7 mars, tkurrja e numrit të nxënësve në shkolla dhe mungesa e financimeve për arsimin

7 marsi i 2019-ës e gjen sistetimin arsimor në vend në një situatë problematike, me financime të pamjaftueshme, infrastrukture të dobët shkollore, hendek në nivelin e trupës arsimore dhe rënie drastike të numrit të nxënësve si pasojë e tkurrjes së numrit të lindjeve me rikthimin e valës së re të emigrimit të familjeve.
Revista Monitor raporton se Shqipëria financonte më shumë se 4-5 për qind të PBB-së së saj para viteve 1990 për sektorin e arsimit, nivel ky i krahasueshëm me financimet që edhe vendet e tjera të OECD-së jepnin në atë kohë.
Përgjatë viteve të tranzicionit sektori është financuar më pak se 3 % të PBB-së, nivel gati 40 për qind më i ulët se financimet që vendet e zhvilluara ka dhënë në këtë periudhë dhe 20 për qind me pak se financimet që japin vendet e rajonit. Më 2017, sektori i arsimit u financua në 3.1% të PBB-së, teksa pritet që financimi të jetë po në këtë nivel edhe më 2018.
Niveli i ulët i financimit vërtetohet dhe nga një analizë e kohëve të fundit nga UNESCO, ku thuhet se Shqipëria vijon të ketë financim të ulët në raport me vendet e tjera të kontinentit.
Po ashtu, shpenzimet private/familjare për arsimin si përqindje e PPB-se kanë qenë në rritje që në 2011. Financimi i pamjaftueshëm i arsimit ndikon negativisht cilësinë e shkollimit, sidomos shtresat e pavaforizuara të popullsisë.
Situata nuk paraqitet pozitive as për vitet në vazhdim. Në vend që hendeku i financimeve në arsim të plotësohet, qeveria ka planifikuar të kundërtën. Fondet do të ulen më tej gjatë tre viteve në vijim, ku sipas planifikimit afat-mesëm të Ministrisë së Financave, shpenzimet për arsimin nga 3.1 – 3.3% e PBB-së më 2018-2019 do të zbresin në 3 % në 2020 dhe 2021.
Shqipëria u rendit e fundit në Rajon për shpenzimet dedikuar arsimit gjatë vitit të kaluar. Shqipëria shpenzoi 3.1 për qind të PBB-së për arsimin teksa vendet e tjera të rajonit ky tregues është në intervalin 4-4.5% të PBB-së.
Të dhënat e fundit e INSTAT, për matjen e nivelit të jetesës treguan se pesha e shpenzimeve për arsim arriti në një nivel rekord, prej 4.4% të totalit të konsumit më 2016, nga 1.7% që ishte një dekadë më parë. Të dhënat krahasuese nga anketat e buxhetit të familjeve të vendeve të rajonit dhe Eurostat, të përpunuara nga Monitor, tregojnë se familjet shqiptare kanë peshën më të lartë të shpenzimeve për arsim nga vendet e rajonit dhe ato të Bashkimit Europian.
Tkurrja e sistemit arsimor
Sektori i arsimit është reduktuar më shumë se 30 për qind që nga viti 1990 në numrin e nxënësve, mësuesve, dhe shkollave.
Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT numri i nxënësve që ndjekin arsimin 9-vjecar dhe të mesëm ra në 43 mijë e 700 nxënës në vitin 2018 nga 68 mijë e 600 nxënës që ishin në vitin 1991, ose 35 për qind nxënës më pak. Rënia më e madhe ishte në arsimin 9 vjeçar, ku këtë vit janë ulur në bankat e shkollës 260 mijë nxënës më pak nxënës se në vitin 1991. Vetëm për dy vitet e fundit vijuan shkollën 46 mijë fëmijë më pak.
Rënia e numrit të nxënësve është shoqëruar edhe më rënie të trupës arsimore. Në vitin 1991 numëroheshin 43700 mësues në të gjithë vendin, ndërsa në fillim të këtij viti numri i tyre ishte 3390 me rënie 22 për qind që nga viti i parë i tranzicionit.
Shqipëria hyri në periudhën e tranzicionit me 2200 shkolla të arsimit 8-vjevar dhe të mesëm, ndërsa këtë vit rezulton me 1134 shkolla. Afërisht 150 shkolla u mbyllën vetëm këtë vit, për shkak se numri nxënësve po bie në mënyrë të frikshme në disa qarqe të vendit. Numri i klasave është reduktuar më tej. Nga 37 mijë klasa që ishin në fillim të viteve 1990, aktualisht janë rreth 11 mijë klasa. Numri i tyre është reduktuar me 70 për qind përgjatë 28 viteve.
Ulja e numrit të nxënësve ka sjellë dhe një rënie të raportit nxënës për mësues, në 17.8 në vitin akademik 2017/2018, nga 19.1 në vitin akademik 2013/2017, për ciklin 9 vjeçar, sipas INSTAT./k.j
Burimi: Monitor