Tre gjera pa funksion, nga Andi Kananaj
Pedagogu brilant Aleksandër Dh., e kish’ zakon të pyeste orën e parë se cilat ishin tre sendet pa asnjë funksion praktik në jetën e njeriut. E para në rradhë, sipas profesorit, pasi linte studentët të provonin inteligjencën, ishin thithkat e burrave. E dyta, testikujt e Papës. Studentët në këtë pikë synonin të kuptonin se cila ishte pjesa e tretë e trupit të njeriut që nuk duhej më sipas logjikës së përdorur. Por Aleksandër Dh., përgjigjej serbes: Sindikatat!
Për herë të parë do ta kundërshtoj pedagogun e nderuar. Pas thithkave të meshkujve e testikujve të Papës do të qëndronte Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë. Krejt pa funksion. Nëse i interviston, 80% e shqiptarëve jo vetëm që nuk e dinë emrin e ministrit të Jashtëm por dhe nuk u duhet. Përgjigja më e shpejtë që merr është: ai i LSI-së. Ai tjetri, jo Haxhinasto.
Por nuk duhet të shihet si mungesë. Ministria e Jashtme e Republikës së Shqipërisë nuk ka asnjë plan të vetin. Ministri i Jashtëm përveç se është figurë me peshë virtuale në qeveri, nuk ka asnjë funksion real në punën e tij të përditshme. Funksionalisht ministri i Jashtëm është në rolin e një lajmësi të Kryeministrit për politikat e parapërcaktuara nga organizatat ku vendi ynë aderon.
Vota për rolin si vëzhgues i shtetit të Palestinës tregoi se si kjo Ministri mund të jetë patate e nxehtë në duart e Berishës. Vota abstenim ishte perfekte për të treguar se s’dimë nga t’ia mbajmë. Do donim të kishim dy vota, që t’ia jepnim njërën Obamës e tjetrën Erdoganit. Kemi një votë, andaj e djegim. Vëllezër palestinezë, asgjë që të ketë lidhje me ju. Shqipëria është pjesë e kolonive të konsoliduara që binden verbërisht dhe kjo i kthen në votues automatë. Ministri ynë i Jashtëm s’mund të jetë si ministri i Jashtëm francez. As si ai gjerman. As si ministri i Jashtëm i Shqipërisë në vitin ‘68, kur Shqipëria denoncoi pushtimin e Çekosllovakisë. Komunistët ishin të çmendur. S’dinin si të bënin lekë dhe e mbushnin veten me humor të zi.
Nëse mendojmë të zhdukim dhe Ministrinë siç zhdukëm ushtrinë këto vite, në emër të kursimit, do hidhnim një hap të mirë. Realisht shteti shqiptar nuk ndikon në politikën ndërkombëtare. Në politikën rajonale, roli është i telekomanduar nga organizmat e mëdha, si NATO, BE, ambasada e SHBA. Kësisoj ministri ynë i Jashtëm si ministër fiton vetëm bileta falas për të udhëtuar botën mundësisht në 1460 ditë. Si adoleshent ka fatin e madh të njohë njerëz kudo. Mund të parkojë pa frikë ku të dojë, meqënëse targa CD do ta shpëtojë nga stresi i carroattrezzi-t.
Mund të ngelen konsullatat meqë shqiptarëve në botë u duhen çertifikata, vula apostile, kaseta të Ardit Gjebresë, por Ministria është e tepërt. Ministria jonë nuk është dot as postiere, se Kryeministrin kur duan e gjejnë në telefon. Nëse s’e kapin, nisen ambasadorët dhe i përvishen në zyrë. E nëse nuk e gjejnë? Kjo nuk ndodh, se nuk ka ku të fshihet z. Kryeministër.
Ministri i Jashtëm mund të ngelej në rolin e një koordinatori për ambasadorët, dhe të ndihmësit kur Ministrisë së Integrimit t’i shtohen dokumentat për tu përkthyer në anglisht.
Por ministri i Jashtëm s’mund të jetë shqetësim serioz, tani për tani. Kemi njerëz që ushqehen me lista. Fëmijë që marrin AIDS në spitale. Një republikë që përgjohet. Një President që vendos siç do një një qeveri. Kemi spitale pa ilaçe. Kemi ÇEZ-in që mund të largohet me gjithë drita, e të na hedhë mbrapsht në shekullin e kaluar. Kemi shkolla prej kartoni. Brenda nuk ka fëmijë por ëndrra të brejtura nga moti i keq.
Ministri i Jashtëm ngelet një burrë i mirë që dhe po të dojë nuk është në kushtet që të bëjë ndryshe. Funksionet e tij janë që të na prezantojë mirë gjatë fazës së marrjes së urdhrave nga lart. Ajo që s’duhet të bëjë asnjëherë është që të shkojë në takim me vonesë. Apo të prezantohet i pahekurosur. S’duhet t’i hapet goja gjatë takimeve. Gjatë takimit është e domosdoshme që celulari të jetë në modalitet silent. Po u duk dhe mjaftueshmërisht i mallëngjyer, Mond Panariti i ka kryer të gjitha detyrat. (E thirra me emër për t’i bërë pak reklamë, që ta kujtojë dynjaja që e kish’ harruar.)