj. Sot pavarësisht vështirësive që kemi kaluar, pavarësisht acarimeve në Washington, kurrë s’kam pasur kaq shpresë në të ardhmen tonë. Kurrë s’kam pasur kaq shpresë për Amerikën. Unë ju kërkoj dhe juve të kini shpresë.
Unë nuk po flas për optimizmin e verbër, atë lloj shprese që injoron detyrat që kemi dhe pengesat që duhet të kalojmë në rrugën tonë. Unë nuk po flas për idealizmin që na pengon të frikësohemi para një lufte. Unë gjithnjë kam besuar se shpresa është një gjë aq kokëforte brenda nesh dhe diçka e mirë po na pret për sa kohë ne kemi kurajën për të kërkuar, punuar dhe luftuar.
Amerika besoj se mund të ndërtojë në progresin që kemi bërë dhe vazhdimësinë për të luftuar për punë të reja, mundësi të reja dhe siguri të re për shtresën e mesme. Unë besoj se ne mund ta mbajmë premtimin e themelimit tonë, idenë se ju jeni të gatshëm të punoni fort, nuk ka rëndësi kush je apo nga vjen, çfarë pamje ke apo ku dashuron. Nuk ka rëndësi nëse je i bardhe, me ngjyrë, hispanik apo aziatik apo indiano amerikan, i ri apo i vjetër, i pasur apo i varfër, i shëruar apo me aftësi të kufizuara, gej apo hetero. Ju mund t’ia dilni në Amerikë nëse keni vullnetin për të provuar.
Unë besoj se ne mund të krijojmë një të ardhme të përbashkët sepse nuk jemi të ndarë si politika jonë. Ne nuk jemi aq cinik sa na kujtojnë të tjerët se jemi. Ne jemi të mëdhenj nga bashkimi i ambicieve tona personale dhe do të vazhdojmë të jemi më shumë se një bashkim i shteteve o të kuqe o blu. Ne jemi dhe përgjithmonë do të jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sot, me ndihmën tuaj dhe bekimin e Zotit ne do të vazhdojmë rrugëtimin tonë përpara dhe do i kujtojmë botës pse ne jetojmë si një nga vendet më të mira në botë. Faleminderit Amerikë. Zoti ju bekoftë! Zoti bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
Barack Obama