Vizita e Clinton ne rajon dhe ne Shqiperi nje shans i mire per kauzen LGBT
Vizita e shumëpritur e Sekretares së Shtetit znj. Hilari Klinton po pritet me entuziasëm nga aktivistët e të gjithë Ballkanit të cilët po tentojnë të avancojnë kauzën për të drejtat LGBT nën një klimë gjithnjë e më shumë konfliktuale.
Kujtojmë që në Maqedoni duket sikur ka një luftë thuajse të shpallur ballore mes qeverisë së djathtë të Gruevskit dhe ministrave të tij homobofë dhe aktivistëve për të drejtat e njeriut (njëri u dhunua keqazi, një zyrë për LGBT e Komitetit të Helsinkit u vandalizua haptazi brenda 24 orëve nga përurimi i saj, etj).
Në Serbi situata nuk është aspak më e mirë për komunitetin LGBT sidomos pas ndalimit absurd që qeveria atje i bëri paradës LGBT duke u justifikuar për probleme të sigurisë, justifikime që dolën bllof nga fakti se pavarësisht mungesës së parades Beogradi u pushtua një javë të tërë me aktivitete kulturore, sociale dhe publike për LGBT e nuk pati asnjë incident (!).
Dhunë të pajustifikuar kanë patur edhe aktivistët në Mal të Zi. Kujtojmë rrahjen dhe sulmet brutale ndaj tre pjesëtarëve të komunitetit LGBT muajin e kaluar në Podgoricë (njëri prej tyre ishte regjisori i të parit spot publik në mbrojtje të të drejtave LGBT).
Në Shqipëri, jo më larg se pak ditë më parë një person i vetëm pështyu, kërcënoi dhe tentoi të dhunonte në sy të publikut, në mes të ditës dy vajza aktiviste pas një proteste paqësore të LGBT para Ambasadës së Maqedonisë.
Klinton, autorja e fjalimit të famshëm që vendosi një stekë të lartë për betejën e të drejtave LGBT kur deklaroi se të drejtat e LGBT janë të drejta të njeriut dhe se të drejtat e njeriut janë edhe të drejtat LGBT, pritet me entuziasëm nga të gjithë aktivistët në Ballkan.
Në Shqipëri, aktivistët LGBT presin me dëshirë dhe mirënjohje çdo adresim që znj. Klinton mund (dhe sipas informacioneve tona ka shume gjasa se do ta bëjë) në lidhje me fuqizimin e zërit LGBT në vend, duke kërkuar zbatimin konkret të ligjit kundër diskriminimit dhe duke inkurajuar proçesin që aktivistët kanë nisur tashmë në drejtim të dekriminalizimit kulturor e social të homoseksualizmit dhe përpjekjet e tjera në drejtim të edukimit që të zhduket diskriminimi mbi baza të orientimit seksual dhe apo të identitetit gjinor.
Kujtojmë se Klinton ka përshëndetur publikisht aktivizmin LGBT në Shqipëri dhe ka nderuar me çmim edhe dy aktiviste që për vite të tëra kanë ìnkurajuar dhe mbështetur kauzën LGBT në Shqipëri, znj. Mindy Michels dhe Melissa Schraibman.