35 organizata të cilat punojnë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të drejtave të vajzave dhe grave, dhe me fokus të veçantë te viktimat e dhunës me bazë gjinore, i kanë drejtuar Televizionit Kombëtar “Top Channel” – Programit “Dua te të bëj të lumtur”, një thirrje për shmangien e trajtimit riviktimizues ndaj viktimave të dhunës në familje dhe për dhënien e mesazheve të drejta kundër dhunës me bazë gjinore.
Në letrën e hapur drejtuar Programit, këto organizata vlerësojnë se mënyra e trajtimit të historisë personale të një gruaje viktimë e dhunës në familje, ushtruar nga bashkëshorti i saj justifikon ushtrimin e dhunës në bazë gjinore duke u bërë faktor në riviktimizimin e vajzave e grave të dhunuara.
Në emision historia e çiftit paraqitet si e zakonshme, madje duke i shtuar nota romantizmi. Nga ana tjetër trajtimi që i bëhet episodit të dhunës së ushtruar nga bashkëshorti kundrejt gruas serviret si një gjë e pranueshme nga të gjithë dhe mëse normale.
Prezantuesja e emisionit bën një përshkrim të momentit të dhunës : “Ai është kthyer vonë dhe E. është bërë me nerva. E.ngre zërin, ai po ashtu. Debati vjen e bëhet shumë i ashpër. Ka xhelozi, ka dashuri, ka urrejtje , ka sherre të akumuluara të cilat përshkallëzohen. Sharje, ofendime, shtyhen me duar, ai e gjuan , ajo pothuaj rrëzohet.”
Protagonistja e ngjarjes, viktimë e dhunës bashkëshortore paraqitet në emision si e penduar për denoncimin e rastit duke legjitimuar dhunën e bashkëshortit e duke dhënë përshtypjen e gabuar te publiku i gjerë se të tilla ngjarje dhe mund të tolerohen.
Marrë shkas nga kjo ngjarje, organizatat me fokus mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, kërkojnë bashkëpunimin e televizionit dhe medias për të reflektuar në qëndrimet si:
- Respektimin e parimeve etike gjatë transmetimit të materialeve që kanë të bëjnë me viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, duke shmangur promovimin e rasteve të cilat pranojnë dhe justifikojnë dhunën, direkt apo indirekt. Raportimi i dhunës si një ‘gabim‘ dhe promovimi i ndjenjës së fajit dhe nevojës për të kërkuar falje nga ana e viktimës së dhunës, mund të nxisë viktima të tjera të heqin dorë nga raportimi i dhunës dhe si pasojë duke vënë në rrezik jetët e tyre. Në nivel shoqëror një qëndrim i tillë i medias përforcon stereotipet gjinore.
- Ju ftojmë t’i bashkoheni qëndrimeve tona për të ndërtuar një shoqëri ku dhuna nuk tolerohet për asnjë arsye. Qasja shoqërore, e përforcuar edhe nga media ku kërkohen faji, apo motive e arsye që e “çuan” dhunuesin të dhunojë duhet të marrë fund.
- Forcimin e bashkëpunimit mes Medias dhe Shoqërisë Civile nëpërmjet nismave të përbashkëta, për të përmirësuar mënyrën e trajtimit të rasteve të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, si dhe ndërgjegjësimin e publikut lidhur me të drejtat e njeriut. Media duhet të jetë një faktor emancipues për stereotipet, rolet, pabarazinë gjinore dhe qëndrimet diskrimuese.
- Sugjerojmë, që të konsultoheni me ekspertë të fushës paraprakisht në rastet kur prezantoni histori apo ngjarjeve që trajtojnë dhunën me bazë gjinore dhe dhunën në familje, për të shmangur trajtimin jo të duhur të këtyre problematikave madhore të shoqërisë dhe familjeve shqiptare.
Letra e plotë drejtuar Televizionit Top Channel, Programit “Dua të të bëj të lumtur”