Obama uron shqiptaret per 100-vjetorin
Presidenti amerikan, Barack Obama, uroi popullin shqiptar me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë.
“Aleanca jonë me Shqipërinë është e fortë dhe e qëndrueshme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të përkushtuara për të ndihmuar Shqipërinë në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe në ndërmarrjen e reformave të nevojshme për të arritur integrimin e saj të plotë në bashkësinë euroatlantike”, shkruhej në pjesën hyrëse të mesazhit të Obamës.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj misionit të NATO-s në Afganistan, si dhe për mbështetjen që i jep Shqipëria qëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor.
“Lidhja e ngushte mes dy vendeve tona”, thotë Presidenti Obama, “nisi me mbërritjen e emigrantëve të parë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara. Kjo lidhje u fuqizua edhe më tepër me ndërhyrjen vendimtare të Presidentit Uillson në Konferencën e Paqes në Paris më 1919 dhe ka vazhduar të lulëzojë përgjatë dy dekadave të fundit pas vendosjes së demokracisë në Republikën e Shqipërisë”.
“Fjalimi historik i Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, në Parlamentin Shqiptar shënoi një tjetër gur të rëndësishëm kilometrik në marrëdhënien tonë. Në këtë ditë festimi, populli amerikan bashkohet me ju, duke ju uruar më të mirën në përpjekjet tuaja të ardhshme për ndërtimin e një Shqipërie demokratike dhe të begatë!”, shprehet më tej presidenti i SHBA.