Nis mbledhja e firmave për shfuqizimin e Ligjit për Arsimin e Lartë

Protesta studentore vazhdon në formën e bojkotimit të auditorëve nga studentë dhe pedagogë, ndërkohë që Asambleja e Profesorëve të Universitetit të Tiranës vendosi afat për qeverinë datën 1 shkurt, si datë për plotësimin e kërkesave. Në të kundërt profesorët paralajmëruan grevë dhe përshkallëzim të protestës.
Në pritje të një përgjigjeje nga qeveria dhe të plotësimit të kërkesave, prej disa ditësh studentë të fakulteteve të ndryshme kanë nisur dhe mbledhje e firmave për shfuqizimine Ligjit për Arsimin e Lartë, i cili konsiderohet si shkaktari kryesor i të gjithë problematikave të krijuara.
Mbledhja e firmave ka nisur nga Universiteti i Durrësit para disa ditësh, ku raportohen mbi 7500 firma të mbledhura të studentëve.
Ditën e sotme Fakulteti i Arkitekturës dhe ai i Inxhinierisë së Ndërtimit kanë nisur gjithashtu mbledhjen e firmave, me synim përfshirjen e të gjithë fakulteteve në peticion dhe mbledhjen e firmave të mjaftueshme për ndërmarrjen e një nisme ligjore për shfuqizimin e ligjit.
Në mbështetje të peticionit kanë dalë dhe pedagogë të fakulteteve të ndryshme, të cilët në disa fakultete i janë bashkuar studentëve të ngujuar duke mbajtur ligjërime të hapura dhe duke diskutuar mbi problematikën dhe mundësitë e zgjidhjes së saj.
Mësimi bojkotohet prej 6 javësh dhe ende nuk ka një vendim nga drejtuesit e Universiteteve për zëvendësimin e tij, për aq kohë sa kërkesat e studentëve mbeten të paplotësuara./k.j