Gjermania dhe Nju Jorku pranojnë ligjërisht gjininë e tretë për personat interseks
Individët intersex njihen tashmë zyrtarisht në Gjermani dhe në qytetin e Nju Jork-ut në SHBA.
Sipas një ligji të miratuar në dhjetor, shteti Gjerman njeh tashmë zyrtarisht 3 gjini dhe personat intersex mund të ndryshojnë gjininë e tyre, pa qenë të detyruar të zgjedhin mes gjinisë mashkullore apo asaj femërore.
Një vendim i ngjashëm vjen dhe nga Nju Jorku, ku në certifikatat e lindjes që prej 1 Janarit u shtua opsioni X në kuadratin e gjinisë.
Përcaktimi i gjinisë X në të dy rastet duhet të shoqërohet me nje vendim mjekësor që mbështet rastin.
Individët interseks mund të lindin me karakteristika të të dy gjinive ose këto tipare mund t’i formohen më vonë gjatë jetës së tyre.
Shtete të tjerë që kanë bërë hapa para në njohjen e individëve interseks janë dhe Austria, Zelanda e Re, Australia, Malta, Kanadaja dhe India, ku njohja e personave interseks dhe të së drejtave të tyre ka marrë forma ligjore.
Kombet e Bashkuara deklarojnë sipas statistikave të tyre se rreth 1.7% e popullatës në botë janë persona interseks, një numër ky i barabartë thuajse me atë të individëve te lindur me flokë të kuqe./k.j